Aviatori amerikan, Lowell Smith, u përball me një zgjedhje të vështirë teksa udhëhoqi një skuadrilje prej katër aeroplanësh ujorë mbi Oqeanin Paqësor, në fillimin e vitit 1924.
Nga jugu, një mur “bore dhe shtrëngate” qëndronte ndërmjet tyre dhe territorit japonez. Nga veriu, qiejt e hapur shtriheshin drejt Ishujve të largët të Komandantit, pjesë e Rusisë sovjetike.
Smith zgjodhi “të provonte fatin me bolshevikët, në vend se të përballej me tërbimin e stuhive”, dhe drejtoi fluturaken e tij nga territori sovjetik.
Smith ishte njëri ndër tetë pilotët që do të provonin fluturimin e parë rreth botës me aeroplan. Përpjekja për rrotullim rreth botës kishte kryesisht për synim ringjalljen e interesimit të publikut për fluturime, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara ndodheshin prapa zhvillimeve evropiane në industrinë e aviacionit.
Misioni parashihte nisjen e një ekipi udhëhapës ushtarak para aeroplanëve, dhe hartimin e raporteve të inteligjencës, që do të nënvizonin vendet e mundshme për zbritje dhe tekat e motit lokal në vendet e largëta të furnizimit me karburante.
Diplomatët amerikanë më pas kontaktuan 22 vendet nëpër të cilat duhej të kalonin aviatorët – ndërsa u përgatit një rrjet anijesh dhe stacionesh furnizuese. Projekti parashihej të kushtonte rreth 100 mijë dollarë, ekuivalenti i 1.7 milion dollarëve sot.
Më 6 prill 1924, katër aeroplanë dykrahësh të tipit Douglas World Cruiser, të përshtatur veçanërisht për misionin, u nisën nga Sietlli, në Uashington. Aeroplanëve iu vunë emrat e katër qyteteve amerikane: Boston, Çikago, Sietëll dhe Nju-Orllins.
Misioni shpejt u ndesh me telashe serioze, kur Sietëll u rrëzua në një mal në Alaskë. Dy pilotët i mbijetuan aksidentit dhe gjetën rrugën drejt civilizimit, pas disa ditëve të mundimshme në shkretëtirë.
Teksa ujërat ndërmjet Alaskës dhe Japonisë, mbi të cilat askush s’kishte fluturuar më parë, u bënë gjithnjë e më të trazuara teksa avionët afroheshin, Lowell Smith dhe amerikanët e tjerë fshehurazi diskutuan opsionin e takimit me një anije furnizuese pranë Ishujve të Komandantit në territorin sovjetik.
Ishte një fluturim më i shkurtër sesa rruga drejt ujërave japoneze, por Uashingtoni asokohe nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, dhe i tërë vendi ishte shmangur me kujdes gjatë fazës planifikuese të ekspeditës. Marrëdhëniet me Moskën ishin të ngrira, pasi Shtetet e Bashkuara kishin vendosur mijëra trupa brenda Rusisë, mes luftës civile të vendit, gjashtë vjet më parë.
Aeroplanët amerikanë fluturuan me orë të tëra mbi Detin e Beringut, duke drejtuar hundët e tyre nga territori sovjetik, “duke pyetur veten tërë kohën se çfarë do të mendonin rusët kur të shihnin tre aeroplanë gjigantë duke zbritur nga qielli në këtë rajon të largët, ku anijet vijnë vetëm një herë në vit”, rrëfeu Smith.
Kur njëri nga ishujt sovjetikë u pa më në fund, “ajo copë toke në Detin e Beringut sigurisht se na u duk e mirë”, shkroi Smith.
Sapo zbritën aeroplanët, në një vend plot kulla komunikimi, një anije e mbushur me “burra me mjekra” u nis nga ishulli.
Teksa anija afrohej, disa nga pilotët amerikanë qëndruan brenda aeroplanëve të tyre, të gatshëm për të ikur, por ndërveprimi ndërmjet burrave të dy vendeve armiqësore ishte miqësor.
Rusët kërkuan falje që nuk ftuan amerikanët në breg, por shpjeguan se u nevojitej leje nga Moska para se të bënin një gjë të tillë.
Të nesërmen, udhëheqja sovjetike ua refuzoi amerikanëve lejen për të shkelur bregun, por ushtarakët e ishullit nisën një barkë për të dërguar një shishe vodkë, si gjest të vullnetit të mirë, para se amerikanët e rifurnizuar të niseshin drejt Japonisë.
