Avokatja Amit Soussana është e para ish-penge e Hamasit që pohoi publikisht se ishte abuzuar seksualisht gjatë kohës që ishte duke u mbajtur peng në Gaza, me akuzat për sulme seksuale dhe tortura gjatë kohës që ishte në robëri në Gaza.
Kombet e Bashkuara në një raport kanë gjetur “informacion të qartë dhe bindës” sipas të cilit disa pengje kanë pësuar “dhunë seksuale të lidhur me konfliktin”.
Amit Soussana, një avokate izraelite, u rrëmbye nga shtëpia e saj më 7 tetor, u rrah dhe u tërhoq zvarrë në Gaza nga të paktën 10 burra, disa të armatosur. Ajo tha se disa ditë pasi që ishte zënë peng, roja e saj kishte filluar filloi ta pyeste për jetën e saj seksuale.
Soussana tha se ajo mbahej peng e vetme në dhomën e gjumit të një fëmije, e lidhur me zinxhir nga kyçi i saj i majtë. Ajo tha se nganjëherë roja hynte, ulej pranë saj në shtrat, ia ngrinte këmishën dhe e prekte.
Ajo rikujton se roja vazhdimisht e pyeste se kur do t’i vinin menstruacionet. Kur i përfundonte asaj cikli menstrual, rreth 18 tetorit, ajo u përpoq që ta dekurajonte atë duke u shtirur se kishte gjakderdhje për gati një javë.
Rreth 24 tetorit, roja, i cili prezantohej si Muhamed, e sulmoi atë, tha ajo. Herët atë mëngjes, tha ajo, Muhamedi e hapi zinxhirin e saj dhe e la atë në banjë. Pasi ajo u zhvesh dhe filloi të lahej në vaskë, Muhamedi u kthye dhe qëndroi te dera e banjos, duke mbajtur një pistoletë.
“Ai erdhi drejt meje dhe e drejtoi armën nga balli im”. kujtoi Soussana gjatë tetë orësh intervistash me “The New York Times” në mes të marsit. Pasi e goditi zonjën Soussana dhe e detyroi të hiqte peshqirin, Muhamedi e preku atë pa pëlqimin e saj, e uli në buzë të vaskës dhe e goditi përsëri, tha ajo.
Duke e mbajtur armën e drejtuar nga ajo, ai e tërhoqi atë zvarrë për në dhomën e gjumit të fëmijës, një dhomë e mbuluar me imazhe të personazhit vizatimor SpongeBob SquarePants, kujton ajo.
“Më pas ai, me armën e drejtuar nga unë, më detyroi të kryeja një akt seksual ndaj tij,” tha Soussana.
Soussana, 40 vjeçe, është izraelitja e parë që flet publikisht për sulmet seksuale gjatë kohës që ishte duke u mbajtur peng pas sulmit të kryer nga Hamasi në Izraelin jugor. Në intervistat e saj me The New York Times, të realizuara kryesisht në anglisht, ajo dha hollësi të tjera të dhunës seksuale dhe dhunë të formave të tjera që ajo pësoi gjatë kalvarit 55-ditor.
Rrëfimi personal i avokates Soussana për përvojën e saj në robëri është në përputhje me atë që ajo u tha dy mjekëve dhe një punonjësi social më pak se 24 orë pasi u lirua më 30 nëntor. Raportet e tyre për rrëfimin e saj tregojnë natyrën e aktit seksual. The New York Times u dakordua të mos zbulonte specifikat.
Soussana përshkroi se ishte mbajtur peng në më shumë se pesë lokacione, duke përfshirë shtëpi private, një zyrë dhe një tunel nëntokësor. Më vonë gjatë kohës që po mbahej peng, tha ajo, një grup rrëmbyesish e lidhën atë në hendekun midis dy divaneve dhe e rrahën. Për muaj të tërë, Hamasi dhe mbështetësit e tij kanë mohuar se anëtarët e tij kanë abuzuar seksualisht me njerëzit e mbajtur peng ose gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit. Këtë muaj, një raport i Kombeve të Bashkuara gjeti ‘informacion të qartë dhe bindës’ se disa pengje kishin pësuar dhunë seksuale dhe se kishte ‘bazë të arsyeshme’ për të besuar se dhuna seksuale ndodhi gjatë sulmit (të 7 tetorit), duke pranuar njëherësh ‘sfidat dhe kufizimet’ e ekzaminimit të çështjes.
