Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se, sipas rregullave, të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë gjyqësore me përjashtim të disa rasteve.
Ai theksoi se edhe në rastet kur merret leje për mospraninë fizike në sallë, të akuzuarit nuk japin ndonjëherë arsyetime për këtë gjë.
“Kur marrin leje për të mos qenë të pranishëm nuk ka ndonjëherë arsyetim se pse nuk janë të pranishëm. Të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligji dhe nga rregullorja”, deklaroi kryetari i trupit gjykues.
Smith III tha se duhet të plotësohen disa kushte që të urdhërohet që gjykimi të bëhet pa praninë e të akuzuarve.
“Sigurisht që trupi gjykues mendon që të akuzuarit ndonjëherë mund të mos jenë të pranishëm nëse lind nevoja dhe këtë mund ta bëjnë përmes avokatit të tyre. Rregulla 168, pika 4, thotë: Kur të akuzuarit nuk duan të paraqiten, atëherë trupi gjykues mund të urdhërojë që gjykimi të bëhet pa praninë e të akuzuarve, por duhet të plotësohen disa kushte për këtë. Kërkesat që ne marrim këtu, nuk janë më shumë refuzime, por më shumë parapëlqime të të akuzuarve ta ndjekin gjykimin përmes videolidhjes. Sigurisht kur ka arsye të vlefshme kjo lejohet dhe ne e kuptojmë që prania e të akuzuarve mund të mos jetë e nevojshme kur edhe dëshmitari është përmes video-lidhjes apo kur në sallën e gjyqit do të diskutohen aspekte që nuk lidhen drejtpërdrejt me dëshmitarët”, tha ai.
Pas kësaj, kryegjykatësi Smiith III dha një urdhër me gojë lidhur me këtë aspekt që evitojnë situata të tilla.
“Urdhërojmë që të gjitha kërkesat, për të mos marrë pjesë në sallën e gjyqit, gjatë gjykimeve të kenë një arsyetim të kënaqshëm pse të akuzuarit nuk do të jenë të pranishëm. Pra, të kenë arsyeje të vlefshme. Leje të tilla duhet t’i paraqiten trupit gjykues brenda 24-orësh para gjykimit, përndryshe nuk do të lejohen të tilla situata më”, deklaroi gjyqtari Smith III.
Ndërkaq, dëshmia e dëshmitarit të ditës së sotme është mbajtur në seancë të mbyllur.