Reagime nga Lista Serbe dhe Serbia
Më herët gjatë ditës, zyrtarët serbë në Serbi dhe Lista Serbe në Kosovë reaguan ndaj këtij aksioni policor, që kishte për shënjestër ato që Serbia i quan organe të përkohshme, që punojnë sipas sistemit serb.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se përveç aksionit për mbylljen e organeve të përkohshme komunale në Pejë dhe Istog, Policia e Kosovës ka hyrë në qendrën mjekësore në Osojan dhe e kanë mbyllur të njëjtën.
Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se kryetarët e organeve të përkohshme janë ndaluar nga Policia e Kosovës për t’u marrë në pyetje.
Shefi i kësaj zyreje, Petar Petkoviq, e cilësoi aksionin policor si “vazhdim të spastrimit etnik” të serbëve që jetojnë në Kosovë.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i bëri thirrje Beogradit zyrtar që t’i kërkojë Bashkimit Evropian dhe misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të pengojë “qërimin e hesapeve” nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me komunitetin serb.
“Sado e vështirë të jetë për të gjithë ne, duhet të ruajmë qetësinë e njëri-tjetrit, sepse as kjo e keqe nuk do të zgjasë përgjithmonë. Veprimet e Prishtinës duhet të shihen si veprime të pushtuesve dhe asgjë tjetër”, tha Lista Serbe.
Njoftimi për këtë aksion policor të realizuar të premten, vjen pasi më 26 janar, ministri i Punëve të brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet mbyllën katër komuna paralele serbe që po vepronin jashtëligjshëm në qarkun e Dragashit.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.