Sipas IKSHPK-së, edhe pse ky virus nuk është shpallur një emergjencë globale, autoritetet shëndetësore kanë forcuar masat e monitorimit dhe kujdesit për të parandaluar infektimin.

IKSHPK-ja ka theksuar se metapneumovirusi njerëzor, i cili shpesh shkakton simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm, përhapet përmes pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes, si dhe nëpërmjet kontaktit të ngushtë me individë të infektuar.

Simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë, ndërsa për personat më të ndjeshëm si fëmijët, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar, mund të shkaktojë komplikacione të rënda si bronkit apo pneumoni.

Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, IKSHPK rekomandon që individët të mbajnë maska në hapësira të mbushura me njerëz, të mbulojnë kollën dhe teshtitjen, të praktikojnë larjen e rregullt të duarve dhe të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë.

Ndërkohë, për çdo simptomë të dyshuar, është e rekomanduar konsultimi me mjekun për masat e kujdesit të duhur.