Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i prezantoi disa gjetje që kanë të bëjnë me dyshime për keqpërdorime me patentë-shoferë.
Durmishi tha se dyshimet e para janë se “kemi të bëjmë me një ndërmarrje të gjerë kriminale”.
“Përkundër punës tonë, fatkeqësisht keqbërësit gjejnë forma e metoda të ndryshme që të korruptojnë sistemin dhe pajisja me patentë të bëhet me kundër shtim me ligjin…,. Për çdo dyshim duhet të marrim masa. Pajisja me patentë me metoda korruptive është krim, sepse ata rrezikojnë jetën e vetes dhe të tjerëve. Shumica e aksidenteve ndodhin për mosrespektim të rregullave”, tha ai.
“Dyshimet tona kanë të bëjnë me një ndërmarrje të gjerë kriminale e cila mbetet të vërtetohet nga drejtësia. Dyshimet kanë filluar nga informatat e qytetarëve, ka dyshime për keqpërdorime, marrë parasysh për gjetjet, Që shumë kandidatë të cilat gjoja pjesën teorike e kanë kalu në vitin 2021 kur s’kishe e Testim kurse pjesën praktike në vitin 2023 dhe në fillim të janar të këtij viti”, vijoi ai.
Ai e përmendi edhe njësinë në qytetin e Pejës, ku sipas tij rreth 666 kandidatë kanë kaluar provimin praktik në kategoritë B, C dhe C1. Të gjithë kandidatët sipas tij ishin nga qytete të tjera.
“Kemi hasur në keqpërdorime, në Pejë, kemi hasur në një dukuri që tjetër ku nuk ka ndodhur. Në këtë njësi kishte 666 kandidatë gjatë vitit 2023m që kishin kaluar provimin praktik në B, C dhe C1. Të gjithë kanë qenë nga qytete të tjera, si Podujeva, Kamenica, Drenasi, etj. Është e dyshimtë ku një kandidatë nga Kamenica shkon në Pejë për testin praktik”, tha ai.
Ai ka përmendur një ekzaminer i cili sipas tij, për dy javë i ka kaluar 200 kandidatë.
“Kemi një rast një ekzaminer për dy javë në Pejë i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike, kjo është dukshëm mbi mesataren, dhe kandidatët janë nga komunat e tjera”, tha ai.