Ka kaluar një dekadë prej kur Asel Baimuqanova përpiqet të mësojë më shumë rreth fokave të Kaspikut dhe shkaqeve të rënies drastike të numrit të tyre – një kërkim që filloi me një shikim, që ajo i hodhi prej afër njërës fokë dhe rezultoi pastaj për të në shumë net pa gjumë.
“U afrova duke u zvarritur dhe pashë fokën, që mezi merrte frymë, me qafën e mbështjellë në një rrjetë peshkimi që ia kishte prerë lëkurën”, tha ajo.
Baimuqanova ishte bashkuar me një grup kërkuesish ndërkombëtarë që po vëzhgonin fokat. Që atëherë, ajo ka marrë pjesë në dhjetëra ekspedita, shpesh duke kaluar orë të tëra pa lëvizur në kushte të vështira.
“Nëse qëndron i qetë në breg, ato mund të të lejojnë t’iu afrohesh deri në një metër larg”.
“Njëherë, teksa qëndroja atje, disa foka tentuan të shtriheshin pranë meje. Isha aq e lumtur që ndoshta ato po më shihnin si një prej tyre. Ndonjëherë edhe ato bëjnë ‘kërkimin’ e tyre. Nuk je vetëm ti kureshtari; edhe ato dinë të të vëzhgojnë ty”, u shpreh Baimuqanova duke shtuar:
“Me to ti ndërton një komunikim, një lidhje. Është një ndjesi e jashtëzakonshme, me të cilën çdo biolog mund të lidhet: kur je në kontakt me diçka të mrekullueshme”.
Fokat e Kaspikut janë të vetmit gjitarë detarë në Detin Kaspik dhe nuk jetojnë askund tjetër.
Në fillim të shekullit XX, numri i fokave të Kaspikut arrinte mbi 1 milion, ndërsa sot mendohet të kenë mbetur mes 70.000 dhe 300.000 specie të tilla. Shifrat nuk janë të sakta, pasi nuk janë studiuar tërësisht.
Baimuqanova punon në Institutin e Hidrobiologjisë dhe Ekologjisë, një organizatë jofitimprurëse që studion nëse fokat e Kaspikut mund të përshtaten në një mjedis në ndryshim e sipër.
Një kombinim faktorësh – aktiviteti njerëzor, ndotja, ndryshimet klimatike dhe tërheqja nivelit të ujit në Detin Kaspik – të gjithë luajnë rol. Tërheqja e detit shkakton zhdukjen, zhvendosjen ose bashkimin e ishujve, duke detyruar fokat të gjejnë vende të reja për të pushuar.
“Midis viteve 2009-2011, ishujt Durneva në Kaspikun verior strehonin deri në 25.000 foka. Në vitin 2016, mbetën rreth 200 sosh. Më 2019, vetëm 69. Ndërsa niveli i detit ra, ishujt u bënë më të cekët dhe fokat filluan të kërkonin vende të tjera”, rrëfeu Baimuqanova.
“Për më tepër, Kaspiku përjeton cikle ku nivelet e ujit ndryshojnë për shkak të llojeve të erës. Kjo situatë, ku zonat e pushimit thahen, ka ekzistuar gjithmonë. Ndoshta fokat kanë aftësinë t’iu përshtaten këtyre luhatjeve dhe do të vazhdojnë të mbijetojnë”.
Ndotja është një tjetër kërcënim serioz. Peshqit, që konsumohen si nga njerëzit ashtu edhe nga fokat, përmbajnë mikroplastikë por edhe makroplastikë.
“Në stomakun e pesë lloje peshqish, gjetëm këto plastika. Ato janë toksike, akumulohen në trup, dobësojnë imunitetin dhe mund të shkaktojnë sëmundje”, shpjegoi ajo.
Në verilindje të Kaspikut, ku fokat mblidhen në pranverë dhe vjeshtë, ndikimi njerëzor është relativisht i ulët. Megjithatë, ndërsa uji i detit tërhiqet, zonat e pushimit mund të zhvendosen më në veri, më pranë zonave të banuara.
