Udhëheqësi i rajonit separatist prorus të Moldavisë, Transnistria, Vadim Krasnoselski, u bëri thirrje institucioneve të mbrojtjes dhe inteligjencës që të jenë në një “nivel të lartë të gatishmërisë ushtarake” dhe të mbajnë stërvitje të rregullta për këtë qëllim, raporton Reuters.
Në fjalën e tij, Krasnoselski tha se institucionet kryesore duhet të kundërshtojnë kërcënimet ushtarake dhe aktivitetet terroriste dhe ekstremiste.Tensionet janë rritur që kur qeveria e Moldavisë vendosi tarifa mbi importet dhe eksportet këtë vit, si pjesë e përpjekjes së saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Rajoni, i varur nga ndihma e Moskës, thotë se tarifat po dëmtojnë biznesin e tij dhe Krasnoselski i denoncoi ato si një “taksë mesjetare”.
“Ministria e Sigurisë së Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes janë urdhëruar që të zhvillojnë rregullisht stërvitje dhe të forcojnë sigurinë në kufijtë shtetërorë me mjete moderne teknike”, tha kreu i Transnistrisë.
Sipas Reuters, institucioneve kyçe u është thënë të jenë “gjithnjë e më proaktive” për t’iu kundërvënë kërcënimeve ushtarake dhe “veprimtarive terroriste dhe ekstremiste”. “Kjo është për sot, tani,” tha Krasnoselski. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organet e sigurisë shtetërore”, shtoi ai./Kosovatimes/