Takimi i 24 tetorit mes Kosovës dhe Serbisë ka një rëndësi strategjike duke ndodhur në një moment delikat të politikës rajonale. Njohësit e zhvillimeve politike në vend, konsiderojnë se ky takim , i caktuar nga BE, për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të fillimit të shpejtë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, do të duhet të ishte kthesë vendimtare në zhbllokimin e këtij procesi, i ndikuar fillimisht nga zgjedhjet në Serbi dhe më pastaj edhe nga ato në Bashkimin evropian
Gashi: Serbia me projekt për ruajtje balancash të interesave strategjike mes ShBA-së dhe Rusisë
Njohësi i zhvillimeve politike dhe të sigurisë, ish Ministri i Brendshëm i Kosovës Bejtush Gashi, konsideron se ky është një moment kritik, sidomos Qeverinë e Kosovës, e cila pritet të angazhohet në avancimin e dialogut dhe stabilizimin e marrëdhënieve rajonale.
“Qeveria Kurti ka theksuar rëndësinë e një qasjeje konstruktive dhe të bazuar në parimet e drejtësisë dhe barazisë gjatë bisedimeve me Serbinë. Kurti do të kërkojë angazhimin e fortë të BE-së si lehtësues të procesit, duke theksuar se vetëm me një mbështetje të qartë dhe aktive mund të arrihet një zgjidhje afatgjatë. Pritet që takimi të shërbejë si një mundësi për të zhbllokuar procesin e dialogut, veçanërisht pas zhvillimeve politike në Serbi dhe angazhimeve të Vuçiqit për të siguruar mbështetje ndërkombëtare”, thotë Gashi për “Kosova Times”.
Sipas Gashit, Qeveria Kurti ka shprehur gatishmërinë për të biseduar dhe për të arritur kompromise, me kusht që ato të mos dëmtojnë interesat e Kosovës. Megjithatë, pavarësisht optimizmit për një avancim, Qeveria është e vetëdijshme për ndjeshmërinë e situatës politike thotë ai sepse Serbia vazhdimisht luan lojën e dyfishtë.
“Një qëndrim i ngurtë nga ana e Serbisë, veçanërisht në lidhje me çështjet e drejtave të serbëve në veri, mund të ndikojë negativisht në dialog. Takimi i 24 tetorit paraqet një mundësi për të avancuar dialogun dhe për të ndihmuar në krijimin e një atmosfere besimi mes palëve. Qeveria Kurti shpreson që të dyja palët të tregojnë gatishmëri për të punuar së bashku drejt një zgjidhjeje që kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përpiqet të sigurojë mbështetje nga ShBA dhe BE, ky takim mund të shërbejë si një mundësi për të avancuar dialogun”, thekson Bejtush Gashi.
Sipas tij, deklaratat e Vuçiqit sugjerojnë se ai po luan një lojë të dyfishtë; megjithatë, ky takim mund të shënojë një kthesë në zhbllokimin e procesit, veçanërisht pas zgjedhjeve në Serbi dhe ato të Bashkimit Evropian, pasi që Serbia po provon të ruaj një lloj balancë në raportet mes ShBA-s dhe Rusisë, për interest e saja.
“Vuçiqi ka theksuar nevojën për angazhim më të madh nga ShBA për të adresuar sfidat që përballen serbët në Kosovë. Kjo kërkesë për mbështetje, e cila përkon me bisedat e tij me zyrtarët amerikanë dhe evropianë, tregon se ai po përpiqet të krijojë një terren më të favorshëm për bisedime. Bisedat e tij me Vladimir Putin, ku Vuçiqi shprehu se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, tregojnë se ai po përpiqet të ruajë një balancë të ndjeshme mes orientimeve perëndimore dhe marrëdhënieve me Moskën. Kjo dinamikë mund të ndikojë në mënyrën se si do të zhvillohet dialogu, me pritshmërinë për të gjetur një zgjidhje që do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit”, thekson Gashi.
Madje ai mendon se takimi i 24 tetorit do të jetë një moment kyç për të parë nëse këto përpjekje do të rezultojnë në përparime konkrete në dialogun mes dy vendeve.
“Përkushtimi i Bashkimit Evropian për të ndihmuar në zhbllokimin e dialogut është jetik. BE-ja ka një rol të rëndësishëm si lehtësues i këtyre bisedimeve dhe duhet të tregojë një angazhim të qartë për të arritur një marrëveshje. Megjithatë, ndjeshmëria e situatës politike mund të sjellë sfida. Nëse liderët e të dyja palëve paraqiten me qëndrime të ngurta dhe pa gatishmëri për kompromise, mundësia për një kthesë pozitive do të zvogëlohet. Suksesi i takimit do të varet nga atmosfera e përgjithshme dhe strategjitë e miratuara nga të dyja palët. Ky takim ofron një mundësi për të avancuar dialogun, por është e nevojshme që të dyja palët të demonstrojnë gatishmëri për të punuar drejt një zgjidhjeje afatgjatë”, tha Gashi për “Kosova Times”.
