Qytetarët rusë që kanë qëndrim të përhershëm në Letoni, por kanë dështuar ta kalojnë testin obligativ të letonishtes, kanë nisur të pranojnë letra përmes së cilave ata paralajmërohen se duhet të largohen brenda 30 ditësh, ose përballen me “dëbim me forcë”.
Këto letra janë lëshuar nga shërbimi leton i migrimit dhe u adresohen shtetasve të ish-Bashkimit Sovjetik (shumica e tyre janë mbi 60 vjeç) që shkuan në Letoni gjatë epokës sovjetike dhe, pasi Letonia fitoi pavarësinë, vendosën të mos merrnin pasaporta letone, por morën shtetësinë ruse. Ata jetojnë në Letoni me leje të përhershme qëndrimi, por në parim ata nuk e flasin gjuhën letone dhe kanë pak interes për kulturën e këtij shteti. Ata informohen nga mediat ruse dhe shpesh nga mediat proruse. Letonëve nuk u lejohen të mbajnë shtetësi të dyfishtë ruse.
“Nuk shkoj në kurse sepse thjesht nuk kam para”, tha një grua rusishtfolëse për Current Time, teksa po priste para një qendre për testimin e njohurive të gjuhës. “Marr një pension prej 340 eurosh, çdo tre muaj. Më dërguan një copë letre nga Riga e cila thoshte se duhet të paguaj 70 euro për këtë gjë”.
“Me shumë gjasa nuk e kam kaluar testin. Unë thjesht u përgjigja në disa pyetje”, tha një burrë i moshuar. “Nuk ka sferë të komunikimit, nuk ka hapësirë komunikimi në Letoni”.
Më 2022, pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Parlamenti leton miratoi disa ndryshime në ligjin për migrim. Tani, në mënyrë që të zgjatet leja e qëndrimit në Letoni, poseduesit e pasaportave ruse duhet të konfirmojnë njohuritë e tyre në gjuhën letone, në nivelin që kërkohet për biseda në jetën e përditshme. Por, ky test nuk është kaluar nga shumë rusë që jetojnë në Letoni. Disa ankohen se është e vështirë për ta që të mësojnë një gjuhë të huaj në moshën e tyre, ndërkaq të tjerët thjesht refuzojnë që ta mësojnë këtë gjuhë.
Sipas disa burimeve, më shumë se 1.000 rusë kanë rënë nga provimi i gjuhës. Ligji leton thotë nëse ky test nuk kalohet, leja e qëndrimit në Letoni (përfshirë leja e përhershme e qëndrimit) anulohet dhe personi humb mundësinë që ligjërisht të qëndrojë në shtet. Gjatë 12 muajve të fundit, Zyra për Shtetësi dhe Çështje të Migrimit (PMLP) ka lëshuar 63 urdhra që njerëzit që kanë dështuar ta kalojnë testin duhet të largohen nga Letonia.
Në nëntë raste, zyrtarët letonë kanë dëbuar njerëz me forcë, ndërkaq 632 persona të tjerë që nuk e kanë kaluar provimin e gjuhës janë larguar nga vendi për në Rusi në mënyrë vullnetare, pa pritur që PMLP-ja të lëshojë urdhër për largimin e tyre.
Edhe afër 1.000 persona të tjerë aktualisht gjenden në një situatë të paqartë: Këta persona janë në mesin e atyre që kurrë nuk e kanë kaluar një provim të gjuhës apo nuk kanë dorëzuar dokumente për zgjatjen e lejeve të qëndrimit në Letoni. PMLP-ja po pret që ata të shpjegojnë arsyet se pse nuk kanë bërë diçka të tillë.
“Njerëzit japin shpjegime të ndryshme. Për shembull, ata thonë se nuk kanë pranuar letra nga shërbimi për migrim. Por, sigurisht ne kemi konfirmim se letrat paralajmëruese janë pranuar”, tha Madara Puke, zëdhënëse e PMLP-së. “Njerëzit thonë se u besojnë politikanëve që i kanë siguruar ata se Gjykata Kushtetuese do të nxjerrë një vendim pozitiv dhe se rregullat e reja nuk do t’i prekin ata. Shumë vërtetë besuan deri në momentin e fundit se kjo nuk do t’i prekte, prandaj ka shumë arsyetime”.
Sipas statistikave zyrtare për vitin 2024, 63 për qind e banorëve në Letoni janë deklaruar si letonë etnikë, 23 për qind rusë, 3 për qind ukrainas, 3 për qind bjellorus dhe 2 për qind polakë. Por, sipas të dhënave zyrtare për vitin 2022, 62 për qind e banorëve deklaruan se flisnin gjuhën letone në shtëpi dhe 35 për qind atë ruse.
Sa u përket pushtimit rus të Ukrainës, mendimet ndahen në vija etnike, në njëfarë mase. Sipas një sërë sondazhesh të kryera në Letoni në tre vjetët e fundit, të paktën 80 për qind e qytetarëve që flasin gjuhën letone e fajësojnë Rusinë për luftën. Në mesin e rusishtfolësve, kjo shifër është mes 32 dhe 38 për qind.
Përderisa Kremlini ka synuar që t’i portretizojë minoritetet rusishtfolëse në shtetet fqinje si komunitete të shtypura nga shumica, shumë rusishtfolës në Letoni e kanë distancuar veten nga agresioni i Kremlinit.
