Me 22 vota për dhe tetë abstenime, Fehmi Kupina është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Ai u zgjodh pas tri raundeve te votimeve, pasi në dy raundet paraprake nuk mori votat e mjaftueshme.
Kësisoj, Kupina është rikthyer në pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, pozitë të cilën e ka mbajtur deri në qershor të vitit të kaluar si pjesë e LDK-së. Ai pas shkarkimit braktisi grupin e asamblistëve të LDK-së dhe funksionoi si i pavarur.
Në seancën e sotme ai u propozua nga grupi i asamblistëve të AAK-së. Në këtë pozitë ai e pason Pëllumb Bajqinovcin e LDK-së.
Pasi u zgjodh në pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Kupina tha se do të punojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Sveçla: Zgjedhja e kryesuesit të ri nuk i konvenon vetëm LDK-së
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kritikuar partinë në pushtet në kryeqytet, Lidhjen Demokratike të Kosovës për pamundësimin e mbajtjes së seancës, ku pritet të votohet kryesuesi i ri.
Madje, Sveçla e bëri një krahasim të situatës së sotme me atë të vitit 1990, kur regjimi serb ia pamundësoi hyrjen e delegatëve shqiptarë në Kuvend.
“Siç po e shihni jemi para një situate që s’ka ndodhur asnjëherë në Kosovë prej vitit 1999 prej pasluftës, kur të zgjedhurve të qytetarëve ju pamundësohet dhe në çdo formë u sabotohet mënyra ose procedura për mbajtën e një seance, e cila është thirrur në mënyrë të rregullt dhe konform të ligjeve të Republikës së Kosovës. Me të vërtet është shumë e dhimbshme por nuk ka analogji më të mirë se kjo që ndodhi sot me 2 korrikun e vitit 1990, kur delegatëve të Kosovës në atë kohë ju patë pamundësua hyrja në Kuvendin e Kosovës. Pak a shumë e njëjta ngjarje na ndodhi sot, përveçse neve nuk na u pamundësua hyrja, por na u pamundësua puna. Megjithatë, siç e patë procedura u zhvillua në mënyrë të rregullt. Tani jemi në fazën e përpilimit të fletëvotimeve dhe do të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryesuesit të ri”, ka theksuar Sveçla.
Ai tutje ka thënë se pavarësisht vështirësive të krijuara nga partia në pushtet, sot kryeqyteti do ta ketë kryesuesin e Kuvendit.
“Po shihet ajo që e kemi deklaruar vazhdimisht se zgjedhja e kryesuesit të ri dhe funksionalizimi i Kuvendit nuk i konvenon vetëm LDK-së dhe Përparim Ramës, sepse në këtë mënyrë ata po ikin nga llogaridhënia dhe skandalet e përditshme, me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Prishtinës. Sot do të përfundon procedura dhe sot Prishtina do ta ketë kryesuesin e Kuvendit”, u shpreh Sveçla.