By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Kosova TimesKosova Times
Notification Show More
Latest News
Horoskopi ditor për 14 maj
May 14, 2025
Shqipëria kualifikohet në finalen e Eurovision 2025, Rama: Shndrit, shndrit
May 13, 2025
`Zjerm në Eurovision`, Kurti fton shqiptarët të votojnë
May 13, 2025
Rama dhe qeverisja e katert e tij,ne raport me Kosoven ?!
May 13, 2025
Kancelari gjermane nuk përjashton sanksione të reja të ashpra kundër Rusisë
May 13, 2025
Aa
  • Ballina
  • Politikë
    • Lajme
    • Tema
    • Gjeopolitikë
    • Opinion
  • Rajon / Botë
  • Ekonomi
    • Lajme
    • Tema
    • Financa
    • Turizëm
    • Bujqësi
  • Kulturë
    • Lajme
    • ShowBiz
    • Moda
  • Shëndetësi
  • Sport
  • Hi-tech
    • Teknologji
    • Shkencë
Reading: Kasanof: Çështjet e SPAK-ut do të arrijnë ku të çojnë provat
Share
Aa
Kosova TimesKosova Times
Search
  • Home
    • Home News
    • Home 2
    • Home 3
    • Home 4
    • Home 5
  • Categories
  • Bookmarks
    • Customize Interests
    • My Bookmarks
  • More Foxiz
    • Blog Index
    • Sitemap
Have an existing account? Sign In
Follow US
Kosova Times > Blog > Ballina 2 > Kasanof: Çështjet e SPAK-ut do të arrijnë ku të çojnë provat
Ballina 2Rajon / Botë

Kasanof: Çështjet e SPAK-ut do të arrijnë ku të çojnë provat

Kosova Times
Last updated: 2024/12/20 at 6:10 PM
Kosova Times Published December 20, 2024
Share
SHARE

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, thotë se “çështjet që ndjek SPAK do të arrijnë kudo ku të çojnë provat”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Kasanof thotë se në takimet që ai pati gjatë vizitës në Tiranë, ka vënë theksin te rëndësia që ka sundimi i ligjit duke nënvizuar se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Lidhur me zhvillimet në Kosovë, zoti Kasanof shprehet se nuk mund të bëjë komente mbi qëndrimet e administratës së ardhshme

Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri, që pas marrjes së detyrës. A mund të ndani me ne cilat ishin çështjet kryesore të diskutuara me autoritetet shqiptare?

Alexander Kasanof: Së pari, Armand, është kënaqësi të jem me ju sot. Faleminderit për ftesën në programin tuaj. Dëshiroj të them se është kënaqësi e madhe të jem këtu në Tiranë. Është vërtet vizita ime e parë këtu, por nuk mund të isha më i lumtur që e bëj këtë vizitë të rëndësishme në një kohë të rëndësishme. E dini, bëjmë shumë në partneritet me Shqipërinë. E mbështesim qeverinë dhe reformat që ajo po ndjek në rrugën për anëtarësimin në BE saqë mendova se ishte e rëndësishme t’i kushtoja një udhëtim më vete Shqipërisë, në detyrën time të re, siç e përmendët, për t’u siguruar që të kishim mundësinë të bisedonim me qeverinë si dhe njerëz jashtë qeverisë dhe për të shprehur mbështetjen tonë për reformat në vazhdim, sidomos në sundimin e ligjit dhe sektorin e gjyqësorit si dhe mbështetjen tonë për pavarësinë dhe misionin e institucioneve të tilla si SPAK, të cilin, siç e dini e mbështesim fort, dhe duam të shohim ta vazhdojnë punën e tyre. Për këtë arsye si dhe disa arsye të tjera për të cilat do të flas pas pak, mendova se ishte e rëndësishme të vija në Shqipëri për t’i kryer këto diskutime.

Biseduam me zyrtarë të ndryshëm, përfshi Kryeministrin lidhur me udhëheqësinë e tij në procesin e reformave për në BE. Dhe lidhur me këtë, e përgëzova për përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të kryer ato reforma dhe rezultatet që ato kanë siguruar për Shqipërinë, përfshi hapjen e një grup-kapitulli të dytë, çka është vërtet e përgëzueshme.

