Qeveria e re e Kosovës, e cila do të ndërtohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, pavarësisht kush i fiton zgjedhjet, do të jetë vendimtare dhe historike për zgjidhjen përfundimtare të fatit të Kosovës në raportet me Serbinë, sepse do të jetë qeveri e cila do ta trashëgon edhe më tutje dialogun e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar, me të gjitha temat që janë në tavolinë.
Teksa janë në fushatë të hershme elektorale, partitë politike secila po deklarohet për fitore, që në kushte të tilla është normale pretendimi për mobilizim të elektoratit. Sidoqoftë, një zotim serioz dhe me ambicie të larta vjen nga PDK, nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili ka thënë se subjekti që ai e drejton me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzen, do t’i hyjnë garës për t’i fituar zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm. Por, kreu i PDK-së ka thënë se parimisht nuk kanë vija të kuqe me partitë e tjera pasi në këtë formë “ofendohen dhe përjashtohen votuesit e tyre”, ndërsa bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje e sheh jo funksional, por as për këtë subjekt politik nuk deklaron qëndrim përjashtues. Ajo që sipas tij ka peshë dhe vizion të qartë nacional është se ai ka shtuar se janë të bindur që do ta krijojnë shumicën shqiptare dhe shumicën parlamentare që do ta udhëheqin vendin pas 9 shkurtit. Pra kjo nënkupton që spektri politik I Kosovës, shumica shqiptare, ka gatishmëri të bashkohet për të mos qenë e ndërvarur nga vota e pakicës serbe e cila vazhdimisht shantazhon, bllokon proceset dhe vendimet e interesit krucial nacional, kurse opozita e pa përgjegjshme, në raste të tilla është sjellë me strategji të përfitimit momental elektoral.
Një Qeveri që nuk bënë pazare me territorin e shtetit
Se a do të jetë viti 2025 vit historik i tejkalimit të dallimeve mes partive politike, që të krijohet një qeveri e fuqishme e stabile, qeveri e unitetit të gjerë nacional dhe politik, analistët e kësaj fushe shprehin mendime të ndryshme. Madje ka nga ata që shohin befasi në këto zgjedhje me fitoren e një subjekti politik i cili tradicionalisht në të kaluarën i ka humbur zgjedhjet, por ka qenë pjesë minore e Qeverisë.
Profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi, njëherësh veprimtar i çështjes kombëtare, vlerëson se pavarësisht kush i fiton zgjedhjet dhe si do të ndërtohet Qeveria e re e Kosovës pas 9 shkurtit 2025, territori i Kosovës duhet të mbrohet cep më cep sipas ligjeve dhe kushtetutës, duke mos përjashtuar edhe përdorimin e forcës në rast rreziku të cenimit nga jashtë, sikur është rreziku nga Serbia për të grabitur territor në veri të vendit, dhe për këtë duhet të ketë unitet politik.
“Çdo cep i territorit të Kosovës mbrohet me forcë në bazë të Ligjit. Mitrovica nuk ka qenë kurrë e ndarë. Edhe fshati Suhodoll i ka takuar Mitrovicës. Historikisht nuk ka qenë kurrë Mitrovica e ndarë. Ka qenë vetëm një Mitrovicë. Në vitin 1999, gjatë dhe pas bombardimit të shtetit serbojugosllav, nga ana e Francës u nda Mitrovica në dysh. Mbi Urën e Ibrit u vendosen njësit tankiste franceze. Shqiptarët u dëbuan nga veriu dhe pa të drejtë u formua komuna e Mitrovicës së Veriut”, thekson Kelmendi për “Kosova Times”.
Ai shton se kurrë nuk ka pasur Mitrovicë të Veriut.
“Me këtë logjikë dhe pa asnjë bazë ligjore u formuan edhe komunat tjera me shumicë serbe, me nga 100 banorë. Kjo politike ndarëse e copëtoj Kosovën brenda për brenda”, thekson Kelmendi.
Në këtë kuadër, sipas tij, nuk është vetëm Suhodolli temë, por është Republika e Kosovës.
