Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi fjalën e tij para OKB-së duke i cilësuar si “të rreme” pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.
Ai tha se këto akuza po bëhen nga një shtet, që sipas tij, ka qeverisje autoritare.
Kurti: Serbia ka kryer gjenocid në fund të shekullit 20
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha se Serbia ka kryer gjenocid në shekullin 20.
Kurti, pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se serbët e Kosovës po persekutohen i ka quajtur ‘ironi të thellë dhe ndjenjë distopiane’.
Duke folur në Këshill të Sigurimit të OKB-së, kreu i Qeverisë së Kosovës tha e Serbia e ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20, madje sipas tij, ajo ende mbetet i njëjti shtet dhe kërcënuesi më i madh i paqes dhe i sigurisë.
“Është një ironi shumë e thellë dhe një ndjenjë distopiane për pretendime të rrejshme për persekutime nga një vend që është njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shek. 20 dhe kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e ka formuar Tribunalin e Hagës, për shkak të krimeve çnjerëzore të Serbisë te popullata civile”, tha Kurti.
Ai tha se ky Këshill ka krijuar Tribunalin e Hagës në 1993 për shkak të krimeve sipas Konventës së Gjenevës.
“Serbia ka kryer vrasje, tortura, gjymtime, gjenocid në Serbrenicë dhe Kosovë. Studiuesit kanë treguar se si përdhunimet janë përdorur si mjet lufte, madje nga kjo vuajtje Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut. Nuk kemi qenë të trishtuar, kemi ndërtuar veten në një shoqëri multietnike, që sheh përpara me një shtet solid demokratik”, tha Kurti.
Ai tha se një çerek shekulli paslufte Kosova qëndron krenare me një shoqëri për të gjithë.
“Qëndrimi i Qeverisë sonë për dinjitetin sundimin e së drejtës ka shtrënguar edhe ekonominë, që nga intervenimi i NATO-së jemi angazhuar në mënyrë aktive nga shumë aleatë për të krijuar institucione efikase”, tha kryeministri Kurti.
Kurti flet për akuzën e spastrimit etnik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu përgjigjur akuzave të Vuçiqit, tha se gjuha serbe është zyrtare kudo në Kosovë dhe buxheti për komunat ku jetojnë serbët është më i lartë krahasuar me komunat e tjera.
“Ideja që Kosova po kryen fushatë të spastrimit etnik apo përndjekje është gënjeshtër”, tha Kurti.
Kurti: BQK-ja nuk ia ndalon Serbisë të ndihmojë serbët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rregullorja e BQK-së nuk ia ndalon Qeverisë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.
“Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, rregullorja synon që të ofrojë transparencë dhe ligjshmëri sa i përket importit të parave në Kosovë, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe politikës monetare të Bashkimit Evropian.
Kurti: BQK do marrëveshje me palën serbe për dinarin
Në fjalën e tij para OKB-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Banka Qendrore e Kosovës po sigurohet mbështetja financiare për serbët në Kosovë nga Serbia të mos pengohet.
“BQK i ka dërguar një letër Bankës Popullore serbe, duke i propozuar një marrëveshje. Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar për të siguruar një tranzicion të lehtë”, tha ai.
Kurti tha se rregullorja e BQK-së nuk synon të dëmtojë asnjë grup të qytetarëve, por mbron të gjithë qytetarët e çdo etnike nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve dhe pastrimi i parave.
Kurti: Serbia me qëllim po hap frikë që të krijojë atmosferë ku nuk do pranohej marrëveshja me Kosovën
Kryeministri Kurti duke i komentuar deklaratat e presidentit serb, Vuçiq për spastrim etnik të serbëve në Kosovë, tha se nuk është aspak e vërtetë. Sipas tij, Serbia me qëllim po hap frikë që të krijojë atmosferë ku nuk do pranohej marrëveshja me Kosovën.
Ai tha se ideja që Kosova po kryen persekutim ndaj komunitetit serbë është gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata publike ndërkombëtare.
Madje, Kurti tha se PE ka miratuar një rezolutë duke i kërkuar autoriteteve serbe dhe mediave që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj kosovarëve dhe shpërndarjes së propagandës ndaj kosovarëve dhe shpërndarjes së propagandës për spastrim etnik etj.
