Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqene Sociale, në mbledhjen e sotme drejtuar nga kryetarja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, kishte për trajtim shqyrtimin e draftraportit të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Ndërmarrjet Sociale.

 

Kryetarja Mulhaxha Kollçaku tha se ky ligj ka vendosur bazën ligjore të mjaftueshme për funksionim të ndërmarrjeve sociale, por që nuk ka gjetur zbatimin e duhur në praktikë.

Ndër të tjera ajo tha se ligji ka disa mangësi dhe paqartësi dhe sipas saj disa ndryshime në ligj mund të ndihmojnë që ai të bëhet më i kuptueshëm, më i zbatueshëm dhe tërheqës për personat dhe organizatat potencialisht të interesuara për themelimin e ndërmarrjeve sociale.

Deputetja Labinotë Demi-Murtezi nga grupi punues tha se ky ligji ngërthen komponentën humane dhe ka ardhur si nevojë për ta pasuruar legjislaturën e vendit tonë.

Pas diskutimeve të deputetëve komisioni miratoi raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ndërmarrjet Sociale.