Reuters
Gjermania po tenton të joshë Partinë Republikane. Japonia po përdor zyrtarët e saj pro Donald Trumpit. Zyrtarët e Qeverisë meksikane po zhvillojnë bisedime me kampin e Trumpit dhe Australia është e zënë duke hartuar ligje që t’ia bëjë me dije Trumpit se shteti ka lidhje të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara.
Gjetkë, aleatët e ShBA-së po ndërmarrin hapa për të mbrojtur apo avancuar interesat e tyre në rast se ish-presidenti Donald Trump, rikthehet në pushtet në zgjedhjet e nëntorit. Sondazhet e fundit sugjerojnë Trump ka shanse që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Aleatët duan që të shmangin shuplakën e ftohtë që morën gjatë mandatit të parë nga politika e Trumpit “Amerika e Para”. Kjo politikë shkaktoi luftëra tregtare, lëkundje të aleancave të sigurisë, shtypje të emigrimit dhe tërheqje nga një marrëveshje botërore e klimës.
Agjencia Reuters ka biseduar me diplomatë dhe zyrtarë qeveritarë në pesë kontinente për përgatitjet e tyre për Trump 2.0.
Bisedat zbuluan se në Meksikë janë zhvilluar diskutime për emërimin e një ministri të ri të Jashtëm, që do t’i përshtatej Trumpit, në Australi një ambasador po nxiton që të mbrojë një marrëveshje për nëndetëset, ndërkaq një zyrtar gjerman po mban kontakte me guvernatorët republikanë. Disa liderë të huaj kanë kontaktuar drejtpërdrejt Trumpin, pavarësisht rrezikut se një gjë e tillë do të zemërojë rivalin e tij në zgjedhje, presidentin aktual demokrat, Joe Biden.
Princi i Kurorës i Arabisë Saudite së fundi ka telefonuar Trumpin, tha një burim që ka njohuri për këtë bisedë telefonike. Ndërkaq, kryeministri i Hungarisë dhe presidenti i Polonisë në javët e fundit kanë zhvilluar takim me të. Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, po ashtu gjatë këtij muaji ka zhvilluar takime me Trumpin në resorin e ish-presidentit në Florida. Kryediplomati britanik u tha gazetarëve në Uashington, pas këtij takimi, se takimi ishte një darkë private ku u diskutua për Ukrainën, luftën e Izraelit në Gazë dhe të ardhmen e NATO-s.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha për Reuters se takime të tilla, sikurse ai që zhvilloi Cameron, nuk janë të pazakonshme. Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me takimet e Trumpit me Viktor Orbanin e Hungarisë, apo për bisedën me sauditët, për të cilën fillimisht raportoi New York Times.
Zyra për media e Qeverisë saudite dhe fushata e Trumpit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment lidhur me bisedën. Fushata e Trumpit tha se ai ka diskutuar për çështjet e sigurisë me të gjithë liderët evropianë, përfshirë edhe për propozimin e bërë nga presidenti polak, Andrzej Duda, që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë të paktën 3 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për fushën e mbrojtjes. Aktualisht, caku për këtë çështje është 2 për qind.
Jeremi Suri, historian për presidentët në Universitetin e Teksasit, tha se takimet mes kandidatëve dhe diplomatëve janë normale. Por, ai shtoi se mendon që takimi i Trumpit me Orbanin dhe biseda telefonike me Mohammed Bin Salmanin e Arabisë Saudite ishin të pazakonta.
Këshilltari i Trumpit, Brian Hughes tha: “Takimet me bisedat me liderët botërorë reflektojnë njohjen e asaj që në ShBA veçse e dimë. Joe Biden është i dobët dhe kur presidenti Trump të betohet si presidenti i 47-të i ShBA-së, bota do të jetë më e sigurt dhe Amerika do të jetë më prosperuese”.
Zëdhënësja e fushatës së Trumpit tha se “aleatët e Amerikës po shpresojnë që presidenti Trump të rizgjidhet”.
Diplomacia e shmangies e Gjermanisë
Shumica e komunikimeve me Trumpin kanë qenë më pak të drejtpërdrejta.
Gjermania po ndërton ura me republikanët e Trumpit përmes nivelit shtetëror, duke u kujtuar zyrtarëve të kësaj partie se ajo investon shumë në industrinë amerikane. Berlini është i vetëdijshëm që Trumpi ka kërcënuar me tarifa ndëshkuese për industrinë e makinave të Gjermanisë kur ai ishte presidenti, dhe tani, nëse zgjidhet president, dëshiron që të vendosë një tarifë minimale prej 10 për qind për të gjitha importet. Gjermania po përdor një koordinator transatlantik për t’u përgatitur për Trump 2.0.
Si koordinator, Michael Link po udhëheq atë që Berlini e quan “diplomaci të shmangies”, duke shënjestruar disa shtete amerikane, që mund të jenë përcaktuese për zgjedhjet e nëntorit në ShBA, e në të cilat Berlini është një investitor i madh.
