Delegacioni bavarez udhëhiqet nga Dr. Günther Beckstein, ndërsa shoqërohet edhe nga Christian Hoferer, kryetar i Bordit ekzekutiv të Unionin Pan-Europian në Gjermani.

Kryesuesi i delegacionit Dr. Günther Beckstein, ka qenë kryeministër i Landit të Bavarisë në 2007-2008, ministër i Brendshëm Bavarez për një kohë të gjatë (1993-2007) dhe anëtar për një kohë të gjatë i Parlamentit Bavarez (1974-2013)

“Për mua është e rëndësishme që gjatë vizitës në Republikën e Kosovës, së bashku me delegacionin tim, ta njohim më mirë vendin dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bavarisë”, tha për Radio Kosovën Dr. Günther Beckstein.

CSU nga vjen Beckstein është  pjesë  e familjes popullore evropiane (EPP) dhe është partia më e suksesshme në Evropë. Ajo ka fituar zgjedhjet vazhimisht në Bavari, duke udhëhequr me qeverinë e këtij landi gjerman që nga viti 1957. Është partia motër e CDU-së në Gjermani dhe ekziston vetëm në shtetin e Bavarisë.

Delegacioni bavarez, sot do të zhvillojë takime me ministren e Jashtme, Donika Gervalla-Schwarz, e pastaj me Lumir Abdixhikun, kryetar i LDK-së.

Delegacioni prej 30 anëtarësh do të pritet edhe në Kuvendin e Kosovës nga Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Sipas agjendës ata do të takohen edhe me ipeshkvin Dodë Gjergji.