By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Kosova TimesKosova Times
Notification Show More
Latest News
Si po u merret prona ukrainasve në Krime
May 17, 2025
Dy helikopterë u përplasën në Finlandë, biznesmenë nga Estonia humbën jetën
May 17, 2025
Presidentja Osmani bën thirrje të votohet ‘Zjerm’ e Shkodrës Elektronike
May 17, 2025
Çelësa fikës u gjetën në panelet diellore kineze të shitura në SHBA
May 17, 2025
Kaos mbeturinash në kryeqytet, Komuna e ‘Pastrimi’ fajësojnë njëra-tjetrën
May 17, 2025
Aa
  • Ballina
  • Politikë
    • Lajme
    • Tema
    • Gjeopolitikë
    • Opinion
  • Rajon / Botë
  • Ekonomi
    • Lajme
    • Tema
    • Financa
    • Turizëm
    • Bujqësi
  • Kulturë
    • Lajme
    • ShowBiz
    • Moda
  • Shëndetësi
  • Sport
  • Hi-tech
    • Teknologji
    • Shkencë
Reading: “Edhe ne jemi çikat e Kosovës” – Vajza rome nga Prizreni lufton paragjykimet
Share
Aa
Kosova TimesKosova Times
Search
  • Home
    • Home News
    • Home 2
    • Home 3
    • Home 4
    • Home 5
  • Categories
  • Bookmarks
    • Customize Interests
    • My Bookmarks
  • More Foxiz
    • Blog Index
    • Sitemap
Have an existing account? Sign In
Follow US
Kosova Times > Blog > Politikë > Lajme > “Edhe ne jemi çikat e Kosovës” – Vajza rome nga Prizreni lufton paragjykimet
Ballina 1Lajme

“Edhe ne jemi çikat e Kosovës” – Vajza rome nga Prizreni lufton paragjykimet

Kosova Times
Last updated: 2024/04/08 at 3:35 PM
Kosova Times Published April 8, 2024
Share
SHARE

Prej njërës dritare të shkollës e nëpër rrugët e shtruara me kalldrëm të Prizrenit, atëkohë pesëvjeçarja Gynesh Veshall kishte ikur nga një orë mësimore në një ditë të vitit 2005.

“Ajo [një nxënëse tjetër] më ngacmonte vazhdimisht. Mua më dukej se ma bënte veç pse jam e komunitetit rom”, kujton Gyneshi.

Cak e kishte zyrën e dajës së saj, të cilin e përshkruan si aktivist për të drejtat e komunitetit rom në Kosovë.

“Kam shkuar edhe i kam thënë dajës ‘hajde përlaju me të, sepse ajo nuk po i do romët’”, thotë ajo.

Në atë kohë, Gyneshi thotë se përshkruhej si një vajzë e imtë dhe e vogël në trup. Por, imtësia në pamjen e jashtme nuk reflektonte atë që ajo kishte brenda vetes.

Foto e vjetër nga fëmijëria e Gynesh Veshallit.
Foto e vjetër nga fëmijëria e Gynesh Veshallit.

E njohur me nofkën “sakicë”, atë e karakterizon edhe tani, si 23-vjeçare, shpirti luftarak.

“Jam lodhur nga ajo që gratë e vajzat rome po etiketohen me fenomene negative, si martesat e hershme apo braktisja e shkollave. Ia kam vendosur vetes një qëllim: do t’i promovoj gratë rome, kontributin e tyre dhe do të bëhem zë për to”, thotë Gyneshi për Radion Evropa e Lirë.

Prizrenasja kishte filluar të punonte për realizmin e këtij qëllimi rreth gjashtë vjet më parë, me idenë e saj për t’i dokumentuar kontributet e grave rome në fushën e kulturës dhe artit.

Si aktore në Teatrin “Nexhip Menekshe” në Prizren që nga mosha tetëvjeçare, Gyneshin e kishin nxitur dy mendime: që një ditë edhe kontributi i saj mund të harrohet dhe nga inati se, edhe kur flitet për arritjet e komunitetit rom, fokusi është te burrat.

Gynesh Veshall, e ulur në ambientet e teatrit Nexhip Menekshe në Prizren.
Gynesh Veshall, e ulur në ambientet e teatrit Nexhip Menekshe në Prizren.