“Do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, nëse Donald Trump rizgjidhet, që të shmangeshin tarifat ndëshkuese që ai ka planifikuar që të vendosë kundër mallrave që vijnë nga Bashkimi Evropian”, tha ai për Reuters.
Link tha se ka takuar guvernatorët republikanë të Oklahomës, Arkansasit, Alabamës dhe Indianës. Në secilin prej këtyre takimeve, ai tha se u ka shpjeguar bashkëbiseduesve të tij se pse lidhjet e mira tregtare mbështesin praninë e Gjermanisë në ShBA. Eksportuesi më i madh i makinave të prodhuara në ShBA është BMW, dhe Gjermania thotë se kjo kompani punëson 860.000 amerikanë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Link po ashtu ka zhvilluar takime me zyrtarë demokratë, por prioritet i tij është që të lobojë tek ata që kanë ndikim te Trumpi.
Reuters nuk ka arritur të përcaktojë nëse Trumpi është në dijeni të qasjes së Berlinit.
Personat miqësorë me Trumpin
Në Meksikë, zyrtarët qeveritarë kanë zhvilluar takime me njerëz të afërt me Trumpit, me të cilët kanë diskutuar për çështje sikurse emigrimi dhe trafikimi i fentanilit – një drogë sintetike – për në ShBA. Për këto dy çështje, Meksika mund të përballet me presion të ShBA-së, nëse fiton Trumpi, sipas dy burimeve në Meksikë. Trump ka thënë se ai do të urdhëronte Pentagonin “të përdorë siç duhet forcat speciale” për të sulmuar udhëheqjen e karteleve dhe infrastrukturën, gjë e cila ka shumë gjasa që të mos përkrahet nga Qeveria meksikane.
Zyrtarët në Meksikë po ashtu kanë biseduar për marrëveshjen për tregti të lirë të Amerikës së Veriut, që ishte rishkruar nën presidencën e Trumpit më 2020 dhe duhet të rishikohet më 2026, thanë burimet. Trump po ashtu ka lavdëruar punën që është bërë në rishkrimin e marrëveshjes gjatë disa fjalimeve publike të bëra së fundi.
Dhe, në shenjë të asaj se sa janë të rëndësishme raportet personale nën një administratë të udhëhequr nga Trumpi, partia në pushtet në Meksikë po e shqyrton mundësinë e kandidatëve alternativë për të marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme, varësisht se kush fiton zgjedhjet në ShBA, thanë dy burime të informuara për këto zhvillime në Meksikë.
Meksika do të mbajë zgjedhje presidenciale në qershor. Nëse kandidatja e partisë në pushtet, Claudia Sheinbaum fiton, ashtu siç pritet, ajo do të marrë detyrën në tetor apo një muaj para zgjedhjeve amerikane. Nëse sondazhet sugjerojnë një fitore të Trumpit, ajo ka të ngjarë të zgjedhë Marcelo Ebrard si ministër të saj të Jashtëm, thanë burimet për agjencinë Reuters.
Ebrard ka shërbyer në postin e ministrit të Jashtëm të Meksikës gjatë presidencës së Trumpit dhe gjerësisht në Meksikë besohet se ai ka vepruar mirë gjatë ndërveprimit me administratën e atëhershme të Trumpit.
Fushata e Sheinbaumit tha se ajo ende nuk është e gatshme të tregojë se kë ka zgjedhur në postin e ministrit të Jashtëm, ndërkaq Ebrard nuk ka komentuar për këtë çështje.
Angazhimi diplomatik i Japonisë
Për të forcuar angazhimin diplomatik me kampin e Trumpit, Japonia po përgatitet që Sunao Takao – një përkthyes i shkolluar në Harvard – të ndihmojë ish-kryeministrin Shinzo Abe, që të bëhet më i afërt me Trumpin gjatë lojës së golfit.
Edhe një tjetër ish-kryeministër i Japonisë, Taro Aso, u takua me Trumpin në Nju Jork gjatë kësaj jave, sipas fushatës së tij. Aleatja më e afërt e Amerikës në Azi druan se Trumpi mund të rivendosë proteksionizmin tregtar dhe të kërkojë më shumë para për mirëmbajtjen e forcave amerikane në Japoni, thanë zyrtarët qeveritarë.
Partia Laburiste në Britani, që tani është në opozitë por është kandidate e fortë për të fituar zgjedhjet që pritet të mbahen në fund të vitit, mund ta ketë më të vështirë që të ketë raporte të mira me një administratë të udhëhequr nga Trumpi. I nominuari i kësaj partie për postin e ministrit të Jashtëm, David Lammy, një herë kishte shkruar në revistën Time se Trump ishte një “person që urren gratë dhe një sociopat neo-nazist”. Lammy tani po punon që të ndërtojë raporte me republikanët, tha një zyrtar i Partisë Laburiste.
Lammy është takuar me figura republikane që shihen se mund të kenë rol në kabinetin e Trumpit, përfshirë edhe Mike Pompeo, ish-sekretari amerikan i Shtetit nën administratën e Trumpit, tha zyrtari i partisë britanike.
