Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin jorezident të Lituanisë në Kosovë, Eduardas Borisovas.
Në takim kryetari Konjufca dhe ambasadori Borisovas diskutuan për bashkëpunimin Kosovë – Lituani, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe aspiratat euro-atlantike të saj.
Kryetari Konjufca theksoi se përvoja lituaneze në fushën e integrimit euro-atlantik, por edhe në aspekte të ndryshme zhvillimore janë të mirëseardhura për Kosovën. Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit theksoi se Lituania mund të kontribuojë në shumë fusha të zhvillimit të brendshëm e gjithashtu edhe në procesin e konsolidimit të mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, nëpërmjet anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në proceset integruese euro-atlantike.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët për nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe sidomos midis dy parlamenteve, në të gjitha nivelet e tij. /Kosovatimes/