Ministri i Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, të hënën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të mirëpritet nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Takimin me Pistorius do ta shoqërojnë deputetë të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ceremonia zyrtare e pritjes, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, do të zhvillohet në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke filluar nga ora 13:30.
“Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSh), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00. Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. /Kosova.info/