Policia vjeneze është në gatishmëri dhe ka nisur një hetim kundër 17 personave, të moshës nga 13 deri në 18 vjeç, mes të cilëve edhe shtetas serbë. Ata u ndaluan nën dyshimin për përdhunim dhe keqtrajtim të një vajze (12) për disa muaj, duke përfshirë dhjetëra video të realizuara me celular në të cilat shantazhonin viktimën.
Ky hetim për abuzimin seksual të të miturve është një nga rastet më tronditëse të krimit seksual në historinë e fundit kriminale, shkruajnë mediat austriake. Drama rrëqethëse e një vajze nga distrikti Favoriten i Vjenës filloi në fillim të vitit të kaluar me një romancë të padëmshme adoleshente. Fatkeqësisht, i mituri përfundoi në një spirale disa mujore dhune, kërcënimesh, shantazhesh dhe gjoja përdhunimesh e abuzimesh serike, të regjistruara në video në celular ! Përdhunime të shumta në grup (deri në tetë autorë) dyshohet se kanë ndodhur në një garazh, një apartament ose në një shkallë.
Të enjten në mëngjes, oficerët e policisë vjeneze bastisën disa apartamente dhe arrestuan 17 të dyshuar në dhomat e tyre! Dymbëdhjetë të dyshuar janë të mitur mbi 14 vjeç, një person është 19 vjeç, dy janë nën 14 vjeç dhe nuk janë penalisht përgjegjës në Austri, ndërsa identiteti i dy të dyshuarve të tjerë nuk dihet, tha Florian Finda. Gjatë arrestimit, policia sekuestroi të paktën katër celularë. Në mesin e të dyshuarve janë shtetas të Austrisë, Turqisë, Sirisë, Italisë, Bullgarisë dhe Serbisë, raporton AP.
Dyshohet se përdhunimet dhe ngacmimet kanë ndodhur në periudhën shkurt-qershor 2023 në garazhe, banesa të djemve kur prindërit nuk kanë qenë në shtëpi, shkallë dhe në një rast në dhomë hoteli si dhe në vende të tjera në Vjena.
Vajza tha se i dashuri i saj i atëhershëm e kërcënonte dhe në videot e përdhunimit në grup që u gjetën në celular, dëgjohen britma rrëqethëse dhe 12-vjeçari duke bërtitur “Stop!” pa pushim. Nga turpi dhe frika për shkak se e shantazhonin për të publikuar videot e saj, vajza heshti për ferrin që po kalonte, derisa më në fund në tetor të vitit të kaluar i tha gjithçka nënës së saj.