Kështu, në nëntor të vitit 2023, Gyneshi nisi të intervistonte gra rome që kishin kontribuar në fushën e kulturës e artit që nga viti 1970 në Kosovë. Ajo arriti t’i dokumente sukseset e gjithsej 48 grave, ndërsa u fokusua në jetët e dhjetë prej tyre.

“Mesazhi kryesor që kam dashur ta përçoj, është të tregoj që edhe gratë rome kanë dhënë kontribut në kulturën kosovare. Kam dashur ta jap mesazhin që edhe ne bëjmë gjëra të mira, që edhe ne kemi vlerat tona dhe jemi histori suksesi”, tregon ajo.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në Kosovë jetojnë gati nëntë mijë romë. Numri i vërtetë besohet se është më i madh, por regjistrimi në atë kohë ishte bojkotuar pjesërisht nga pjesëtarët e këtij komuniteti.

Fenomenet negative, për të cilat flet Gyneshi, janë dukuri të cilat i vënë në dukje edhe organizata ndërkombëtare dhe shtetet perëndimore: jetesën e shumë pjesëtarëve të këtij komuniteti në kushte të vështira financiare, me shkallë të ulët punësimi, që ka çuar edhe në fenomene si martesat e hershme, braktisja e shkollave dhe dalja në rrugë për të kërkuar lëmoshë.

Libri i Gyneshit, i titulluar “Meloditë e Rezistencës”, u publikua më 6 mars, rreth një muaj para Ditës Ndërkombëtare të Romëve që shënohet çdo vit më 8 prill.

Gyneshi kishte menduar e stërmenduar çdo detaj të librit.

Në kopertinën e librit janë ilustruar dhjetë fustane për të simbolizuar dhjetë gratë e intervistuara më detajisht në libër. Fustanet janë të rreshtuara në formë rrethi, në shenjë të rrotës që është simbol i komunitetit rom. Fustanet në fund janë të ngjyrosura me të verdhë e të kaltër, si ngjyrat në flamurin e Kosovës.

Kopertina e librit "Meloditë e Rezistencës" të Gynesh Veshallit.
Kopertina e librit “Meloditë e Rezistencës” të Gynesh Veshallit.

Edhe pas publikimit, Gyneshi tregon se ka marrë dhjetëra telefonata nga njerëz, të cilët i tregojnë për gra të tjera rome dhe për sfidat që ato i kanë kaluar.

“Krejt ato sfida, zhurma, avokime që i kanë bërë ato në të kaluarën, mua më janë bërë tash si melodi që të shkruaj për rezistencën e tyre”, thotë Gyneshi.

Një nga një, me buzëqeshje në fytyrë, ajo tregon se si gratë që ka intervistuar kishin thyer tabu duke kënduar, vallëzuar e aktruar në skena, përkundër traditave që nuk lejonin gjëra të tilla.

“Kemi shumë gra që me vite nuk janë martuar, për shkak të teatrit e aktiviteteve të tyre, kanë vdekur në atë rrugë… Pse mos t’i përmendim?! A nuk është kjo rezistencë?!”, pyetet Gyneshi.

Meqë edhe vetë ka ecur në këpucët e grave që ka intervistuar, prizrenasja thotë se nuk ishte lodhur aspak gjatë gjithë procesit. Për herë të parë, thotë ajo, ka arritur të ndihet krenare me veten.

“Në atë moment që kam shkelur dërrasat e teatrit, në atë moment e kam nisur një revolucion në jetën time. Ajo ka qenë etapa e parë e jetës time, etapa e dytë nisi kur fillova të punoj në këtë libër”, shprehet ajo.

Gynesh Veshall, duke inskenuar një pjesë të rolit të saj në një shfaqje në teatrin Nexhip Menekshe në Prizren.
Gynesh Veshall, duke inskenuar një pjesë të rolit të saj në një shfaqje në teatrin Nexhip Menekshe në Prizren.

Ajo ndihet krenare që është pjesë e Teatrit rom “Nexhip Menekshe” në Prizren, pasi që thotë se ky teatër ka shërbyer gjithnjë për të ngritur tematika të rëndësishme për komunitetin.

