Është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit në moshën 88-vjeçare shkrimtari Ismail Kadare, kolosi i letrave shqiptare dhe autor i shumë veprave dhe poemave të përkthyera në shumë gjuhë të botës.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936 dhe në karrierën e tij ka qenë akademik, politikan dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Kadare është shquar për prozat e tij, por kontribuoi edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime, raporton RTSH.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936 dhe në karrierën e tij ka qenë akademik, politikan dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Shkrimtari Kadare është kandidatura disa herë për çmimin “Nobel” në Letërsi.
Përgjatë viteve ’50 dhe në fillimet e viteve ’60 u njoh për poezi dhe për prozë. Pas kthimit nga Moska, veprën “Qyteti pa reklama” e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin “Ditë kafenesh më 1962” te “Zëri i Rinisë”. Sapo u publikua nga shtypi u ndalua, si vepër dekadente. Në vitin 1963 e botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, Përbindëshi, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.
Më 1967 u caktua në delegacionin e Lidhjes së Shkrimtarëve që u dërgua në Kinë, bashkë me disa delegacione të tjera. Në atë kohë Revolucioni Kulturor në Kinë ishte në kulm. Përvojat e tij në Kinën komuniste do t’i trajtonte më vonë në veprën e tij.
Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.
Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961. Romanit i vuri titullin Dimri i vetmisë së madhe. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar Dimri i madh dhe u përkthye edhe në frëngjisht.
Fillimin e tetorit të 1975 çoi për botim poemën Pashallarët e kuq. Më 1978 botoi përmbledhjen e parë me novela Muzgu i perëndive të stepës, Ura me tri harqe, Kamarja e turpit dhe Komisioni i festës në një vëllim të përbashkët.
Romani i radhës Nata me hënë i dalë në fillim të 1985, u ndalua. Të nesërmen e vdekjes së diktatorit, më 10 prill, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste organizuan me ngut një mbledhje për të dënuar romanin e fundit të tij. Romanin tjetër “Vajza e Agamemnonit”, ku në mënyrë të hapur shpreh mendime kundër regjimit komunist, e shkroi më 1985 dhe bashkë me disa vepra të tjera antikomuniste e nxori fshehtas jashtë shtetit nëpërmjet botuesit dhe mikut të tij francez Claude Durand, me udhëzimin që të botoheshin në rast se Kadare pësonte ndonjë “aksident” në Shqipëri. Me qëllim që t’i bënte të njohur perëndimit situatën në Shqipëri, i dha botuesit të tij francez të dhëna të detajuara mbi burgjet dhe kampet e internimit të Shqipërisë komuniste të cilat më pas u botuan në një gazetën L’Express në Paris.
Në vitin 1986 botoi romanin Krushqit janë të ngrirë që fliste për dhunën dhe terrorin që përdornin serbët kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës më 1981. Në vitin 1988 u bë anëtar i Institutit Francez.
Në fund të vitit 1990 Kadare u largua drejt Francës ku mundi të ushtrojë profesionin e tij në liri të plotë. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht.
Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar, duke shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.