Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar propozim-rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.
Me këtë rast, deputetë të opozitës kundërshtuan çmimet aktuale të energjisë, derisa thanë se të njëjtat ua kanë rënduar barrën financiare qytetarëve.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se çmimet është dashur të ulen pasi të njëjtat kanë rënë në berzhën ndërkombëtare.
“Të gjitha manipulimet e bëra e rëndojnë kuletën e konsumatorëve. Kjo vërehet edhe në rritjet e njëpasnjëshme të çmimit të energjikë elektrike në dy vitet e fundit. Kjo është e papërballueshëm. Gjatë marrjes së vendimeve për ngritjen e çmimit, ZRRE dhe qeveria ishin ankuar se çmimi ne berzhën ndërkombëtare ishte e lartë dhe me të vërtete ishte i lartë. Mirëpo kjo tani ka ndryshuar. Nëse çmimet në berzhën ndërkombëtare kanë ra, tek ne kjo nuk ka ndryshuar”, shtoi Shala.
Shala i ka propozuar deputetëve që të votojnë pro kësaj rezolute e cila i rekomandon ZRRE-së anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë si dhe marrjen e masave ndaj KESCO-s.
Mirëpo propozim-rezulutën e ka kundërshtuar shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se e njëjta nuk ofron zgjidhje.
“Kërkesa e sotme për seancë të jashtëzakonshme nga opozita nuk përmban asnjë risi nga opozita, por është kopje e përsëritjes së kërkesave të njëjta nga viti i kaluar. Rezoluta e prezantuar nuk është serioze nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhjeje. Sfidat shumë vjeçare të këtij sektori janë përgjegjësi edhe e juaja. Pozita dhe qeveria kanë qenë seriozisht në gjetjen zgjidhjes dhe ofrimin e lehtësirave”, shtoi ajo.
Zbritje të çmimit të energjisë elektrike ka kërkuar edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ai ka thënë se është e papranueshme që qytetarët gjatë këtij viti të paguajnë me çmimet e njëjta, kur sipas tij, prodhimi qëndron më mirë sivjet.
“Është e papranueshme me vazhdua edhe në vitin 2024 me pagua fatura të tilla të energjisë elektrike kur nevoja për import për qytetarët ka qenë 5%, 95% e energjisë elektrike është prodhuar nga prodhimet tona. Në anën tjetër çmimi shkon deri në 500% në tarifën e lartë mbi 800 KË. Kjo është e papranueshme dhe në çdo variant duhet ta kundërshtojmë. Kjo është plaçkitje”
Mustafa: Qeveria po e bënë koston e jetesës të papërballueshme
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka kritikuar ekzekutivin në lidhje me çmimet aktuale të energjisë elektrike, derisa ka thënë se e njëjta nuk është duke punuar asgjë në lidhje me rritjen e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se qeveria po e bënë koston e jetesës të papërballueshme për shumicën e qytetarëve.
“Para zgjedhjeve zoti Kurti e përdorke një frazë të bukur, po e parafrazojë “Energjia elektrike thojkë është shumë e shtrenjtë kur ne jetojmë mbi energji elektrike”. A mund të ketë qenë zotëri Kurti më profetik. Pas zgjedhjeve ai solli një rritje mahnitëse të çmimeve të energjisë, edhe atë jo njëherë por dy herë. Çfarë bëri kjo qeveri për të rritur kapacitetet e gjenerimit të energjisë elektrike, asgjë. Nëse kjo do të ishte një garë e shteteve në Ballkan, Kosova jonë do të ishte ende e shtangur në vijën e nisjes, duke qëndruar dhe vrojtuar të tjerët”, shtoi Mustafa.
Rizvanolli: Kosova me çmimin e energjisë elektrike më të lirin në rajon
Kriza energjetike që ka qenë në Kosovë dhe tërë Evropën është përballuar me sukses, tha ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, në seancën e sotme të jashtëzakonshme në Kuvend.
Ajo tha se me politika të mençura të përballjes me krizën që ishte, sipas saj Kosova ka nxjerr mësime dhe përfitime afatgjata.
Rizvanolli tutje deklaroi se Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirë në rajon e në Evropë, pavarësisht rritjes së tarifave.
“Me subvencionimin më të ulët në rajon dhe përkundër rritjes së tarifave, Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirin në rajon dhe Evropë”, tha Rizvanolli.
Sipas saj, sistemi energjik i Kosovës është në rrugën e duhur edhe për nga menaxhimi i konsumit edhe nga investimet që po vijnë me kapacitete gjenerimi e që kanë munguar me dekada.
Rizvanolli tha gjithashtu se Qeveria e Kosovës i ka ndihmuar qytetarët dhe bizneset përmes subvencionimit. Subvencionimi i radhës, sipas saj, do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Energjisë, Artane Rizvanolli, u është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me faturat e rrymës, duke thënë që kanë qenë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që e kishin shtyrë përpara heqjen e bllok-tarifës më 2017.
Krasaniqi: Kushdo që është i përfshirë në shtrenjtimin e energjisë do të japë përgjegjësi
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje.
Krasniqi, ka thënë se faturat e muajit të kaluar kanë tmerruar secilën familje në Kosovë – “e përfaqësuesit e qeverisë po na tregojnë për një realitet tjetër, në të cilin ndoshta këta jetojnë, por jo edhe qytetarët e Kosovës”.
Sipas tij e vërteta është se Qeveria ka përdorur pensionistët dhe fëmijët si ura për t’i dërguar para KEDS-it dhe KESCO-s.
“Kjo është skemë kriminale, korruptive, në krye e ka Martin Berishajn dhe nuk është bërë pa dijeninë e Kryeministrit të Kosovës. Kjo skemë do të dalë në shesh dhe të gjithë do të japin përgjegjësi. Ky krim nuk vjetërohet”, ka thënë Krasniqi. Tutje, ai ka thënë se kushdo që është i përfshirë në shtrenjtimin e energjisë elektrike, do të japë përgjegjësi.
“Jam i bindur se ky është krim i organizuar, jam i bindur se shumica prej jush nuk jeni në dijeni. Kjo është skemë kriminale në krye me Martin Berishajn, e kjo nuk bëhet pa dijeninë e Kurtit. Kjo do të dalë në shesh dhe të gjithë do të japin përgjegjësi”, është shprehur Krasniqi.
Kreu i PDK-së, ka thënë se është absurditet të mbrohet blloktarifa në emër të drejtësisë sociale. Sipas tij, blloktarifa është pabarazi sociale, sepse nuk ka mundësi të barabarta. Ai ka thënë se një qeveri normale duhet të krijojë mundësi të barabarta.
Gashi: Qeveria ia shet 3 centë kilovatin KEDS-it e KEDS-i 14 centë qytetarit
Shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria Kurti po e nxit shpenzimin e energjisë elektrike dhe në të njëjtën kohë bën thirrej mos me shpenzuar energji elektrike, e që sipas tij qeveria nuk po e di se çka është duke bërë.
Gashi deklaroi se qeveria shet 3 centë kilovatin e energjisë KEDS-it, ndërsa sipas tij, KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit.
“Qeveria e Kosovës aksionar si aksionar, ia shet me 3 centë kilovatin KEDS-it, e KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit të Kosovës”, është shprehur deputeti Gashi.