Dy projekte në vlerë prej 140 mijë euro, të cilat përfshijnë projektin për sigurimin e deponimit të mbeturinave në Restelicë të Dragashit dhe sigurimin e një radiografie në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mamushë, u nënshkruan nga Ambasada e Japonisë dhe kryetarët e këtyre dy komunave.
Ambasadori japonez në Kosovë, Keisuke Yamanaka ka theksuar se Komuna e Dragashit do të përkrahet për ndërtimin e Deponimit të Mbeturinave dhe vendosjen e kontejnerëve për grumbullimin e mbeturinave në fshatin Restelicë.
Sipas tij, ky projekt do të përmirësojë shërbimin e grumbullimit të plehrave dhe do të kontribuojë për ta bërë qytetin më të pastër dhe më komod për të jetuar banorët e kësaj zone.
Yamanaka ka thënë se me këtë projekt do të përfitojnë rreth 4700 banorë që jetojnë në këtë fshat.
Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini derisa falënderoi ambasadorin e Japonisë në Kosovë për këtë donacion, ka theksuar se kjo iniciativë nuk paraqet vetëm mbështetje financiare për këtë komunë, por është edhe një eksperiencë profesionale për të aplikuar praktikat më të mira të popullit japonez.
Xheladini ka deklaruar se kjo mbështetje nga Japonia nuk është e para për Dragashin, për çka përmendi se para pak kohësh, kanë pranuar katër kamionë e mjete të tjera për bartjen e mbeturinave.
Projekti tjetër është sigurimin e një radiografie në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mamushë.
Ambasadori japonez ka thënë se me nënshkrimin e këtij projekti, qytetarët e Mamushës nuk do të kenë nevojë më të udhëtojnë nëpër komuna të tjera për ta bërë radiografinë, ngase QKMF-ja do të pajiset me një aparat të tillë në kuadër të Grantit Ndihmës Japonez për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore për vitin 2023.
Nga ky projekt për sigurimin e pajisjes me rreze X, pritet që të përfitojnë afro 1500 pacientë në vit.
Ndërkaq, kryetari i Mamushës, Abdulhadi Krasniç ka deklaruar se ky është nënshkrimi i projektit të parë mbështetës me Ambasadën e Japonisë, për çka shtoi se pret edhe përkrahje të tjera në fushën e arsimit, shëndetësisë e bujqësisë.
Sipas tij, është kënaqësi që përmes këtij donacioni të kenë mundësinë të njoftohen për nga afër me disiplinën dhe kulturën e njerëzve nga Japonia.