Biseduam për reformat e sektorit të drejtësisë dhe rëndësinë që ka vazhdimi i tyre. Biseduam për partneritetin tonë në shumë fusha kudo në botë, përfshi në kontekstin e NATO-s, por sigurisht edhe për punën që bëjmë bashkë në një numër institucionesh shumëpalëshe si OKB-ja dhe se sa mirënjohëse janë Shtetet e Bashkuara që e kanë një partneritet të tillë me Shqipërinë.

Tek SPAK, u sigurova që të flisja për mbështetjen e vazhduar dhe shumë të fortë për punën e atij institucioni. Është për t’u theksuar se në takimet e mia publike dhe private, fola për rëndësinë që ka sundimi i ligjit dhe se asnjë burrë a grua nuk është mbi ligjin dhe se çështjet që ndjek SPAK do të arrijnë kudo ku çojnë provat dhe kjo është diçka që e mbështesim jo vetëm si proces, por edhe si një radhë faktesh në terren që ndihmojnë për të luftuar korrupsionin dhe çrrënjosur krimin e organizuar, një përpjekje që Shqipëria po e kalon dhe që e kanë kaluar edhe vende të tjera, përfshi vendin tim, dhe një përpjekje që duhet ta fitojmë dhe prandaj është me rëndësi ta shohim suksesin e SPAK-ut.

Pra, këto janë disa nga çështjet që diskutuam. E vlerësova vërtet të gjithë kohën që m’u dha nga zyrtarët me të cilët u takova. Pres me kënaqësi të kthehem.

Zëri i Amerikës: Ju dhe e përmendët se SHBA kanë qenë një mbështetëse e fortë e SPAK-ut. Por, duket se agjencitë e tjera ligjzbatuese janë ende duke u përballur me sfida. Si e vlerësoni sistemin aktual të drejtësisë në vend, 8 vite pas reformës në drejtësi?

Alexander Kasanof: Mendoj se siç e dini, Armand, është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara që të vazhdojmë mbështetjen që po i japim qeverisë dhe institucioneve të pavarura si SPAK, por edhe të tjera, për të ecur përpara me punën për reformimin e sektorit të drejtësisë dhe përmirësimit të sundimit të ligjit. Është sfidë e vështirë. Dhe është sfidë e vështirë për çdo vend. Dhe është një sfidë për të cilën nevojitet mbështetja jonë e vazhdueshme. Pra, është punë e papërfunduar. Sigurisht, kjo vihet në dukje edhe nga disa prej reformave që BE ka nënvizuar se duhet të kryhen këtu. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndihmojnë kudo ku mundemi, si qeverinë dhe paketat e saj të reformave, por edhe institucionet e pavarura që të mbeten të pavarura dhe të ndërmarrin masat e duhura për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat, siç e përmenda më herët, janë një rezultat jashtëzakonisht i rëndësishëm që duam ta shohim të realizohet në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u përcaktua nga Departamenti i Shtetit në vitin 2021 për korrupsion madhor. Në atë kohë ai ishte vetëm deputet, ndërsa tani është kryetar i partisë kryesore opozitare. A mund ta ndryshojë kjo marrëdhënien mes Uashingtonit dhe zotit Berisha?

Alexander Kasanof: Dëgjo, Armand, normalisht nuk flas për personat e përcaktuar dhe hollësitë e atyre rasteve. Ajo që do të doja të ritheksoja këtu është se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet i rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar. Këto mjete janë ndërtuar për të ndihmuar agjencitë vendase në terren, sidomos agjenci si SPAK-u, që të arrijnë misionin e tyre, por janë ndërtuar edhe për të ndihmuar përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të reformave në vazhdim në sistemin e drejtësisë. Kjo është ajo që theksojmë. Dhe këtu do të mbetet theksi ynë dhe fokusi ynë i vazhduar.

Zëri i Amerikës: Megjithatë ka një pritshmëri të lartë në gjirin e opozitës, se administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, mund të ketë një qasje të re ndaj zoti Berisha. Dhe ka zëra të opozitës që presin që përcaktimi “non grata” të mund të anullohet. A ekziston një mundësi e tillë?

Alexander Kasanof: Nuk mund të flas në emër të administratës që vjen. Do të ishte e pavend. Por, mund të ritheksoj për ju që në administratën e tanishme, ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek këto reforma dhe të fokusohemi tek ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre.