Gani Qarri: Lëshimet e deritashme të BE-së ndaj Serbisë nuk na japin arsye për të shpresuar dhe besuar në rezultat pozitiv
Analisti politik Gani qarri thotë se në fakt, pas zhbllokimit të CEFTA-së dhe samitit të Berlinit, Kosova me synimin që të ruhet e forcohet edhe më tej, fryma e fqinjësisë së mirë dhe në shenjë respekti të marrëveshjeve të nënshkruara nga 6 vendet pjesëmarrëse në takimin e Berlinit, Qeveria e Kosovës, për avancimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, me gjithë bllokimin nga e ashtuquajtura “republika srpska” të hyrjes së shtetaseve të Republikës së Kosovës në Bosnjë e Hercegovinë, mori vendim për heqjen e njëanshme të vizave për qytetarët e Bosnjë Hercegovinës. Por përkundër të gjithave sa bënë Kosova, për të forcuar frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, BE përveç mos-ndërmarrjes së asnjë vendimi dhe mos-mbajtjes së qëndrimi të qartë e të vendosur, lidhur me sulmin terrorist serb në Banjë të Zveçanit edhe pas kalimit të më tepër se një viti, nga agresioni i armatosur serb në Kosovë, sikur mos të mjaftonte që akoma vazhdon të mbaj në fuqi masat e padrejta ndëshkuese dhe në vend se të bëjë ndonjë hap pozitiv, për rikthimin e besimi të humbur të Kosovës në emisarët pro-serb të BE-së, si Lajçak e Josep Borell, të cilët gjatë gjithë mandatit të tyre, kanë mbajtur hapur, anën e Serbisë në dialog, BE befasoi të gjithë, me vendimin e saj më tepër se harbut, duke bërë liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale të Strukturave paralele të Serbisë.
Qarri thotë se Pasaporta të kundërligjshme e jo valide, ku nga Qendra ilegale serbe, qytetet e Kosovës paraqiten rrejshëm, si qytete të Serbisë”, është akt me të cilin BE, vë në lojë edhe çështjen e statusit politik, por edhe trajton në mënyrë të dyshimtë dhe dualiste, territorin e Republikës së Kosovës, duke aluduar qoftë edhe në formë metaforike, se për serbët (Kosova) “është” territor i Serbisë, kurse për shqiptarët, territor i Kosovës, akt i hapur dyfytyrësh dhe shumë fyes, me të cilin vërtetë e ka humbure tërësisht edhe atë pak besim, që kishte Kosova në këtë organizatë të rëndësishme politike e ekonomike evropiane dhe ndërkombëtare, nga e cila fatkeqësisht ekonomikisht dhe politikisht është jo pak, por fort e varur si vend i ri dhe në shtetndërtim!
“Prandaj edhe nën këto kushte, të organizohen takime, po nga kjo BE, kinse për të zhvilluar dialog, kur vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale në ShBA, dhe vetëm disa muaj nga zgjedhjet nacionale në Kosovë, krejt kjo uverturë nuk mund të jetë në të mirë ë Kosovës, por ka për qëllim vetëm avancimin e interesave të Serbisë në rrugëtimin saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe arsyetimin e vazhdimit të mandatit të ndërmjetësuesit kontrovers sllovak, emisarit Mirosllav Lajçak, duke e shitur këtë edhe si mashtrim të hapur para opinionit publik, se kinse Kosova dhe Serbia vazhdojnë të dialogojnë, gjë që vërtet është vetëm një farsë burokratike e dyshes kontroverse politike të BE-së si Borell e Lajçak dhe asgjë më tepër. Për pasojë, takimi i 24 tetorit, nuk pritet të jetë vazhdim i dialogut të njëmendtë në nivelin e lartë mes Kosovës dhe Serbisë, as takim me pritje serioze, për kthesë vendimtare në zhbllokimin e këtij procesi, i cili fillimisht ishte i ndikuar nga zgjedhjet në Serbi e më pastaj edhe nga mbajtja e zgjedhjeve në Bashkimin Evropian”, tha analisti Gani Qarri për “Kosova Times.
Sipas tij, BE ka dështuar plotësisht në dialog, e cila përveç mbajtjes anë dhe humbjes së besimit nga pala kosovare, ajo edhe pas kalimit të më tepër se një viti, nga agresioni terrorist serb, nuk doli me pozicion të qartë lidhur edhe me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, madje nuk reagoi as për mosdorëzimin e kryeterrosistit Millan Radojç & Co, nga Serbia në Kosovë, edhe pas ngritjes së aktakuzës ndaj tyre, dhe në vend se të shënoi një moment, sado të vogël pozitiv dhe rikthejë besimin e humbur të Kosovës në emisarët pro-serb të BE-së, pikërisht në prag të takimit të 24 tetorit, zëdhënësja e BE-së, Ana Pisonero, paralajmëron se edhe ndarja e mjeteve të parapara për Kosovën, do të bëhet vetëm pas vlerësimit të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, i cili siç dihet akoma drejtohet nga njerëz si Josep Borell, që ka nën mbikëqyrje edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Qarri po ashtu mendon se vetë situata elektorale në ShBA dhe në Kosovë mund ta lënë akoma nën hije dhe në rend të dytë dinamikën e zhvillimit të dialogut dhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes për të filluar me hapa konkret në normalizim mes dy vendeve.