“Kosova është një dhe e pa ndarë. Kërkesat nacionalshoveniste nuk duhet pranuar. Suhodolli dhe çdo cep i Kosovës i takojnë Republikës. Ato hyjnë në sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë ata që sot qeverisin me vendin dhe ata që do të qeverisin me vendin në të ardhmen”, thotë Kelmendi për “Kosova Times”.
Pas 9 shkurtit 2025, Kosova me Qeveri reformatore
Ndryshe analisti politik Blerim Burjani thotë se formati i dhe përbërja e Qeverisë së re të Kosovës, pas 9 shkurtit të vitit që vjen, do të determinohet nga rezultati zgjedhor, por gjithsesi koalicionet duhet dhe do të jenë të një formati më të gjerë dhe aty duhet të mbretërojë edhe qasja serioze e mbrojtjes së interesit shtetëror-nacional. Mbi të gjitha Burjani konsideron se Qeveria e re duhet të jetë reformatore.
“Varet shumë nga rezultati zgjedhor, askush nuk do ta ketë shumicën, andaj presim koalicion me më së paku dy parti dhe minoritetet. Mundës të jenë zgjedhje që do të shënojnë kthesë edhe në bashkëpunim ndërkombëtar. Kthesë në reforma të brendshme ekonomike, reformë pensionale, sigurime shëndetësore dhe zgjidhjen e problemit të veriut, tha Burjani për “Kosova Times”.
A do të jetë befasi e dekadës dhe e zgjedhjeve 2025 fitorja e AKR-së?
Një mendim goditës dhe befasues për partitë e mëdha politike të cilat tradicionalisht e kanë ndarë pushtetin mes tyre ndër vite, si LDK, PDK, AAK dhe VV me minoritetet, e sjell analisti politik Dardan Grapci, sipas të cilit befasi në zgjedhjet që vijnë mundë të jetë fitorja e AKR-së, e cila edhe do të vendosë se kush do të jetë partner tjetër në Qeverinë e re të vendit.
Grapci thotë se qytetarët janë larguar shumë nga subjektet e mëdha politike, që nuk i kanë mbajtur premtimet, prandaj do të kërkojnë alternativë në mesin e subjekteve më të vogla të cilat nuk kanë pasur asnjëherë fuqi për tu dëshmuar me më shumë ndikim në qeverisjen e vendit.
Grapci sjell dush të ftohtë për LDK-në, PDK-në dhe AAK-n e Vetëvendosjen.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka treguar veten gjatë viteve 2014-2019, prandaj këto premtime që sot po i bënë kandidati për Kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza janë thjesht fjalë që nuk shkon më tek veshi i qytetarit. Prandaj sipas mendimit tim, si qytetar i Republikës së Kosovës, mendoj që zgjedhjet do t’i fitojë partia e cila gjithmonë ka qenë humbës në zgjedhje, dhe ajo parti është AKR-ja”, tha Grapci për “Kosova Times”.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, janë lodhur nga premtimet e kota të partive në pushtet, duke filluar nga LDK-ja e deri tek LVV-ja. Qytetarëve nuk ju intereson kush është themelues i partisë, ata dëshirojnë që ligji të funksionojë si duhet, të ngritën pagat dhe pensionet sipas standardeve të BE-së, të ulen çmimet tek produktet ushqimore që janë bazike për jetë normale”, potencoi Grapci.
Sipas tij trajtimi i barabartë në punësim, në institucionet publike, është kërkesë imediate e qytetarit të sotëm të Kosovës, për të mos menduar largim jashtë vendit.
“Qytetarët po kërkojnë që mos të ketë më punësime familjare nëpër institucionet shtetërore, duke filluar nga komuna dhe deri në kompanitë publike, e madje as te kompanitë private. Qytetarët po kërkojnë që arsimi dhe shëndetësia të këndellen, si dhe spitalet dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare ti ulin çmimet e shërbimeve. Prandaj këto dhe shumë gjëra të tjera qytetarët i kanë kërkuar por asgjë deri më tash, dhe ende sot po i kërkojnë. Partitë politike të cilat kanë qenë vetëm në pushtet, le ta harrojnë që do të ulen përsëri në Qeveri sit ë tilla, do të varet se kënd do të merr me vete fituesi i zgjedhjeve”, tha Grapci për “Kosova Times.