Associated Press
Britania u trondit nga dhuna javën e kaluar, teksa turmat brohoritën slogane kundër emigrantëve dhe slogane islamofobike, si dhe u përleshën me policinë. Këto trazira u nxitën nga aktivistët e krahut të djathtë të cilët përdorën rrjetet sociale për të përhapur dezinformata lidhur me një sulm me thikë ku mbetën të vrara tri vajza gjatë një ngjarjeje vallëzimi.
Dhuna, që është një ndër më të këqijat në vitet e fundit në Britani, ka çuar në arrestimin e qindra personave, përderisa Qeveria është zotuar se protestuesit do të ndjejnë “forcën e plotë të ligjit”, pasi ata hodhën tulla dhe gjësende të tjera drejt policisë, plaçkitën dyqane dhe sulmuan hotelet që përdoren për të strehuar azilkërkuesit.
Përderisa Qeveria e re britanike po përballet me vështirësi që të ndalë trazirat dhe ka njoftuar se do të krijojë “një ushtri të përhershme” të policëve të specializuar për t’i trajtuar hapësirat, në këtë tekst mund të mësoni se çfarë ndodhi dhe pse.
Kur nisi dhuna?
Njerëzit në mbarë Britaninë u tronditën nga ajo që policia e përshkroi si “sulm mizor me thikë” që la të vrarë tri vajza nga 6 deri në 9 vjeç më 29 korrik në Sauthport, një qytezë në veri të Liverpulit. Tetë fëmijë të tjerë dhe dy të rritur u plagosën.
Policia arrestoi një të dyshuar 17 vjeç. Dezinformatat, që më vonë u hodhën poshtë, shpejt qarkulluan në rrjetet sociale. Këto informacione thoshin se i dyshuari ishte një azilkërkues apo një emigrant mysliman.
Një ditë më vonë, teksa njerëzit u mblodhën për të vendosur lule pranë vendit ku ndodhi sulmi, qindra protestues sulmuan një xhami lokale, duke hedhur tulla, shishe dhe gurë. Policia tha se protestuesit “besohet se janë mbështetës të Lidhjes të Mbrojtjes Angleze”, një grup i ekstremit të djathtë që ka organizuar protesta kundër myslimanëve që nga viti 2009.
Më 1 gusht, autoritetet ndërmorën një hap të pazakontë për të identifikuar të dyshuarin minoren, në përpjekje për të ndalur thashethemet lidhur me identitetin e tij, gjë që po nxiste dhunën.
Axel Muganwa Rudakubana po përballet me tri akuza për vrasje dhe dhjetë akuza për tentimvrasje. I dyshuari u lind në Uells më 2006 dhe ishte zhvendosur në zonën e Sauthportit më 2013. Prindërit e tij janë me origjinë nga Ruanda.
Si u përhap dhuna?
Trazirat u përhapën në qytete dhe qyteza në shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, përderisa aktivistët e ekstremit të djathtë përhapën dezinformata për sulmin, sipas Qeverisë dhe Policisë britanike.
Më pak se dy orë pas sulmit me thikë, një përdorues i rrjeteve sociale i njohur edhe si European Invasion, tha se sulmuesi “dyshohet se është një emigrant mysliman”. Ky pretendim i publikuar në X, më vonë u shfaq edhe në Facebook dhe Telegram sipas Logically, kompani me bazë me Mbretërinë e Bashkuar që përdor inteligjencën artificiale dhe njerëzore për të luftuar propagandën online.
Ky thashetheme u përfshi edhe në një artikull të publikuar nga Channel 3Now, ueb-faqe që dyshohet se ka lidhje me Rusinë, tha Logically. Artikulli më pas u citua nga mediat e lidhura me shtetin rus, përfshirë RT dhe TASS.
“Ka gjasa që Channel 3Now është aset rus që synon publikimin e informacioneve që synojnë të shkaktojnë dëm në sferën online dhe të krijojnë ndarje në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Logically në një analizë të publikuar në X.
