Autoritetet turke kanë arrestuar 9 persona, të cilët dyshohen se i kanë shitur informata agjencisë izraelite të inteligjencës, që njihet si ‘Mosad’.
Forcat e sigurisë së Turqisë kanë arrestuar 9 persona të dyshuar për dhënien apo shitjen e informatave shërbimit inteligjent të Izraelit që njihet si Mosad. Kështu kanë njoftuar zyrtarë turq por në kushte anonimiteti. Arrestimet janë kryer në Stamboll dhe Izmir. Ankaraja zyrtare ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim apo deklaratë rreth arrestimeve.
Një muaj më parë, 34 persona si të dyshuar për lidhje me Mosadin janë akuzuar për spiunim.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdoan e ka paralajmëruar Izraelin për pasoja serioze nëse ajo i vë në shënjestër pjesëtarët e Hamasit që ndodhen në Turqi. E kjo për shkakun se zyrtarë të inteligjencës izraelite janë zotuar se do ta vënë Hamasin në shënjestër edhe jashtë territoreve palestineze, përfshirë në Liban, Katar dhe Turqi.
Turqia dhe disa vende arabe, Hamasin nuk e njohin si organizatë terroriste.