Më 21 shkurt 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka bërë një fjalim me tone të ashpra, duke ua ka ndryshuar mendjen shumë njerëzve që kanë besuar se Rusia nuk do të nisë pushtim të shkallës së plotë në Ukrainë.
Më pak se 72 orë më vonë, raketat ruse janë nisur drejt territorit ukrainas, dhe forcat ushtarake ruse e kanë kaluar kufirin.
Sipas inteligjencës perëndimore, Putin ka besuar se Ukrainën do ta pushtojë brenda javëve, nëse jo ditëve.
Kështu nuk ka ndodhur, dhe tani lufta i ka mbushur dy vjet. A do të përfundojë në vitin e tretë?
Me siguri jo. Mirëpo një ngërç në bisedime mund të jetë mashtrues, pasi i vetëkënaqë mbështetësit e Kievit me situatën aktuale në kohën kur një faktor shumë i rëndësishëm i luftës është vënë në pikëpyetje: ndihma ushtarake e Perëndimit për Kievin.
“Është gjithmonë e rrezikshme të bëjmë parashikime, mirëpo është e vështirë të imagjinojmë se lufta do të përfundojë deri në fund të vitit 2024”, ka thënë Ruth Deyermon, ligjëruese në Departamentin për Studime të Luftës në Kolegjin King të Londrës.
“Siç janë gjërat tani, asnjëra palë nuk duket se ka kapacitet për një mposhtje vendimtare të palës tjetër. Që të arrihet diçka e tillë, duhet të ketë ndryshim rrënjësor të faktorëve të jashtëm, sidomos kur është fjala për nivelin e përkrahjes që ofron Perëndimi”, ka thënë Deyermond në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Natyrisht që më shumë mbështetje prej anës së Perëndimit do t’i ndihmojë Ukrainës që të bëjë përparim për çlirim të territorit”, ka shtuar ajo, “ndërsa një zbehje e mbështetjes së Perëndimit do të rezultojë me një Ukrainë që pajtohet me kushtet e vëna prej Rusisë në bisedimet për paqe”.
Olga Oliker, drejtore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka qenë më direkte në vlerësime.
“Nëse Ukraina mbetet pa armë dhe njerëz, po, lufta do të përfundojë vitin e ardhshëm”, ka thënë Oliker në një intervistë përmes telefonit.
“Gjithmonë ekziston mundësia që dorëzimi i njërës palë t’i japë fund luftës”, ka thënë ajo.
“Dhe nëse mbeteni pa armë dhe njerëz, nuk ekzistojnë shumë mundësi tjera”.
Zhvendosja e baticave të luftës
Situata në luftë ka ndryshuar disa herë prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Në përgjithësi viti 2022 ka qenë viti i Ukrainës, pasi e ka befasuar gjithë botën duke i mbijetuar, por edhe duke e luftuar bindshëm Rusinë rreth Kievit në javët e para të luftës.
Më vonë, forcat mbrojtëse ukrainase kanë arritur të rikthejnë pjesë të mëdha të territoreve rreth Harkivit dhe Hersonit.
Më 2023, një ofensivë e shumëpritur e Kievit, e nisur në qershor, nuk i ka prodhuar rezultatet e synuara, që të depërtohet në “korridorin tokësor” që mundëson kalimin prej territorit ukrainas në Krime, gadishullin ukrainas të pushtuar prej Moskës më 2014.
Në një intervistë të publikuar nga The Economist më 1 nëntor, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosua të Ukrainës në atë kohë, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, e ka përshkruar situatën në fushëbetejë si “ngërç” – fjalë që te disa në Ukrainë e kanë lënë shijen e disfatës, përfshirë te presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Gjërat kanë ndryahuar që atëherë, më pak në fushëbetejë, por më shumë në Uashington, pasi një lloj tjetër ngërçi atje përbën kërcënim për mbrojtjen e Ukrainës.
Rreth dy javë para deklaratave të Zuluzhniyt, të cilat mund të kenë kontribuuar në shkarkimin e tij këtë muaj, presidenti amerikan, Joe Biden, ka propozuar ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë të 60 miliardë dollarëve, kryesisht për armë.
Katër muaj më vonë, pas shumë diskutimeve e mospajtimeve në Kongresin amerikane dhe bllokadës së vënë prej republikanëve, paketa e ndihmës nuk është miratuar ende, edhe as nuk dihet se kur mund të ndodhë diçka e tillë.