Pasi u lirua së bashku me 105 pengje të tjerë gjatë një armëpushimi në fund të nëntorit, Soussana foli publikisht për trajtimin e saj në Rripin e Gazës pa dhënë hollësi, duke qenë e vetëdijshme për rreziqet apo problemet që kjo do të mund të shkaktonte. Kur u filmua nga Hamasi disa minuta para se të lirohej, pohoi se ishte trajtuar mirë për të mos rrezikuar lirimin e saj. Soussana tha se kishte vendosur të fliste tani për të rritur ndërgjegjësimin për gjendjen e rëndë të pengjeve që ende po mbahen në Gaza, numri i të cilëve është vlerësuar në më shumë se 100, ndërsa negociatat për një armëpushim po dështojnë.
Disa orë pas lirimit të saj, Soussana bisedoi me një gjinekologe izraelite me përvojë të gjatë, Dr. Julia Barda, dhe një punonjëse sociale, Valeria Tsekhovsky, për sulmin seksual, thanë dy gratë gjegjëse në intervista të ndara me The New York Times. Një raport mjekësor që ato prezantuan së bashku dhe në të cilin The New York Times ka pasur qasje, përmbledh shkurtimisht rrëfimin e saj.
“Amit (Soussana) foli menjëherë, rrjedhshëm dhe në hollësi, jo vetëm për sulmin e saj seksual, por edhe për shumë kalvarë të tjerë që përjetoi”; Dr. Barda tha.
Të nesërmen, më 1 dhjetor, znj. Soussana ndau përvojën e saj me një mjek nga Qendra Kombëtare e
Mjekësisë Ligjore e Izraelit, sipas raportit mjekësor të qendrës, të cilin e kaprë The Neë York Times.
Sigal Sadetzki, një profesore në shkollën e mjekësisë të Universitetit të Tel Avivit, e cili vullnetarisht po e ndihmon dhe këshillon familjen e Soussana, tha se Soussana i tregoi fillimisht asaj për sulmin seksual brenda disa ditësh pas lirimit të saj. Profesorja Sadetzki, një ish-zyrtare i lartë shëndetësore izraelite, tha se rrëfimet e zonjës Soussana kanë mbetur të qëndrueshme.
Soussana foli gjithashtu me ekipin e Kombeve të Bashkuara që publikoi raportin mbi dhunën seksuale, por The New York Times nuk ishte pati qasje në dëshminë e saj.
Një zëdhënës i Hamasit, Basem Naim, tha në një përgjigje prej 1300 fjalësh për The New York Times se ishte thelbësore që grupi të hetonte pretendimet e zonjës Soussana, por se një hetim i tillë ishte e pamundur në “rrethanat aktuale”.
Naim hodhi dyshime mbi rrëfimin e Soussana, duke pyetur pse ajo nuk kishte folur publikisht për shkallën e keqtrajtimit të saj. Ai tha se shkalla e hollësive në rrëfimin e saj e bën “të vështirë të besohet rrëfimi, përveç nëse është projektuar nga disa oficerë sigurie”.
“Për ne, trupi i njeriut, dhe veçanërisht ai i gruas, është i shenjtë,” tha ai, duke shtuar se besimet fetare të Hamasit “ndalonin çdo keqtrajtim të çdo qenieje njerëzore, pavarësisht nga gjinia, feja apo përkatësia etnike”.
Naim kritikoi The New York Times për mbulim të pamjaftueshëm të vuajtjeve palestineze, duke përfshirë raportet e sulmeve seksuale nga ushtarët izraelitë ndaj grave palestineze, të cilat kanë qenë subjekte hetimesh nga zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, grupeve të të drejtave dhe të të tjerëve. Ai tha gjithashtu se “pengët civilë nuk ishin objektivi” i sulmit dhe tha se “ne kemi deklaruar që në momentin e parë gatishmërinë tonë për t’i liruar ata”.
