Në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qytetarë të shumtë kanë marrë rrugën për në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz.
Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, krerët e shtetit kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me kryeministrin Albin Kurti, bënë sot homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, me rastin e 26 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
“Kemi ardhur këtu të shprehim përkujtimin e përjetshëm për familjen Jashari. Epopeja është e krenarisë e cila ka kthyer dinjitetin e popullit dhe simbolizonë lirinë. Familja Jashari do të mbetet udhërrëfyes për të gjithë brezat”, tha presidentja Osmani
“Jemi këtu ti bëjmë nderimet tona. Në gjithë historinë tonë sakrifica e Jasharëve dhe lufta e UÇK-së përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme. Për sa kohë të ketë popull shqipar do të jetë një vend ku jo vetëm përkulemi por edhe gjejmë frymëzim”, tha kryeparlamentari
“Kthehemi këtu që të përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë. Secili duhet të vijmë në këtë vend që mos të harrojmë të kaluarën. Me përkulje dhe ndjenjë admirimi gjithmonë i jemi mirënjohjes familjes Jashari”, tha kryeministri Kurti.
Të martën Prekazi u vizitua nga shumë qytetarë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Kurse, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë solemne për Epopenë e UÇK-së.
Krasniqi:Kujtojmë me krenari sakrificën e familjes Jashari, frymëzim për ne
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me atë të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin kanë bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këtë rast, i pari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se është obligim i të gjithëve që të kujtojnë sakrificën e familjes Jashari e të frymëzohemi që të bëjmë punë të mira për shtetin.
“Sa herë që jemi në Prekaz padyshim që kemi emocione sidomos gjatë Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse këto janë datat që shënojnë kthesën më të madhe në historinë tonë. E kemi për obligim jo vetëm që ta kujtojmë me krenari sakrificën e familjes Jashari por edhe të frymëzohemi për të bërë punë të mira për shtetin tonë”, shtoi ai.
Të njëjtit po nderojnë sakrificën e rezistencën e familjes Jashari me rastin e 26 vjetorit të rënies së tyre.