Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK, ka protestuar kundër vazhdimit të tenderimit të cilin ata e konsiderojnë “të paligjshëm” të këtij Departamenti, pagat e ulëta dhe kushtet e rënda për punonjësit e sigurimit fizik në KEK.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka theksuar se kërkesa e tyre është që vendimi për tenderim të shfuqizohet.
“Sot jemi këtu edhe njëherë t’u tregojmë Korporatës Energjetike të Kosovës sepse ky departament nuk është privatizua, por është huazua dhe sot e 20 vite tenderohet në mënyre të paligjshme. Edhe sot është duke u tenderuar në mënyrë të paligjshme. Kohëve të fundit kemi edhe një raport të Auditorit të Brendshëm ku tregon që nuk është në përputhje me kontratën, prandaj ne po dyshojmë se këtu ka hile dhe ka korrupsion dhe kjo është arsyeja ajo cila tenderohet edhe tashti e tutje ju bëjmë thirrje menaxhmentit të KEK-ut që ky departament i huazuar t’i kthehet në KEK-ut aty ku e ka pas vendin”, ka deklaruar Llumnica.
Edhe përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati është shprehur se janë punëtorë “të huazuar”, në kompani private në mënyrë të paligjshme nga ana e KEK-ut, për çka ka shtuar se keqpërdorimet janë shumë të mëdha.
Ai u shpreh se i jep afat KEK-ut deri në fillim në muajit të tjetër për ekzekutim të pagave, përndryshe sipas tij “nuk do të veshin më uniformat e kompanive private”.