Në një dokument plani të Hamasit të gjetur në një fshat menjëherë pas sulmit të 7 tetorit, në të cilin ka pasur qasje The New York Times, thuhet: “Merrni ushtarë dhe civilë si të burgosur dhe pengje për të negociuar.” Video nga 7 tetori shfaq militantët e Hamasit me uniformë duke rrëmbyer civilët.
Rrëmbimi
Soussana jetonte e vetme në një shtëpi të ngushtë njëkatëshe në anën perëndimore të Kibbucit Kfar Aza. Pasi dëgjoi sirenat që paralajmëronin për sulme me raketa më 7 tetor, tha ajo, ajo u strehua në dhomën e saj të gjumit, e cila ishte njëherësh një dhomë e sigurt. Nga dhoma e saj e gjumit, Soussana dëgjonte të shtënat e sulmuesve që po afroheshin. Kibuci i vogël qëndron afërsisht 2.5 kilometra larg Gazës dhe ishte një prej më shumë se 20 fshatrave, qyteteve dhe bazave të ushtrisë izraelite të sulmuara/pushtuara atë ditë nga mijëra (sulmues) që kaluan kufirin e Gazës pak pas agimit. Rreth 1,200 njerëz u vranë atë ditë dhe rreth 250 u rrëmbyen, thonë zyrtarët izraelitë, duke nisur një luftë në Gaza që zyrtarët lokalë të shëndetësisë në Gaza thonë se ka vrarë të paktën 31,000 palestinezë.
Soussana ishte në kibuc pothuajse rastësisht. E sëmurë me temperaturë, ajo kishte qenë duke u rikuperuar një ditë më parë në qytetin e afërt të Sderotit, me nënën e saj, Mira, e cila ngulmoi që ajo të qendronte aty natën. Por, znj. Soussana shkoi me makinë në shtëpi në Kfar Aza për të ushqyer tre macet e saj, tha ajo.
Më e vogla nga tre motrat, Soussana ishte rritur në Sderot. Ajo u kualifikua si juriste në një kolegj lokal dhe punoi për një firmë ligjore të specializuar në fushën e pronësisë intelektuale. Kolegët e saj e konsideruan atë një person të zellshëm, të qetë dhe të tërhequr dhe që mbante distancë, tha në një intervistë eprori i saj, Oren Mendler. Në Kfar Azza, tha znj. Soussana, ajo rrallë përfshihej në jetën e fshatit dhe nuk ishte pjesë e grupeve lokale të WhatsApp, gjë që e la atë të pavetëdijshme/painformuar për shkallën e sulmit në kibbutz.
Në orën 9:46 të mëngjesit të asaj dite, ajo dëgjoi persona të armatosur jashtë, gjë që e bëri atë të fshihej brenda dollapit të dhomës së saj të gjumit, sipas mesazheve në grupin e familjes së saj në WhatsApp, mesazhe këto të cilat New York Times i ka parë. Njëzet minuta më vonë, telefoni i saj mbeti pa bateri.
Pak çaste më vonë, “Dëgjova një shpërthim, një shpërthim të madh,” tha ajo. “Dhe një sekondë më pas, dikush hapi derën e dollapit.”
E tërhequr zvarrë nga dollapi, tha ajo, ajo pa afërsisht 10 burra që kalonin nëpër sendet e saj, të armatosur me pushka automatike, një granatëhedhës dhe një hanxhar.
Një pjesë e shtëpisë ishte në flakë – një flakë që do të rrënonte ndërtesën.
Gjatë orës në vijim, grupi e tërhoqi zvarrë nëpër një fushë aty pranë për në Gazë. Pamjet e sigurisë nga një fermë solare pranë kibucit, të cilat qarkulluan gjerësisht në internet, shfaqin grupin duke u përpjekur që ta rrëzoni në tokë ndërsa përpiqeshin ta nënshtruar. Në një çast, një rrëmbyes e ngriti atë dhe e hodhi në shpinën e tij. Videoja e shfaq atë duke u hedhur aq fort në ajër, me këmbët e saj duke u përplasur në ajër, sa që burri u rrëzua në tokë.