Çdo pranverë, ekologët monitorojnë vdekshmërinë e fokave në Gadishullin Tupkaragan. Atje, stuhitë i hedhin në breg kafshët që kanë ngordhur gjatë dimrit për arsye të ndryshme.
Baimuqanova tha se vit pas viti, gjejnë foka me dëmtime mekanike: nofulla të thyera, këmbë të shqyera.
“Mundemi vetëm të hamendësojmë, por ndoshta gjatë dimrit fokat zihen nën helikat e prerësve të akullit”, tha ajo.
Së fundmi, janë regjistruar më shumë raste të ngordhjes masive në pjesën kazake të Kaspikut. Në fund të tetorit, 289 foka të ngordhura u gjetën përgjatë bregut të provincës Mangistau. Shkaku ende nuk është përcaktuar.
Pastaj, më 11 nëntor, u gjetën edhe qindra të tjera, duke e çuar numrin total të fokave të ngordhura në zonë në mbi 1.000, sipas raporteve zyrtare.
Një tragjedi e ngjashme ndodhi në vitin 2017, kur 247 foka të ngordhura u gjetën në Kazakistan, çka bëri që Baimuqanova të mendonte seriozisht të braktiste punën e saj.
“Ishte e vështirë t’i shihje. Gjithmonë i sheh të gjalla, tërheqëse dhe të lezetshme. Por, këtu valët i kishin hedhur në breg me qindra. Era e fortë e kalbjes ishte dërrmuese”, sqaroi ajo.
Mirëpo babai i saj, që tani drejton organizatën ku punon, e mbështeste vazhdimisht.
“Ai më tha, ‘nëse je vërtet e pasionuar për këtë, duhet të mësosh të përballesh jo vetëm me kafshët e gjalla, por edhe me të ngordhurat. Kjo sepse duhet t’i kuptosh arsyet’ “, tha ajo.
Qeveria kazake planifikon të krijojë një rezervuar natyror prej 109.500 hektarësh në provincat Manghystau dhe Atyrau për t’i mbrojtur speciet, për të rehabilituar kafshët e sëmura dhe për të kryer kërkime.
Baimuqanova dhe ekipi i saj janë në favor të zgjerimit të kësaj zone dhe para dy vjetësh zhvilluan një plan të detajuar për ruajtjen e fokave, por ky plan ende nuk është miratuar nga autoritetet.
Ndërgjegjësimi është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e punës së saj. Në faqen e saj në Instagram, Baimuqanova ndan histori dhe rrëfime nga ekspeditat dhe nga përvoja e saj me fokat.
“Secila ka karakterin e vet. Njërës prej tyre nuk i pëlqenim fare kur merrnim mostra prej saj. Kur e liruam, filloi të ‘na qortonte’, duke u pozicionuar në mes të grupit të kërkuesve dhe duke gulçuar. Nuk u qetësua derisa iu afrua secilit prej nesh. Pastaj, u kthye nga pajisjet tona, duke u zvarritur në drejtim të tyre. Fillova të kërkoja falje, duke u përpjekur ta bindja të kthehej në det”, tha Baimuqanova duke buzëqeshur.
Ajo tha se po përpiqet të mos e humbë optimizmin dhe gjen gjëra pozitive edhe në mes të vështirësive gjatë ekspeditave.
“Nëse bën ftohtë, bëj supë me speca. Marrim ëmbëlsira dhe kafe. Nuk jam e dhënë pas ëmbëlsirave, por në kushte të tilla do t’i dëshironte çdokush. Të ulesh mbi një ulëse pranë detit, të pish kafe, të hash xhenxhefil — është e përkryer”, tha ajo.
Baimuqanova theksoi se bregdeti i Kazakistanit është vendimtar për këto kafshë, meqë rreth 98 për qind e tyre pushon aty në pranverë dhe vjeshtë.
Kjo, sipas saj, i jep Kazakistanit një përgjegjësi të veçantë për mbijetesën e tyre. /Radio Evropa e Lirë/