Këtë e kishte bërë edhe Gyneshi para dy vjetësh, duke iniciuar një dramë për të drejtat e grave, e që më vonë ishte rishfaqur disa herë nëpër Kosovë.

Nën titullin “Rrëfimet e grave”, Gyneshi kishte aktruar një rol në shfaqjen që shpërfaqte dhunën, vrasjen dhe shtypjen që përjetojnë shumë gra në Kosovë.

“Kemi tekste si shuplaka. Unë aty [gjatë shfaqjes ‘Rrëfimet e grave’] e kam ndier që po më del shpirti prej gojës. A kam parë burra duke qarë? Qaq. Secila fjalë e jona ka qenë si shuplakë për ta”, tregon Gyneshi.

Ajo nuk dëshiron të njihet si aktiviste vetëm për të drejtat e grave rome. Tematikat që ajo i shtjellon, si në shfaqjen “Rrëfimet e grave”, prekin gratë e çdo komuniteti etnik në Kosovë.

“Ne duhet të kapemi dorë për dore. Edhe ne që jemi vajzat e komunitetit rom, edhe ne jemi vajzat e Kosovës, gratë e Kosovës”, thotë Gyneshi.

Gyneshi di të komunikojë me shumë prej komuniteteve etnike në Kosovë. Ajo, përveç gjuhës rome e gjuhës shqipe, ka mësuar të komunikojë edhe në gjuhën turke e angleze, ndërsa thotë se e kupton edhe gjuhën boshnjake.

Përderisa thotë se në vitet e para të shkollës fillore ishte ngacmuar për shkak të etnisë së saj, tani shton se përballet me komente keqardhjeje për përkatësinë e saj etnike.

“Më thonë ‘Qysh bre ti e komunitetit rom? Gjynah!’. Unë u them që jam e komunitetit rom, u tregoj ku e kam shtëpinë. Ata mendojnë që po bëj hajgare. Por, unë e bërtas, e deklaroj veten që unë jam rome”, thotë Gyneshi.

Tani, ajo shpreson që fëmijët e tjerë të mos përballen më me diskriminim dhe shpreson që do të ketë edhe të tjerë të rinj që punojnë për ta ndryshuar mënyrën se si shihet komuniteti rom në Kosovë.

“Atë që po e shoh të nevojshme, momentalisht, është që të ketë fushata nga të rinjtë, të ketë dokumentime të tilla. Unë e kam bërë këtë herë për fushën e kulturës, le ta bëjë dikush për atë të arsimit…”, përfundon Gyneshi.

You Might Also Like

Presidentja Osmani bën thirrje të votohet ‘Zjerm’ e Shkodrës Elektronike

Kaos mbeturinash në kryeqytet, Komuna e ‘Pastrimi’ fajësojnë njëra-tjetrën

IPK rekomandon suspendimin e një zyrtare policore

Eliza Hoxha kritikon ashpër Përparim Ramën: E ke bo bërllog kryetar

Osmani takon kancelarin Merz: Pres me padurim ta forcojmë partneritetin

Kosova Times April 8, 2024
Share this Article
Facebook Twitter Email Print
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Follow US

Find US on Social Medias
Facebook Like
Twitter Follow
Youtube Subscribe
Telegram Follow

Weekly Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

[mc4wp_form]
Popular News
Lajme

Mbyllet nata e parë e Fest 63, prezantohen 15 këngë

Kosova Times Kosova Times December 20, 2024
Jashari e Buhler flasin për të arriturat e Kosovës dhe FSK-së
Eurostat: Vetëm në dy vite emigruan rreth 100 mijë shqiptarë në vendet e BE
Posta e Kosovës me pulla të reja postare për Euro 2024
Elita e futbollit vjen sot me superderbin Ballkani-Drita
- Advertisement -
Ad imageAd image
Global Coronavirus Cases

Confirmed

0

Death

0

More Information:Covid-19 Statistics

Kategoritë

  • Politikë
  • Rajon / Botë
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Shëndetësi
  • Sport
  • Hi - tech

About US

Kosova Times We influence 20 million users and is the number one business and technology news network on the planet.

Subscribe US

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

[mc4wp_form]

© Kosova Times. All Rights Reserved.

Removed from reading list

Undo
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?