“Vitin e kaluar Komiteti i Helsniknit, është shprehur në detaje se si Serbia përhap frikë me rrezikim e rrejshëm të serbëve në Kosovë për ta radikalizuar shoqërinë dhe për të krijuar atmosferë toksike ku marrëveshja me Kosovën do të refuzohej”, tha Kurti, duke shtuar se pretendimet që serbët po ikin nga Kosova për shkak të persekutimit nuk janë të vërteta.
“Pretendimet e rrejshme janë demantuar edhe nga iniciativa evropiane e stabilitetit nga një institut në Vjenë dhe Berlin që ka siguruar dokumente nga institucionet e Serbisë. Statistika për sigurime shëndetësore, regjistrimit në shkolla, pranuesit e pensioneve, tregon që përqindja e serbëve që jetojnë në Kosovë i përgjigjet atyre që jetojnë në serbi”, tha i pari i qeverisë së Kosovë.
Tutje sipas tij, serbët që largohen nga Kosova dhe Serbia e bëjnë për të kërkuar mundësi në Evropë jo për t’i ikur ndonjë spastrimi fiktiv etnik.
Kurti: Serbia vepron si kalë troje i Putinit në Ballkan
Kryeministri Kurti, gjatë fjalimit të tij në KS të OKB-së është ndalur edhe tek shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, duke ia përmendur Vuçiqit fshirjen nga regjistri civil të shqiptarëve në Luginë.
Madje sipas tij, regjimi autokratik serb i ka hequr nga regjistri civil mbi 4 mijë e 200 shqiptarë. “Qeveria e Serbisë sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 civil shqiptarë nga regjistri civil në Medvegjë dhe 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve, ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje në ID pasaporta, regjistrim të veturave, pensione dhe të drejta votimi. I bën ata të jenë pa shtet”, tha Kurti duke shtuar se kjo lloj fushate është metodë e depopullimit të shqiptarëve në Luginë.
Ai tha se shqiptarët atje nuk janë shënjestra e vetme e regjimit serb.
Kurti u ka kujtuar anëtarëve të KS të OKB-së se Serbia është e përafruar me Rusinë dhe se është nga shtetet e pakta që s’i ka vënë sanksione.
“Më 2 janar të këtij viti, redaksia e (gazetës angleze) Guardianit e ka përshkruar këtë si kapje të shtetit. Para pak orësh PE miratoi me shumicë votash që bën thirrje për hetim ndërkombëtar për parregullsi të zgjedhjeve… Serbia është përafruar me Rusinë, është i vetmi evropian përveç Bjellorusisë që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë. Vepron si kalë troje i Putinit në Ballkan në një luftë gjeopolitike ndaj botës demokratike”, tha Kurti.
Kurti: Nënshkrimi i marrëveshjes garanci për paqen në Ballkan
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka folur edhe për marrëveshjet që janë arritur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ai në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit, tha që është i gatshëm që të nënshkruajë marrëveshjen në OKB.
“Refuzimi i Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen, duke respektuar integritetin territorial të Kosovës, është një tregues i synimit të Serbisë për të pushtuar Kosovën”, tha Kurti.
Kurti: Terroristët serb donin që pelegrinët t’i përdornin si mburoja të gjalla
Kryeministri i Kosovës Albin Kurt në Këshillin e Sigurimit në OKB ka folur edhe për rastin Banjskës, duke thënë se grupi terrorist i Radojqiçit donte që pelegrinët e pafajshëm t’i përdorte si mburoja njerëzore në Banjskë.
Po ashtu Kurti ia ka kujtuar presidentit serb se Serbia kishte shpallë 3 ditë zie për terroristet e vrarë në Banjskë.
“Edhe 25 vite pas luftës, Serbia vazhdon me përpjekje për ta rikthyer Kosovën, një rast i qartë i kësaj ka ndodhur më 24 shator të vitit të kaluar në Banjskë, rreth 80 trupa paramilitar të organizuar edhe të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës Policisë së Kosovës duke rezultuar me vdekjen e një Polici rreshterit Afrimi Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve”, tha Kurti, duke shtuar se grupi i Millan Radojçiqit kishte për qëllim që pelegrinët e manastirit në Banjskë t’i përdorte si mburoja njerëzore.
“Përkundër përpjekjes terroriste për të përdorur edhe pelegrinët e pafajshme si mburojë njerëzore duke u përpjekur për t’i gjetur ato viktima, Policia e Kosovës i ka shmangur këto viktima”, ka thënë Kurti.