“Nuk doja t’i lija të më çonin në Gaza si objekt, pa rezistencë”, tha znj. Soussana. “Vazhdoja të besoja se dikush do të vinte dhe do të më shpëtonte.”
Abuzuesi
Rrëmbyesit u përpoqën ta frenonin duke e rrahur dhe duke e mbështjellë me një pëlhurë të bardhë, tregon video. Në pamundësi për ta nënshtruar, sulmuesit u përpoqën dhe nuk arritën ta bartnin atë me biçikletë, tha ajo. Në fund, ata ia lidhën asaj duart dhe këmbët dhe e tërhoqën zvarrë nëpër tokën bujqësore me gunga në Gaza, tha ajo.
Ajo ishte plagosur rëndë, me gjakderdhje të rëndë, me buzë të çara, tha ajo. Raporti spitalor i përgatitur menjëherë pas lirimit të saj thoshte se ajo u kthye në Izrael me fraktura në syrin e djathtë, faqe, gju dhe hundë dhe mavijosje të rënda në gju dhe në shpinë. Raporti thoshte se disa lëndime kishin të bënin me rrëmbimin e saj më 7 tetor, duke përfshirë grushta në syrin e saj të djathtë.
Pasi arriti pranë Gazës, tha Soussana, ajo u fut në një makinë në pritje dhe e çuan disa qindra metra në periferi të qytetit të Gazës. Asaj iu zgjidhën duart e këmbët, e veshën me uniformë paraushtarake dhe e bartën në një makinë tjetër të mbushur me militantë me uniformë. Një kapuç ishte vendosur mbi kokën e saj, megjithëse ajo ende mund të kapte pamjet e mjedisit të saj nga poshtë saj, tha ajo.
Pas një udhëtimi të shkurtër, atë e lëvizën me shpejtësi shkallëve drejt një çatie, tha ajo.
Pasi iu hoq kapuçja, tha Soussana, ajo e gjeti veten në një objekt të vogël të ndërtuar në çatinë e asaj që më vonë do të kuptonte se ishte një shtëpi private luksoze. Ajo kujtonte se si militantët ishin të zënë duke marrë më shumë armë nga një kuti. Më pas personat e armatosur zbritën me shpejtësi poshtë, dhe ajo mbeti vetëm, përballë një muri, me një burrë që tha se ishte pronari i shtëpisë dhe e quajti veten Mahmud, kujton ajo.
“Pas disa minutash, ai tha se mund të ktheja kokën,” tha Soussana. “Dhe unë u trondita”, shtoi ajo.
“E gjej veten ulur në një shtëpi në Gaza.” Ajo tha se Mahmudit shpejt iu bashkua një burrë më i ri, Muhamedi. Ajo e kujtonte Muhamedin si një burrë topolak, tullac, me gjatësi mesatare me hundë të gjerë.
Më vonë atë ditë, ata e veshën atë me një rrobë të trashë kafe që mbulonte trupin e saj, tha ajo. I dhanë tri pilula, për të cilat thanë se ishin qetësues. Ishte e vetmja herë që ajo kujton se ka marrë ndonjë lloj bari në Gaza, e lëre më trajtim mjekësor.
E pajisur me një fen dhe një televizor, dhoma dukej se ishte përgatitur për ardhjen e saj, tha ajo. Ishin tre dyshekë, tha ajo, një për të dhe dy për rojet.
Në fillim të mbajtjes së saj peng, rojet e saj ia lidhën kyçin e këmbës me zinxhir në kornizën e dritares, tha ajo. Rreth 11 tetorit, tha ajo, ajo u bart me zinxhir në një dhomë gjumi në katin e poshtëm. Ajo e kuptoi se i përkiste njërit prej djemve të Mahmudit dhe se familja e tij ishte zhvendosur në një vend tjetër.