Partia Harmonia në Letoni, që përfaqëson rusishtfolësit, dikur ishte një parti që shihej gjerësisht si proruse dhe kishte lidhje me partinë në pushtet në Moskë, Rusia e Bashkuar. Por, kjo parti ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe një nga deputetët e saj, Boris Cilevics, i ka thënë BBC-së se “Rusia moderne është absolutisht analoge me politikën e Gjermanisë Naziste – e vetmja mundësi për normalizim është një disfatë ushtarake për Rusinë”.
Sipas PMLP-së, më shumë se 85 për qind e këtyre rusëve, që preken nga ligji i ri, veçse kanë kompletuar të gjitha dokumentet e nevojshme dhe ose kanë kaluar provimin për gjuhën ose janë duke e mësuar gjuhën letone dhe kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi, që është e vlefshme derisa ta kalojnë testin.
Por, mediat shtetërore ruse dhe propaganda kanë trajtuar çështjen e dëbimeve të atyre që nuk e kanë kaluar provimin dhe kanë pretenduar se kjo paraqet diskriminim kundër të gjithë rusishtfolësve. Për më shumë se një vit, mediat ruse kanë përsëritur kronikat se Letonia “me forcë po dëbon pensionistët rusishtfolës”.
Qeveria letone ka theksuar se nuk ka diskriminim kundër rusishtfolësve në këtë shtet: Letonia vendos kërkesa të njëjta për gjuhën për të gjithë të huajt që duan të pajisen me leje qëndrimi. Ata që nuk e kalojnë testin, po ashtu dëbohen.
“Në Letoni, shumë urdhra të migrimit lëshohen çdo vit. Është një procedurë e përgjithshme. Mendoj se edhe në këtë rast, ne nuk duhet të presim që të ketë trajtim të posaçëm. Aktualisht, është e qartë se disa njerëz veçse janë larguar, pa kontaktuar Zyrën për Shtetësi dhe Çështje të Migrimit”, tha kryeministrja letone, Evika Silina. “Por, propaganda ruse gjithmonë zgjedh që t’i shtrembërojë siç do lajmet për Letoninë”.
Ndryshimet në ligjin për migrim në Letoni prekin përafërsisht 25.000 njerëz. Debati publik brenda shtetit çoi që Parlamenti leton të ndryshonte ligjin në shtator të vitit 2023: Kërkesat për gjuhën mbetën në fuqi, por njerëzve u dha më shumë kohë që ta mësonin gjuhën dhe ta kalonin testin. Kjo vlen për banorët që kanë marrë shtetësi ruse pas majit të vitit 2003 dhe veçse kanë tentuar ta kalojnë testin, por kanë dështuar, apo që nuk i janë nënshtruar testit për arsye të qëndrueshme.
“Ndryshimet e ligjit për migrim janë të nevojshme”, tha gazetarja letone, Inga Springe për Current Time në shtator të vitit 2023. “Jam e sigurt se ky ligj ka nevojë të përfshijë edhe limitin e moshës deri në 65 vjeç”.
“Shumica nga ta janë njerëz në moshë, që kanë probleme shëndetësore dhe aftësi jo të duhura mendore”, shtoi Springer. “Ne, si shtet jemi ngufatur në këtë çështje dhe nuk dimë çfarë të bëjmë. Tani kemi 10.000 njerëz që nuk e kanë paraqitur fare këtë provim. Shumica nga ta duhet t’i nënshtrohen sërish testit. Dhe, nëse tani lejet e tyre të qëndrimit skadojnë, është e qartë se askush nuk do t’i dëbojë ata. Është e pamundur që të dëbohen kaq shumë njerëz nga shteti”.
Një padi kolektive po ashtu ishte ngritur në Gjykatën Kushtetuese të Letonisë kundër kërkesave për gjuhën, por Gjykata vendosi se kërkesat për gjuhën ndaj shtetasve rusë janë të ligjshme.
“Shtetësia është koncept serioz. Tregon zgjedhjen që një person ka bërë sa i përket se me cilin shtet ai ose ajo shprehin besnikërinë dhe solidaritetin”, tha Aldis Lavins, kreu i Gjykatës Kushtetuese. “Ky rast ka të bëjë me ish-shtetas letonë dhe joshtetas që kanë vendosur se duan ta lidhin besnikërinë e tyre me Federatën Ruse. Ne duhet ta kuptojmë se në situatën aktuale gjeopolitike, kur Federata Ruse ka nisur luftë kundër Ukrainës dhe po ndërmerr veprime jomiqësore ndaj Letonisë, duke vendosur një kërkesë të tillë, shteti po ofron një mekanizëm për të siguruar që shtetasit rusë, që kanë qëndrim të përhershëm këtu të mos paraqesin kërcënim për shoqërinë letone”.
Ndërkaq, autoritetet rajonale ruse kanë thënë se janë të gatshëm të pranojnë rusishtfolësit e dëbuar nga Letonia. Guvernatori i Pskovit, Mikhail Vedernikov, veçse ka premtuar se rajoni do t’i ofrojë çdo të dëbuari ndihmën e nevojshme. “Qendra për akomodimin e përkohshëm, praktikisht është gati”. /Radio Evropa e Lirë/