Lammy ka refuzuar të intervistohet për këtë çështje, por ka thënë se shumë politikanë britanikë e kanë kritikuar Trumpin dhe ai do të përfaqësojë interesat britanike, nëse bëhet ministër i Jashtëm, pavarësisht se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë.
Victoria Coates, ish-zëvendëskëshilltare për siguri kombëtare gjatë administratës së Trumpit, tha se një fitore e laburistëve do të nënkuptonte një fazë të vështirë në raportet mes SHBA-së dhe Britanisë, nëse në ShBA Trump fiton zgjedhjet presidenciale.
Ndërkaq, një përfaqësues i ish-sekretarit Pompeo refuzoi të komentonte takimin me Lammyn.
Qasja e Australisë
Ambasadori i Australisë në ShBA, Kevin Rudd, së fundi u përmend nga Trumpi për shkak të kritikave që ambasadori kishte bërë në të kaluarën për ish-presidentin amerikan. Gjatë një interviste muajin e kaluar, Trump tha se ka dëgjuar që Rudd, që më herët ka qenë kryeministër, ishte “pak i pështirë” dhe se “nëse do të jetë armiqësor, nuk do të jetë për një kohë të gjatë në vendin ku është”. Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, mbrojti Ruddin, duke thënë se ai do të vazhdojë të jetë ambasador edhe nëse Trump rikthehet në pushtet.
Në prapaskenë, Rudd po tenton të mbrojë një marrëveshje kyçe të mbrojtjes që Trump të mos e zhbëjë, thanë burimet diplomatike në Australi për agjencinë Reuters. Administrata e Bidenit është pajtuar që ta ndihmojë Australinë që të lëvizë drejt zhvillimit të një flote të nëndetëseve bërthamore, në këmbim që Australia t’i shesë tri deri në pesë nëndetëse luftuese të klasit Virginia. Rudd i ka kërkuar shtetit të tij që të veprojë shpejtë në miratimin e legjislacionit që e afron me standardet amerikane për kontrollin e armëve dhe krijon një trup të posaçëm për siguri bërthamore, me shpresën që do t’ia bënte më të vështirë Trumpit që të tërhiqej nga marrëveshja, sipas burimeve.
Ambasada australiane në ShBA ka refuzuar që të komentojë për këtë çështje dhe as Qeveria australiane nuk ka komentuar.
Michael Shoebridge, nga instituti australian për Analiza Strategjike, tha se politika e Trumpit “Amerika e Para”, megjithatë, mund ta fundosë këtë marrëveshje.
“Aty janë të gjitha levat që Trumpi të thotë ‘Marina amerikane nuk ka mjaftueshëm nëndetëse, prandaj nuk do t’i shesim asnjë Australisë’”, tha eksperti i mbrojtjes.
Reuters nuk ka arritur të përcaktojë se çfarë qëndrimi ka Trumpi për këtë çështje. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale ai nuk ka shprehur asnjë shqetësim për këtë marrëveshje.
Qasja diskrete e Koresë së Jugut
Një mënyrë e thjesht që aleatët të ndikojnë te Trumpi është përmes lobistëve, veçmas nëse shtetet duan të jenë diskrete.
Një ish-zyrtar i Koresë së Jugut, që tani jeton në Uashington, tha administrata Biden po vëzhgon nga afër qeveritë e huaja dhe se Seuli preferon që të kuptojë se çfarë mendon Trump përmes firmave lobuese “në një mënyrë të fshehtë”.
Grupet lobuese në Uashington po gumëzhin me shtetas të Koresë së Jugut, të cilët janë të etur që të mësojnë se çfarë pikëpamjesh ka Trumpi sa i përket tregtisë dhe investimeve, përfshirë edhe atë se çfarë do të ndodhë me Aktin për reduktimin e inflacionit, tha një zyrtar i Qeverisë jugkoreane.
Zyra e Presidentit të Koresë së Jugut nuk ka komentuar.
Trump mbështet këtë akt, që ka të bëjë me prodhimin dhe tranzicionin e energjisë. Megjithatë, ai kundërshton shtytjen që Bideni bën që të kalohet nga karburantet fosile në energji të gjelbër.
Disa aleatë të ShBA-së po përdorin lobistët e lidhur me Trumpin, përfshirë kompaninë Ballard Partners, që udhëhiqet nga Brian Ballard, lobist nga Florida i cili ka lidhje të ngushta me Trumpin.
Në mesin e klientëve të Ballardit janë Japonia dhe Republika Demokratike e Kongos, thuhet në të dhënat publike të kompanisë, por firma nuk ka përmendur emra të tjerë.
“Shumë anëtarë të firmës sonë për një kohë të gjatë kanë qenë aleatë të ish-presidentit”, tha Justin Sayfie, partner në Ballard.
Ministria e Jashtme e Japonisë tha se ka kërkuar këshilla dhe mbështetje nga ekspertë të ndryshëm. Por, ky institucion nuk pranoi të komentonte raportet që ka me Ballardin. Ndërkaq, institucionet në Kongo nuk u përgjigjën menjëherë për të komentuar për këtë çështje.