Zinxhiri u rilidh në dorezën e derës, tha ajo, pranë një pasqyre. Për herë të parë që nga kapja e saj, ajo mundi të shihte se si dukej.
“Pashë zinxhirët dhe pashë që fytyra ime ishte e ënjtur dhe mavijosur,” tha ajo.
“Dhe sapo fillova të qaj,” tha ajo. “Ky ishte një nga momentet më të turpshme të jetës sime.”
Burgu
Për dy javë e gjysmë në tetor, tha znj. Soussana, ajo ruhej ekskluzivisht nga Muhamedi. Ajo kujtoi se dhoma ishte pothuajse përgjithmonë e mbuluar nga errësira. Perdja zakonisht mbyllej dhe kishte ndërprerje të energjisë elektrike për pjesën më të madhe të ditës, tha ajo.
Ajo tha se Muhamedi flinte jashtë dhomës së gjumit, në dhomën e ndenjes ngjitur, por shpesh hynte në dhomën e gjumit me të brendshme, duke e pyetur për jetën e saj seksuale dhe duke i ofruar masazh trupit të saj.
Kur e çoi në banjë, tha Soussana, ai refuzoi ta linte të mbyllte derën. Pasi i dha pecetat higjienike, Muhamedi dukej veçanërisht i interesuar për kohën e menstruacioneve, tha ajo. Ajo tha se ai kishte folur në një përzierje të anglishtes dhe arabishtes bazë; ajo kishte mësuar pak arabisht në shkollë dhe familja e nënës së saj – hebrenj nga Iraku – kishin folur arabisht ndonjëherë gjatë fëmijërisë së saj.
“Çdo ditë, ai pyeste: “A të ka ardhur cikli menstruar? A të ka ardhur cikli menstrual? Kur të kesh menstruacionet, kur të mbarojnë, do të lahesh, do të bësh dush dhe do të lash rrobat”, kujton Soussana.
Kur i erdhi cikli menstrual, tha znj. Soussana, ajo ishte e rraskapitur, e frikësuar dhe e kequshqyer; menstruacionet i zgjatën vetëm një ditë. Ajo arriti ta bindë atë se menstruacionet e saj vazhduan për gati një javë, tha ajo.
Ajo u përpoq të humanizohej në sytë e tij duke e pyetur për kuptimin e fjalëve arabe që dëgjoi në televizion. Ajo gjithashtu premtoi se familja e saj do ta shpërblente financiarisht nëse do të kthehej në Izrael pa ndonjë dëm të mëtejshëm, tha ajo.
Pasditeve, dy bashkëpunëtorë të Muhamedit i bashkoheshin në apartament, duke i sjellë shujtë të gatuar, tha ajo. Një pjesë e këtij ushqimi i jepej si shujtë ditore.
Sulmet izraelite në lagje u bënë më të shpeshta dhe të frikshme, tha znj. Soussana, duke vënë në dukje se disa thyen xhamat. Ndërsa bombardimet u intensifikuan, tha ajo, ajo filloi të ndjente keqardhje për civilët, duke pyetur veten pse Hamasi nuk kishte ndërtuar kurrë streha për bomba për njerëzit e tij.
“Unë bashkëndjeva për ta,” tha znj. Soussana. “Vetëm mendoni të rriteni kështu – është e frikshme.”
Sulmi
Herët në mëngjesin e sulmit, tha ajo, Muhamedi ngulmoi që ajo të bënte dush, por ajo refuzoi, duke thënë se uji ishte i ftohtë. I papërmbajtur, ai ia hoqi zinxhirin zonjës Soussana, e solli në kuzhinë dhe i tregoi një tenxhere me ujë që vlonte në stufë, tha ajo.
Pak minuta më vonë, ai e solli në banjë dhe i dha ujin e ngrohur për ta derdhur mbi vete, tha ajo.
Pasi u la për disa minuta, ajo dëgjoi përsëri zërin e tij nga dera, tha ajo.