“Kështu që, megjithëse i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaron se ai qenka marrë seriozisht me përgatitjet për takimin e 24 tetorit në Bruksel, dhe se gjoja edhe nën këto kushte, është koha që marrëveshja mes palëve të zbatohet, kur vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale në ShBA, dhe Kosova gjendet po ashtu, në prag të zgjedhjeve nacionale, krejt kjo tingëllon vetëm si një farsë naive burokratike dhe plotësisht e pabesueshme e BE-së”, thekson Gani Qarri.
Sipas tij, për aq më tepër Lajçak, të dielën ka shkruar edhe në Facebook, se në takimin e fundit me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, kanë diskutuar thellë mbi çështjen si dhe për hapat e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, pa cekur asnjë informacion të besueshëm, se edhe pas dërgimit të letrës, nga ish kryeministrja serbe Ana Brnabiq, në dhjetorin e vitit të kaluar, Bashkimit Evropian në Bruksel, se Serbia heq dorë nga marrëveshja, qenkemi kaq afër normalizimit të marrëdhënieve, gjë që mund të “duartrokitet”, le të themi, si dëshirë e mirë, por jo edhe të konsiderohet akt serioz, që mund të qojë edhe në normalizimin e marrëdhënieve, veçanërisht nga ana e Serbisë hegjemoniste, e cila përveç mos tërheqjes së letrës denigruese të Ana Bërnabiqit, nuk tregon as gatishmëri dhe vullnet, për normalizim të marrëdhënieve me vendin tonë.
“Andaj lajm vërtetë i mirë për Kosovën, aktualisht është akomodimi pozitiv i qëndrimit të politikës së jashtme të ShBA-ve, i cili gëzon fort të gjithë qytetarët, i shprehur këto ditë nga vet ambasadori Jeffrey Hovenier, se Institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht legjitime në të gjithë territorin e saj, përfshi edhe veriun e Kosovës, duke shtuar se ShBA ndjehen të lumtura dhe krenare, për përkrahjen që kanë dhënë, për ndërtimin e këtyre institucioneve! Siç mund të ishte lajm i mirë, po qe e vërtet, deklarata premtuese e z. Lajçak, se BE, si institucion, është e përgatitur edhe për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që do të ishte jo vetëm shtytje dhe një ofertë joshëse për lëvizjen pozitive përpara por edhe promotor i njëmendtë për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm, në zbatimin e Marrëveshjes dhe trasimin e rrugës drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”, theksoi Gani Qarri.
Ai mendon se akt që do të shihej si qëndrim pozitiv dhe i ndodhur në kohën e duhur, i cili me ikjen e Borellit dhe marrjen në dorë të Politikës së Jashtme të BE-së, është nëse nga zonja Kaja Kallas, pritet të ndryshojë edhe qëndrimin aktual të Bashkimit Evropian, duke reflektuar pikësëpari në trajtimin e barabartë të Kosovës në dialog, si hap primar që do të prodhonte edhe përparim të baraspeshuar në bisedimet me Serbinë, si dhe do të ndikonte në njohjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, dhe qonte në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve dialoguese.
Aziri: Edhe raundi i 24 tetorit i konstruktuar për të dështuar sikur agjendat e muajve dhe vitit të kaluar
Përpjekje e dështuar, do të jetë edhe takimi i 24 tetorit sipas analistit Arsim Aziri, pasi që ai mendon se Serbia nuk ka ndryshuar për asnjë segment në qëndrimin e saj politik në raport me Kosovën.
“Nuk pres asgjë prej këtij takimi, dhe konsideroj se as vetë bartësit e këtij qëllimi nuk shohin perspektivë drejt procesit dialogues. Si mund të shpresohet për rikthim të procesit dialogues kur akoma Serbia nuk është ndëshkuar për rastin e Banjskës dhe prej gjithë veprimeve destruktivë që aplikon në Kosovë? Si mund ta shtyjnë këtë proces kur dihen shkaqet e bllokadës, arsyet pse po ndodh një gjë e tillë? Kosova, procesin dialogues duhet ta kushtëzojë me drejtësinë që duhet t’i bëhet këtij akti terrorist, t’i vendosë premisa krejtësisht në funksion të ndëshkimit të Serbisë, dhe fugurave që kanë udhëhequr me këtë organizim, me pretendime territoriale. S’ka arsye pse një proces i tillë të pritet të jetë progresiv, derisa Serbia nuk pranon nënshkrimin e marrëveshjeve dhe fillimin e zbatimit të tyre ashtu sikur që palët janë dakorduar në dialogun e ndërmjetësuar nga zyrtarët e BE-së të cilët do të duhet të ishin tani edhe garantues të zbatimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë”, theksoi Aziri për “Kosova Times”.