Në fushëbetejë, zhurma e armëve të zjarrit në Ukrainë është duke u zbehur secilën herë që pakësohen armët, dhe situata rreth Avdivkas nuk i ngjan aspak ngërçit.
Pas shumë muajsh të luftimeve, forcat ushtarake ruse e kanë kapur këtë qytet të shkatërruar të Donbasit.
Rritje e vetëbesimit?
Sikurse në betejën e gjatë për Bahmutin, edhe fitorja në Avdivka i ka kushtuar shumë Rusisë, me humbje të numrit të ushtarëve dhe armëve.
Megjithatë, kjo fitore shkon në të mirë të presidentit rus, Vladimir Putin pak para zgjedhjeve të presidenciale të 15-17 marsit, të cilat pritet t’ia sigurojnë edhe gjashtë vjet në pushtet, dhe mund t’ia kenë rritur vetëbesimin për luftën.
Ky rezultat mund t’ia ketë hapur rrugën Moskës që të pushojë më shumë territor.
“Nëse forcat ruse vazhdojnë të avancojnë përtej Avdivkas dhe të fitojnë kontroll në rrjetin transportues, përfshirë perëndimin e Bahmutit, ato do të përbëjnë kërcënim për një lokacion më strategjik, Pokrovskin, rreth 80 kilometra larg”, ka thënë analistja ushtarake Dara Massicot, hulumtuese e lartë në Institutin për Paqe Ndërkombëtare Carnegie”, në një postim në X, të njohur më parë si Twitter, më 20 shkurt.
“Trajnimi i liderëve ushtarakë rusë dhe këndvështrimet e tyre do t’i bindin se tani është koha për realizim objektivash: njësitet ukrainase kanë mungesa të municioneve dhe numrit të ushtarëve, ndihma amerikane është duke u vonuar”, dhe Perëndimi ende nuk i ka përmbushur synimet për prodhim të municionit, ka shkruar Massicot.
“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë ndihmë ushtarake shtesë, atëherë kapacitetet ushtarake ukrainase do të përkeqësohen”, ka thënë Mark Cancian, analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington, përmes një emaili.
“Në atë situatë, pres që ata të pajtohen për një lloj armëpushimi të negociuar, që i mundëson Rusisë të pushtojë territorin e kapur”.
Ndihma ushtarake amerikane e ka përjetuar pikun në verën e kaluar me rreth 1.4 miliard dollarë në muaj, ndërsa sasia e pajisjeve ushtarake që dërgon SHBA-ja në Ukrainë do të zvogëlohet për 80-90 për qind deri në verën e vitit 2024, nëse Kongresi nuk e miraton një pako të re ndihme, ka thënë Cancian për Radion Evropa e Lirë më herët gjatë muajit.
Megjithatë, edhe nëse ndihma e pakësuar amerikane dhe faktorë tjerë çojnë në pauzë, nuk pritet të ndikojnë me dhënie fund të luftës në këtë vit.
Një arsye është që Ukraina “është tejet e fokusuar në rindërtim dhe mbrojtje kundër sulmeve të vazhdueshme ruse”, kanë thënë analistët Massicot, Micheal Kofman dhe Rob Lee në një koment të publikuar më 26 janar, për situatën në luftë, pas kundërofensivës së vitit 2023.
Sipas tyre, pavarësisht nivelit të ndihmës së Perëndimit, Kievi është i vendosur që të shmangë çfarëdo marrëveshje që do t’i çimentonte fitoret territoriale prej anës së Rusisë, qofshin ato edhe të përkohshme.
Një tjetër faktor është se pavarësisht kapjes së Avdivkës, ende është e paqartë sa thellë mund të depërtojnë forcat ruse më 2024.
Shefi ukrainas i inteligjencës, gjenerali Kyrylo Budanov, ka thënë për të përditshmen amerikane The Wall Street Journal se forcat ruse “nuk kanë forcë” për të arritur atë që e ka konsideruar synimin e tyre strategjik, për zaptim të rajoneve Donjeck dhe Luhansk – të cilat përbëjnë Donbasin – në tërësinë e tyre, këtë vit.