“”Shpejt, Amit, shpejt,” kujtoi fjalët e tij. “U ktheva dhe e pashë atë duke qëndruar atje,” tha ajo. “Me armë.”
Asaj iu kujtua se kishte zgjatur dorën për një peshqir dore për t’u mbuluar ndërsa ai po afrohej drejt saj dhe e goditi.
“Ai tha, ‘Amit, Amit, hiqe atë’, kujton ajo. “Më në fund, e hoqa atë.”
“Ai më uli në buzë të banjës. Dhe mbylla këmbët. Dhe unë rezistova. Dhe ai vazhdoi të më godiste me grusht dhe të më vuri armën në fytyrë”, tha znj Soussana. “Pastaj më tërhoqi zvarrë në dhomën e gjumit.”
“”Shpejt, Amit, shpejt,” kujtoi ajo fjalët e tij.
Në atë çast, Muhamedi e detyroi atë të kryente një akt seksual ndaj tij, tha znj. Soussana. Pas sulmit, Muhamedi doli nga dhoma për t’u larë, duke e lënë zonjën Soussana të ulur lakuriq në errësirë, tha ajo.
Kur ai u kthye, ajo e kujtoi atë duke treguar pendim, duke thënë: “Unë jam i keq, unë jam i keq, të lutem mos i trego Izraelit”.
Atë ditë, Muhamedi u kthye vazhdimisht për t’i ofruar ushqim, tha znj. Soussana. Duke qarë në shtrat, ajo fillimisht hodhi poshtë ofrimin e ushqimit, tha ajo.
Duke e ditur se znj. Soussana vuante shumë për ca rreze të diellit, tha ajo, ai nuk pranoi të hapte perdet, duke e lënë dhomën në errësirë. Duke i kërkuar dëshprimisht rrezet e diellit, ajo pranoi ushqimin, duke besuar se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të qetësonte dhunuesin e saj.
“Nuk mund të durosh ta shikosh atë – por nuk kisha zgjidhje tjetër: Ai është ai që po të mbron, ai është roja juaj,” tha ajo. “Ju jeni aty me të dhe e dini se çdo moment mund të ndodhë sërish. Ju jeni plotësisht të varur prej tij.”
Izraelitët
Soussana tha se rrëmbyesit e saj e larguan atë nga kufiri pas një bombardimi të madh prej disa orësh gjatë natës. Bazuar në shkallën e shpërthimeve dhe fragmenteve që kapi në televizion, ajo më vonë arriti në përfundimin se ishte afërsisht fillimi i pushtimit tokësor të Izraelit në Gaza të premten, më 27 tetor.
Të nesërmen, ajo u fut me nxitim në një makinë të vogël të bardhë, tha ajo. Shoferja u nis në jugperëndim drejt asaj që më vonë do t’i thuhej se ishte qyteti qendror Nuseirat. “Muhamedi po qëndronte ulur në sediljen e pasme pranë meje dhe me armën e drejtuar nga unë,” tha ajo. Makina ndaloi jashtë asaj që dukej si një shkollë e Kombeve të Bashkuara dhe znj. Soussana u fut në një rrugë të frekuentuar, kujtoi ajo.
Ajo tha se i ishte lënë një burri që u prezantua si Amir. Ai e ngjiti atë në shkallët e një blloku apartamentesh aty pranë dhe në një shtëpi tjetër private, tha ajo.
Për herë të parë pas disa javësh, ajo ishte e lirë nga Muhamedi – por e tmerruar që po hynte në një tjetër të panjohur. “Oh, Zot,” kujtoi ajo duke e pyetur veten se çfarë po e prisje. “”Çfarë do të ndodhë me mua?”
Burri e futi atë në një dhomë gjumi dhe mbylli derën pas saj, kujton ajo. Brenda, ajo gjeti dy vajza të reja duke luajtur letra, pranë një burri të moshuar të shtrirë në një shtrat dhe një gruaje të moshuar të ulur në një karrige, tha ajo Soussana kishte veshur rroba tradicionale nga Gaza, kujton ajo. “Ata po më shikonin dhe unë i shikoja për gjysmë minute,” tha ajo. “Pastaj pyeta: “A jeni ju izraelitë?”
