Gjykatësi Andrei Pluzhnikov nga gjykata ushtarake e qarkut në Moskë e shpalli Berezhinskayan fajtore për “arsyetimin e terrorizmit”, për “përhapjen e të dhënave të rrejshme për ushtrinë ruse” si dhe për “përçmimin e Forcave të Armatosura të Rusisë”.

Prokuroria kishte kërkuar 10 vjet burgim për Berezhinskayan.

Berezhinskaya, 43-vjeçare, e cila nuk pranoi të dëshmonte gjatë gjykimit, e pranoi fajësinë pjesërisht.

Në fjalinë e saj përfundimtare para gjykatës, Berezhinskaya tha: “I nderuar, nuk kam asgjë të të them, asgjë për të shtuar. Do ta pranoj secilin vendim tuaj”.

Pasi gjykatësi e mori vendimin, Berezhinskaya u arrestua në vend.

Para dhe gjatë gjykimit, ajo ishte urdhëruar të mos largohej nga Moska.

Berezhinskaya, e cila është nënë e dy fëmijëve të moshës 8 dhe 10-vjeçare, është diagnostikuar me çrregullime të personalitetit, por gjykata tha se ajo nuk ka nevojë të shtohet në spital.

Zyrtarët ruse i kanë përdorur dukshëm akuzat si përçmimi i Forcave të Armatosura të vendit apo përhapja e informatave të rrejshme për ushtrinë, për t’ua mbyllur gojën qytetarëve që e kundërshtojnë agresionin e Moskës në Ukrainë, prej se nisi pushtimi i plotë i shtetit fqinj në shkurt 2022.