Ndërkohë, analistët kanë thënë se për Rusinë, mbajtja e territorit që kontrollon tani, dhe kapja e një pjese tjetër në lindje dhe jug, është vetëm njëra pjesë e planit, pasi ekzistojnë edhe ambicie tjera që kërkojnë më shumë kohë për t’u përmbushur.
“Rusia ende synon nënshtrimin e Ukrainës, dhe tani beson se është duke fituar”, kanë thënë Jack Watling dhe Nick Reynolds, analistë ushtarakë në Institutin Royal United Services, me bazë në Britani, në një koment që e kanë publikuar më 13 shkurt.
“Në kushtet për dorëzim që i propozojnë tani ndërmjetësuesit rusë përfshihet që Ukraina të heqë dorë prej kontrollit mbi territorin e pushtuar prej Rusisë, përfshirë Harkivin, në disa versione përfshihet edhe Odesa, të pajtohet që nuk do t’i bashkohet NATO-s, dhe të ketë një udhëheqës shteti të miratuar prej Rusisë”.
Rusia shpreson që të gjitha këto t’i arrijë përmes një procesi me tri faza, kanë shkruar Watling dhe Reynolds:
duke ia shteruar Ukrainës të gjitha municionet, duke e mbajtur vijën e frontit nën presion të vazhdueshëm,
“duke thyer vendosmërinë e partnerëve ndërkombëtarë për të dërguar ndihmë ushtarake në Kiev”, dhe
duke shënuar fitore në fushëbetejë, “të cilat do të mund të përdoren kundër Kievit, duke e detyruar që të kapitullojë sipas kushteve të vëna prej Rusisë”.
“Planifikimet për zbatim të këtyre objektivave tregojnë se ata parashohin që fitorja të arrihet më 2026”, kanë shkruar ata.
Pjesa më e rëndësishme e ekuacionit është që Rusisë mund t’i rriten ambiciet, dhe atë në periudhë të shkurtër.
Pas gati një çereku në pushtet, Putinit i kanë ndryshuar synimet, varësisht prej avancimeve apo kthimeve mbrapa që i ka pasur.
“Është me rëndësi që të përmendim që synimet e Rusisë mund të zgjerohen, varësisht prej suksesit”, kanë thënë analistët e RUSI-t, dhe “duke marrë parasysh që Kremlini i ka shkelur pothuajse të gjitha marrëveshjet e rëndësishme me Ukrainën dhe NATO-n, nuk ka garanci që edhe nëse Rusia i merr të gjitha ato që ka dashur prej negociatave, ajo nuk do të ndalet derisa të pushtojë gjithë Ukrainën, apo të detyrohet të përdorë forcën diku tjetër”.
Në anën tjetër, dështimi i Rusisë për të shënuar përparim substancial më 2024, do të nënkuptojë që suksesi në të ardhmen do të jetë shumë i vështirë.
Pika kyçe këtu është ndihma e Perëndimit.
“Teoria ruse e fitores është e mundshme nëse partnerët ndërkombëtare të Ukrainës dështojnë që ta furnizojnë si duhet ushtrinë ukrainase”, kanë shkruar Watling dhe Reynolds.
“Megjithatë, nëse partnerët e Ukrainës vazhdojnë të ofrojnë municione të mjaftueshme dhe trajnime mbështetëse, për t’i përballuar sulmet ruse më 2024, atëherë Rusia ka pak mundësi që të shënojë përparim të madh më 2025. Nëse Rusia nuk sheh mundësi për fitore më 2025, atëherë me vështirësi mund ta detyrojë Kievin që të kapitullojë më 2026”.
Analistë tjerë pajtohen se ajo që do të ndodhë këtë vit, do ta përcaktojë rrjedhën e luftës.
“Vendimet që merren tani do të përcaktojnë nëse ushtria ukrainase ka burime të mjaftueshme për t’i mbajtur pozicionet që ka më 2024, që t’i zmbrapsë sulmet ruse dhe të rindërtojë forcën për vitin 2025 e përtej”, ka thënë Massicot për Radion Evropa e Lirë.
“Shenjat tregojnë që luftimet do të vazhdojnë deri të paktën fillimin e vitit 2025”, ka thënë Deyermond.
“Çfarë ndodh më pas, përfshirë sa shpejt dhe në çfarë rrethane përfundon lufta, do të varen prej asaj që ndodh këtë vit”.