Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Doganën, kanë parandaluar kontrabandimin e një shume të konsiderueshme të biskotave me origjinë serbe me emrin “Plazma”.
“Policia e Kosovës gjegjësisht njësia e Task Forcës -Lindje në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, gjatë zbatimit të masave për parandalim dhe luftim të kundërligjshmërisë dhe kontrabandës, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve taktike dhe operacionale në terren, me datë 16.02.2024 kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra.
Në datën e lartcekur në hyrje të fshatit Novosellë të Kamenicës është vërejtur një veturë e dyshuar me targa vendore e cila ishte duke lëvizur nga Serbia përmes fshatit Breznicë.
Gjatë kontrollit të automjetit të lartcekur i cili drejtohej nga i dyshuari mashkull është vërejtur se i njëjti kishte të ngarkuar 35 pako me gjithësejt 720 kuti të biskotave plazma, për të cilat nuk kishte asnjë dokument përkatës dhe të njëjtat ishin me prejardhje nga Serbia.
Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli i kontrabanduar është sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor – Dheu i Bardhë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. /Kosovatimes/