Nga Deti i Beringut, aeroplanët fluturuan drejt klimave të lagështa të Azisë Jugore.
Në një fluturim të gjatë, piloti Erik Nelson kujtoi se si mendja e tij kishte udhëtuar në një të ardhme të imagjinuar, në të cilën qielli ishte i mbushur me aeroplanë, “që më kapërcenin në qiell, me pasagjerë që po udhëtonin për vizita fundjave ndërmjet Shangait dhe San Franciskos”.
Nëse një e ardhme e tillë do të bëhej realitet, imagjinonte aviatori, “aeroplani do të bëhej mjeti që do t’i sillte racat e botës në kontakt aq intim me njëra-tjetrën, saqë më nuk do të nxiteshin të nisnin luftëra…”.
Duke iu afruan Multanit, në Pakistanin e sotëm, i nxehti ishte aq i madh saqë pilotët sugjeruan që qyteti të riemërohej në “Molten” (I shkriri).
Një komitet mirëpritës britanik iu ofroi amerikanëve të përcëlluar nga dielli limonadë të ftohtë. Njëri prej tyre kujtoi momentin kur kishte afruar gotën e akullt te buzët e tij të çara: “Kam pirë shumë pije të shijshme në jetën time”, shkroi piloti, “por asnjëra nuk krahasohet me atë që piva në Multan”.
Nga Azia, flota vazhdoi mbi Persi dhe Lindjen e Mesme, e drejt Evropës, ku ajo fluturoi mbi fushëbetejat e Luftës së Parë Botërore në Rumani, ende të shkretuara nga shpërthimet dhe plot me mbeturina të pajisjeve të shkatërruara ushtarake.
Bukureshti admirohej nga burrat si “vend i pastër dhe i këndshëm”, me “kafene dhe kabare të shumta, dhe me shumë vajza tërheqëse dhe të veshura bukur”.
Kolosi i fundit gjeografik me të cilin u përballën burrat ishte oqeani i hapur i Atlantikut Verior. Disa anije detare amerikane u pozicionuan përgjatë rrugës së fluturimit, të gatshëm për të ndihmuar, nëse ndonjëri nga aeroplanët do të haste në telashe.
Më 3 gusht, aeroplani i quajtur Boston u detyrua të zbriste në ujërat e trazuar në mes të Atlantikut Verior. Piloti dhe mekaniku në bord u shpëtuan nga një anije detare, por aeroplani i tyre u ndesh me anijen shpëtimtare dhe në fund u fundos.
Rreziku i paimagjinueshëm i kalimit të Atlantikut u përshkrua nga piloti Lowell Smith, teksa shkroi për një pjesë të mjegullt të oqeanit plot ajsbergë:
“Ne po udhëtonim me një shpejtësi prej [150 kilometrash në orë], dhe mund të shihnim vetëm ndërmjet [30-45 metra] përpara”.
Kur aeroplanët më në fund arritën në tokën amerikane, ata u pritën nga turma të entuziazmuara njerëzish, të cilët kishin ndjekur raportimet në media për progresin e tyre përreth botës. Në Santa Monika, rreth 200.000 njerëz dolën për t’i përshëndetur pilotët.
“Teksa ne dilnim nga aeroplanët, turma u çmend. Rrëzuan gardhin. Kapërcyen policinë, kapërcyen ushtarët”, shkroi Smith. “Njerëzit na grisën rrobat dhe i hoqën butonat për t’i marrë si suvenirë. Një grua më preu një pjesë të jakës me thikë. Një tjetër më kapi veshin – gabimisht, besoj”.
Udhëtimi zgjati 363 orë fluturimi gjatë 175 ditëve kalendarike, dhe përfshiu 42.398 kilometra. Aviatorët e përfshirë u nderuan me Medaljen për Shërbim të Dalluar, dhe morën një mori dhuratash nga admiruesit. Por, ndoshta gjëja më interesante që e pranuan amerikanët ishte nga një imigrant i ri, i cili dukej se kishte marrë vesh për ndërveprimin e shkurtër me sovjetikët në Ishujt e Komandantit.
Burri u kishte shkruar letër pilotëve për t’i pyetur nëse ata mund t’i jepnin atij ndonjë informacion për vëllain e tij, i cili ishte parë për herë të fundit në një kamp siberian të punës.