Videot e publikuara në rrjetet sociale inkurajonin njerëzit që mendojnë njësoj për t’u përfshirë në trazirat që i shihnin në internet, tha Stephanie Alice Baker, sociologe në Universitetin e Qytetit të Londrës, e cila studion sjelljen në turma dhe krahun e djathtë.
“Ka gjithmonë një pikë kthese ku njerëzit ndihen të guximshëm dhe ndiejnë se mund të veprojnë. Kjo zakonisht ndodh kur shohin të tjerët që e bëjnë një gjë të tillë”, tha ajo.
Ku kanë ndodhur trazirat?
Në dhjetëra qytete dhe qyteza ka pasur trazira, përfshirë në Londër, Mançester, Liverpul, Bristol, Belfast e të tjera.
Dhuna më e ashpër ndodhi të dielën, më 4 gusht, kur qindra protestues hynë në qendrën për azilkërkues në hotelin Holiday Inn Express në qytetin Roterham, në periferi të Birmingamit. Policia u përplas me protestuesit teksa po forcat e rendit po synonin të mbronin hotelin. Protestuesit thyen dritaret e hotelit dhe koshat e mbeturinave, që i dogjën, i futën brenda hotelit. Disa orë më vonë, një grup tjetër sulmoi një hotel në Tamuorth, 112 kilometra më në jug.
Çfarë qëndron pas kësaj dhune?
Agjitatorët po shfrytëzojnë tensionet e kamotshme lidhur me çështjen e migrimit, dhe së fundi edhe me numrin e rritur të emigrantëve që kanë hyrë në shtet ilegalisht duke kaluar Kanalin Anglez me barka gome.
Këto shqetësime ishin çështja kryesore në zgjedhjet e mbajtura muajin e kaluar, kur ish-kryeministri Rishi Sunak, premtoi se do të ndalonte barkat, duke dëbuar “emigrantët e paligjshëm” në Ruandë. Edhe pse kryeministri aktual, Keir Starmer, anuloi këtë plan pasi fitoi zgjedhjet, ai ka premtuar se do të ulë emigrimin duke punuar me shtetet e tjera evropiane dhe përmes përshpejtimit të largimit të azilkërkuesve, të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil.
Zemërimi i votuesve u rrit nga politikat e Qeverisë së kaluar për strehimin e azilkërkuesve në hotele, që vitin e kaluar i kushtoi shtetit 3.2 miliardë dollarë. Këto shpenzime u bënë në kohën kur kishte dështime të shërbimeve publike, teksa Qeveria kishte vështirësi që të balanconte buxhetin.
Sulmi në klasën e vallëzimit nxiti edhe më shumë pakënaqësitë, tha Baker.
“Këto janë tensione që tani mund t’i shihni edhe në shtete të tjera. Këtu do ta përfshija në njëfarë mase edhe SHBA-në, ku janë shfaqur ndjenja të nacionalizmit, një ndjenjë se njerëzit po neglizhohen, një ndjenjë se njerëzve po u mohohen të drejtat dhe se po vihet në rrezik sovraniteti i shtetit”, tha ajo. “Dhe e gjithë kjo më shumë përkon me rritjen e emigrimit dhe krizës së kostos së jetesës”.
A ka reaguar policia në mënyrë adekuate?
Përderisa policia ka punuar shumë që ta rivendosë rendin, zyrtarët e rendit janë dëmtuar nga informacionet e këqija, duke detyruar oficerët që t’iu përgjigjen protestave në vend se të ndërmarrin hapa që t’i shpërndajnë ato, tha Peter Williams, ish-inspektor policor i cili tani është ligjërues në Qendrën në Liverpul për Studime të Avancuara të Policisë.
“Nëse ata do e dinin se ku do të ndodhnin protestat, sigurisht se ata do të reagonin”, tha ai për Associated Press.
Forcat policore ende janë duke tentuar që të rimëkëmben nga shkurtimet buxhetore që kanë prekur policinë në komunitet, tha Williams. “Një prej pluseve kyçe për policinë nëkomunitet është se ky sektor i policisë gjithmonë kishte informacione”, tha ai. “Tani, ky informacion po mungon”, veçmas sa i përket çështjeve të minoriteteve.