Partia Demokratike e Kosovës e ka prishur koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës. Vendimin e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, menjëherë pasi Kuvendi Komunal ka votuar për anulimin e vendimit për këmbim të pronave në Badoc.
“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Ai tutje ka thënë se për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster.
“Nën udhëheqjen e shkëlqyer të nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë ‘Prishtina na Bashkon’ e kemi përçuar edhe në qeverisjen e kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë.
Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet”, ka shkruar tutje Ismaili.
Ai ka thënë se duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, janë tërhequr nga të gjitha pozitat, për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në kryeqytet. /Kosovatimes/