Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë për thellim të bashkëpunimit ushtarak në shumë drejtime.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se marrëveshja përfshinë shkëmbimin e personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimin në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimin shëndetësor të pjesëtarëve të FSK-së në Turqi.
“Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Yasar uüler, me pritje ceremoniale filluam takimin i cili përfundoi me një të arritur shumë të rëndësishme të përbashkët, nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime.Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turkiye ishin disa nga çështjet të cilat i diskutuam, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapim rrugë procesit për realizimin e tyre”, ka shkruar ai.
Maqedonci ka thënë se krahas lidhjes kulturore ndërmjet dy shteteve tona, tashmë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në aspektin ushtarak, me qëllim që së bashku t’i kontribuojnë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. /Kosovatimes/