Kapiteni i Koresë së Jugut, Son Heung-mi, u ka kërkuar mediave dhe tifozëve që ta kursejnë skuadrën nga kritikat derisa ajo vazhdon garën në Kupën e Azisë.
Koreja e Jugut para turneut konsiderohej në mesin e favoritëve, por përfundoi një pikë pas Bahrejnit në Grupin E, duke kaluar në fazën tjetër nga vendi i dytë.
“Për futbollin aziatik është vërtet mirë që ky kompeticion po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Ne po punojmë shumë në fushë. Ne po përpiqemi të japim gjithçka për tifozët, për vendin. Disa nga djemtë po kritikohen ose po marrin komente që ndonjëherë kalojnë kufijtë. Si shok skuadre më dhemb. Para se të jenë lojtarë, ata janë njerëz që kanë familje në shtëpi, fëmijë”, është shprehur ai.