Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku, ka kërkuar shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Ai një kërkesë të tillë e ka bërë në mbledhjen Komisionit për Administratë Publikë, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku po raportojnë anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave.
“KPM e ka rrezikuar sigurinë nacionale kur ka vendosur të pezullojë vendimin, i cili ndalonte kanalet e ‘Arenasport’ nga Telekomi i Serbisë, e të cilat shfaqnin mesazhe mbështetëse për terroristët që kryen sulm ndaj Kosovës. Me të vërtetë është cenuar siguria nacionale dhe interesi i përgjithshëm i Republikës së Kosovës. Edhe ju keni qenë të bindur fuqishëm se është atakuar siguria dhe interesi i përgjithshëm në vend. Çka ndryshoi?”, ka pyetur ai dhe më pas ka kërkuar shkarkimin e Bordit të KPM-së.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Administratë Publikë, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani ka thënë se sot në mëngjes ka pranuar disa email-a nga ‘DigitAlb’ dhe Liga Premiere, në të cilat bëhet e ditur se ‘Artmotion’ nuk e ka të drejtën e transmetimit të Ligës angleze në Kosovë.
“Kam pranuar disa e-mail nga DigitAlb dhe nga Liga Premier dhe mund t’i publikojë ato email-a që t’i shohin dhe anëtarët e KPM-së. E-mail ju ka dërguar dhe kryetarit të Kuvendit. Në shkresën e Ligës Premier thuhet që Art Motion s’ka të drejtë të transmetimi ligën në Kosovë”, ka thënë Ramadani.
Deputeti nga radhët e PDK-së, njëherësh nënkryetar i Komisionit, Isak Shabani shprehu pakënaqësitë e tij për mënyrën e udhëheqjes së mbledhjes.
“Kryetari i Komisionit thotë që ka e-mail e këndej nuk i ka shpërnda tek anëtarët e Komisionit. Nuk shkon kështu. Kjo është e padrejtë. Çdo e dhënë që është tek kryetari duhet ta kenë edhe anëtarët e komisionit”, ka thënë Shabani.
Ndaj kryetarit të komisionit reagoi edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Agim Veliu: “Pikërisht për këto problematika që ju hapët në fillim kemi kërkuar që kjo mbledhje të shtyhet. I kemi marr disa materiale edhe pse me vonesë. Tash po ngritën çështje të tjera të e-mailit, e kjo s’është e nevojshme të hapen çështje të konspiracioneve, por duhet të informohen anëtarët e Komisionit. Një pjesë e anëtarëve të Komisionit janë të hendikepuar me materiale”, ka thënë Veliu.
Në anën tjetër, në pyetjet e shumta të deputetëve që po kërkojnë sqarime pse u lejuan të transmetohen kanalet e Serbisë në Kosovë, kryetari i Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë se mesazhet e publikuara në kanalet serbe në platformat e Kosovës kanë cenuar sigurinë e përgjithshme dhe kanë dëmtuar interesin nacional, por sipas tij shfuqizimi i vendimit për pezullimin e këtyre kanaleve është marrë katër muaj pasi kanë pasur edhe një letër nga “Arena”.
“Jemi ballafaquar me kërkesa direkte nga ‘Arena’, me lutjen aman rishqyrtojeni vendimin se po cenohet e drejta e një komuniteti të caktuar nga ngjarjet sportive. Kemi mekanizma të ri që garantojnë se mesazhe të tilla politike në kanalet sportive kurrë më nuk do të përsëriten. Ata japin siguri se në plotni do të respektohen Rregulloret e KPM-së. Kjo letër i është dërguar edhe ambasadave në Kosovë”, ka thënë Mehmeti.