Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se pasditen e së enjtes e ka kaluar tek familja e Vasfije Krasniqit–Godman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në një postim në Facebook Kurti ka thënë se ia ka shprehur asaj sërish mirënjohjen më të thellë për guximin dhe përkushtimin e saj që t’i jep zë të vërtetës.
“Kënaqësi e veçantë që këtë mbrëmje ta kaloj në familjen e Vasfije Krasniqi Goodman. Vasfijes ia shpreha sërish mirënjohjen më të thellë për guximin dhe përkushtimin e saj që t’i jep zë të vërtetës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur për të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Përkrahja e pakushtëzuar institucionale dhe shoqërore është e domosdoshme për të larguar heshtjen që mveshë këtë krim, këtë armë lufte të përdorur nga Serbia”, ka shkruar tutje Kurti. /Kosovatimes/