Zëri i Amerikës: Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme vitin e ardhshëm. Disa nga shqetësimet kryesore në të kaluarën kanë qenë blerja e votave, shpërdorimi i fondeve shtetërore nga partia në pushtet dhe ndikimi i krimit të organizuar në këtë proces. A ndani dhe ju të njëjtat shqetësime dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

Alexander Kasanof: Pritshmëritë tona janë njësoj si për cilindo vend që zhvillon zgjedhje, që presim të shohim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që do të respektohet vullneti i popullit. Po ashtu, shpresojmë fort që do të shohim kandidatë që janë tërësisht të panjollosur nga korrupsioni apo nga lidhje me krimin e organizuar. Mendojmë se do të ishte rezultati më i mirë për Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Në fund të muajit të kaluar (29 nëntor) në veri të Kosovës ndodhi një shpërthim që dëmtoi infrastrukturën kyçe të furnizimit me ujë të vendit. Sa mund të ndikojë kjo procesin edhe kështu të komplikuar të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë?

Alexander Kasanof: Ai ishte një sulm i tmerrshëm. E kemi dënuar me fjalët më të forta të mundshme dhe do ta ritheksoj këtu që dënojmë çdo lloj sulmi të tillë. Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi ndihmuar duke vënë në dispozicion burime për këtë qëllim. Dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren, të shqyrtojë si duhet të gjitha informacionet aty dhe të punojnë me partnerët ndërkombëtarë në këtë kontekst për t’u siguruar që do të ngrihet një hetim i besueshëm. Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të fortë.

Zëri i Amerikës: Gjatë vizitës së mëhershme në Prishtinë ju keni theksuar se veprimet e pabashkërenduara që janë ndërmarrë nga qeveria atje, ndërlikojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur në mënyrë të suksesshme Kosovën. Tani që në Uashington do të ketë një administratë të re e cila nuk është se pati marrëdhënie fort miqësore me qeverinë e parë Kurti, a mendoni se kjo do të ndikojë në qasjen ndaj dialogut Kosovë Serbi?

Alexander Kasanof: E përsëris, Armand, nuk është me vend që të flas për një administratë të re dhe se cilat do të jenë politikat e saj. Kjo administratë, edhe teksa i afrohet fundit, do të mbetet e përqendruar tek ndihma për Kosovën, mbështetja për Kosovën, jo vetëm për reformat dhe përpjekjet që po bëjnë në rrugën e integrimit me strukturat euro-atlantike, por edhe teksa punojnë për çështje që janë në thelb të dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Po mbështesim një përfundim të suksesshëm dhe do të vazhdojmë t’u kërkojmë të dyja qeverive në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të bërë përparim në atë dialog. Do të vazhdojmë të ndihmojmë në këtë drejtim.

You Might Also Like

`Zjerm në Eurovision`, Kurti fton shqiptarët të votojnë

Kancelari gjermane nuk përjashton sanksione të reja të ashpra kundër Rusisë

Sirianët në të gjithë vendin festojnë pasi Trump heq të gjitha sanksionet

Kandidati për kryetar bashkie në Meksikë qëllohet për vdekje, të gjitha filmohen drejtpërdrejt

Lituania vendos sanksione ndaj Dodikut

TAGGED: #Alexander Kasanof, #SPAK-u
Kosova Times December 20, 2024
Share this Article
Facebook Twitter Email Print

Follow US

Find US on Social Medias
Facebook Like
Twitter Follow
Youtube Subscribe
Telegram Follow

Weekly Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

[mc4wp_form]
Popular News
Lajme

Haziri: Kurti e di se marrëveshja e tij e keqe nuk kalon, prandaj edhe kërkon një komision jashtë vendit

Kosova Times Kosova Times June 8, 2024
SHBA rrëzon 4 objekte fluturuese në 8 ditë
Gjobitet shoferi pas publikimit të vozitjes së rrezikshme në rrjete sociale
Në kufirin me Ukrainën, rajoni Bryansk, Rusia ka humbur një grup ajror
Shea: Kosova të bëjë gjithçka për ta përshpejtuar anëtarësimin në NATO
- Advertisement -
Ad imageAd image
Global Coronavirus Cases

Confirmed

0

Death

0

More Information:Covid-19 Statistics

Kategoritë

  • Politikë
  • Rajon / Botë
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Shëndetësi
  • Sport
  • Hi - tech

About US

Kosova Times We influence 20 million users and is the number one business and technology news network on the planet.

Subscribe US

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

[mc4wp_form]

© Kosova Times. All Rights Reserved.

Removed from reading list

Undo
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?