Një ditë pas publikimit të raportit preliminar për funksionalitetin e urës së Ibrit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se hapja e saj është e nevojshme për të gjithë.
I pari i ekzekutivit, në mbledhjen e sotme të qeverisë, është shprehur se në këtë drejtim do të vazhdojnë koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas dje biseduam edhe për hapjen e urës të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë e të nevojshme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare, të cilat i kemi ndarë dje edhe me komandantin e KFOR-it në frymën e koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria dhe unë besojmë që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit si dhe paqja e siguria janë të mundura bashkë dhe te duhura për vendin, shoqërinë e qytetarët. Ne do të vazhdojmë koordinimin me partnerët tanë”, deklaroi ai.
Shefi i qeverisë tha se hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt, e aq më pak ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Kurti: Qytetarët t’u përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar
Kryeministri i Kosovës, i është bashkuar thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për kujdes ndaj temperaturave të larta.
“Këtë javë po përballemi me temperatura tejet të larta. Ministria e Shëndetësisë mbrëmë në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ka ndërmarrë disa masa mbrojtëse për shëndetin e qytetarëve. Ato përfshijnë rekomandime që të ndryshohen oraret e punës për të shmangur punën në temperaturat e larta dhe orarin fleksibil të punës. Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut, ose të punojnë nga shtëpia. Ndalimi i punës për qytetarët e prekur nga sëmundjet kronike nga ora 11:00-16:00. Ndalimi i punës në sektorin e ndërtimtarisë gjatë orëve 11:00-16:00, ndërkaq fermerët dhe bujqit të planifikojnë punët në orët më të hershme. I bëj thirrje qytetarëve që t’i përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar”, tha ai.
Shefi i qeverisë foli edhe për rrezikun nga zjarret, derisa tha se zjarr-vëniet e qëllimshme mund të shkaktojnë tragjedi.
“Temperaturat e larta rrisin rrezikun e zjarreve dhe përhapjen e tyre. Është e rëndësishme që faktori njeri të jetë faktor në shuarjen e zjarreve. Zjarr-vëniet e qëllimshme kanë potencial të madh të tragjedive njerëzore dhe pasojave mjedisore. Me këtë ballafaqim shoqëria jonë e ka përjetuar një humbje të dhimbshme. Për nivelin e seriozitet të rrezikut nga zjarret folëm dje në një takim edhe me komandantin e KFOR-it. Ndihma e KFOR-it është e rëndësishme”, shtoi ai.