“A je izraelite?” Soussana iu kujtua një nga gratë që u përgjigj.
Tunelet
Tri javë pas rrëmbimit të saj, znj. Soussana ishte bashkuar me katër pengje të tjerë. Duke i përqafuar, Soussana shpërtheu në lot, tha ajo. Identiteti i katër të tjerëve u nda me The Neë York Times me kushtin që emrat e tyre të mos përdoren për të mbrojtur ata që ende po mbahen peng.
Pak ditë pas mbërritjes së saj, ajo u thirr në dhomën e ndenjes së banesës, kujton Soussana. Amir shpesh luante këtu me fëmijët e tij.
Atë ditë, rojet ia mbështollën kokën me një këmishë rozë, e detyruan të ulej në dysheme, e prangosën dhe filluan ta rrahin me kondakun e armës, tha ajo.
Pas disa minutash, ata përdorën shirit ngjitës për të mbuluar gojën dhe hundën e saj, i lidhën këmbët dhe i vendosën prangat në kyç të dorës, tha ajo. Më pas ajo u lidhur, duke u varur “si një pulë” në një shkop që shtrihej midis dy kolltuqeve, duke i shkaktuar asaj dhimbje të tillë sa ndjeu se duart e saj së shpejti do të shkëputeshin.
Ata vazhduan ta rrihnin dhe shkelmonin, duke u përqendruar në shputat e këmbëve të saj, ndërsa njëkohësisht kërkonin informacion që besonin se ajo fshihte prej tyre, tha znj. Soussana.
Ajo ende nuk e kupton se çfarë saktësisht donin apo pse mendonin se ajo po fshihte diçka, tha ajo. Në një çast, roja kryesore solli një gozhdë dhe bëri sikur donte të shponte syrin e saj me të, ndërsa ajo mezi ia doli që të tërhiqej prapa, tha ajo.
“Kjo zgjati për 45 minuta apo më shumë,” tha ajo. “Ata më goditën, qeshnin dhe shkelmonin, dhe i thirrën pengjet e tjera që të më shihnin,” tha ajo.
Soussana kujtoi se rrëmbyesit e zgjidhën dhe e kthyen në dhomën e gjumit, duke i thënë se kishte 40 minuta kohë për të dhënë informacionin që dëshironin ose përndryshe do ta vrisnin. Ajo tha se një nga gratë e reja ishte aq e frikësuar sa e pyeti zonjën Soussana nëse kishte ndonjë mesazh të fundit për familjen e saj.
Në mes të nëntorit, pengjet u ndanë: Dy gratë më të reja u dërguan në një vend të panjohur, tha ajo, ndërsa Soussana dhe çifti i moshuar u çuan në një shtëpi të rrethuar nga toka bujqësore.
Ata gjetën shtëpinë plot me persona të armatosur, të cilët i urdhëruan të uleshin në dysheme. Papritur, gruaja e moshuar filloi të bërtiste, tha Soussana.
Gruaja po e shikonte një shufër që zbriste në tokë, tha znj. Soussana. “Dëgjoja një nga shoferët duke i thënë asaj: ‘Mos u shqetëso, mos u shqetëso. Është një qytet atje poshtë.”
“Atëherë e kuptova,” tha znj. Soussana. “Ne po shkonim në tunele.”
Lirimi
Një shkallë, disa shkallë dhe një sërë kalimesh të ngushta të pjerrëta i çuan tre pengjet thellë nën tokë, tha ajo.
Ndërsa po arrinin në fund, rojet thanë se ishin 40 metra thellë, diçka që ata shpresonin se do t’i
qetësonte pengjet, ajo tha: Bombat izraelite nuk mund t’i godisnin atje.
Soussana tha se një person shtatlart, I armatosur e me maskë po i priste në fund. Fillimisht ai filloi t’u bërtiste duke u thënë se Izraeli i kishte vrarë familjen, tha ajo, por më pas u ndal me shpejtësi, hoqi maskën dhe foli me një ton tjetër.
Ajo tha se burri u prezantua në anglisht me emrin Xhihad dhe u tha atyre se babai i tij kishte punuar në Izrael dhe madje kishte shtruar darkë për shefin e tij izraelit, në vitet kur civilët izraelitë mund të hynin ende në Gaza. Ndonjëherë ai fliste në hebraisht. Xhihadi tha se kishte mësuar ca fjalë në gjuhën hebraike përmes televizionit izraelit dhe i këndoi një këngë të famshme që e kishte dëgjuar në një shfaqje për fëmijë, kujtoi Soussana.
“Unë u trondita,” tha znj. Soussana. “Papritmas, ai ishte djali më human që takuam atje.” Toka dridhej sa herë që një raketë godiste aty pranë, duke e bërë atë të frikësohej se mund të varroseshin të gjallë, tha ajo. Tunelet ishin të errëta, të lagështa dhe shumë të ngushta që dy persona të kalonin bashkë. Dhe qelia e tyre nëntokësore kishte aq mungesë ajri saqë ata kishin mbetur të trullosur dhe gulçonin pasi bënë disa hapa, tha ajo.
Trupat izraelite më vonë do të pushtonin dhe fotografonin tunelin. Soussana identifikoi pëlhura dhe dyshekë në foto.
Rrëmbyesit e tyre kalonin pak më shumë se një orë në ditë në tunel, duke u ngjitur në nivele më të larta gjatë natës për ajër të pastër, tha znj. Soussana. Pengët iu lutën rojeve që t’i sillnin edhe ata. Pas disa ditësh, rrëmbyesit u dorëzuan, i nxorën përsëri në sipërfaqe dhe i çuan në një shtëpi tjetër private, tha Soussana.
Ata ishin ende aty kur Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një marrëveshje pengjesh dhe një armëpushim të përkohshëm, i cili hyri në fuqi të premten, më 24 nëntor. Të nesërmen, tre pengjet u dërguan në një zyrë në qytetin e Gazës – objekti përfundimtar i ndalimit të zonjës Soussana.
Çdo ditë sillte shpresë dhe zhgënjim. Asnjëherë nuk ishte e qartë se cilët pengje do të liroheshin, apo kur.
Të enjten, më 30 nëntor, që doli të ishte dita e fundit e plotë e armëpushimit, rojet po bënin drekën kur njëri prej tyre mbaroi një telefonatë dhe iu drejtua Soussana.
Ai thotë: ‘Amit. Izraeli. Ti. Një orë”, kujton Soussana.
Brenda një ore, tha Soussana, ajo u nda nga pengu më në moshë dhe u mor me makinë përmes qytetit të Gazës. Makina ndaloi dhe një grua me hixhab u ngjit brenda. Ishte një tjetër penge izraelite: Mia Schem, e cila gjithashtu po lirohej.
Ata u dërguan në një kantier mbeturinash, kujton znj. Soussana. Rreth tyre, tha ajo, rojet e tyre i ndërruan rrobat civile në uniforma.
Më në fund, dy gratë u çuan në Sheshin e Palestinës, një shesh i madh në zemër të qytetit të Gazës, ku një turmë e egër priste t’i shihte t’i dorëzoheshin Kryqit të Kuq. Videoja e medieve shoqërore tregoi se Hamasi u përpoq të kontrollonte masën që po shikonte nga afër, të cilët rrethuan makinën, po shtypeshin pas dritareve të saj dhe në një çaast filluan të tundnin automjetin, tha Soussana.
Pas disa minutash të tensionuara, zyrtarët e Kryqit të Kuq arritën t’i bartnin gratë në xhipin e tyre. Teksa iu afruan kufirit izraelit, një zyrtare e Kryqit të Kuq i dha një telefon Soussana. Një person që tha se ishte ushtar e përshëndeti atë në hebraisht.
“Ai tha: “Edhe disa minuta dhe ne do të shkojmë t’ju takojmë,” tha Soussana. “Më kujtohet, fillova të qaj”.