Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka pritur sot në takim Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian dhe Shefe e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë.
Sipas njoftimit nga Partia Demokratike e Kosovës, takimi është përqendrua në angazhimin e Kosovës për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente.
“Kryetari Krasniqi shprehu mirënjohjen për rolin e tyre të rëndësishëm në mbështetjen e sistemit zgjedhor të Kosovës. Ai theksoi rëndësinë e misioneve të mëparshme të BE-së në mbështetjen e reformave zgjedhore, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e besimit publik në procesin zgjedhor.
Tutje komunikata e PDK-së citon kreun e kësaj partie t’i ketë thënë delegacionit vëzhgues të BE-së se Kosova është krenare për traditën e organizimit të zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente.
“Respektimi i vazhdueshëm i rezultateve zgjedhore reflekton pjekurinë dhe vlerat tona demokratike”, ka thënë në këtë takim ai.
Në këtë tryezë është diskutuar edhe Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme që sipas PDK-së përbën moment historik në reformat zgjedhore të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se monitorimi dhe rekomandimet e misionit do të jenë thelbësore për vlerësimin e ndikimit të këtij ligji, identifikimin e përparësive dhe adresimin e çdo mangësie të mundshme.
Sipas PDK-së, në takim u diskutua përfaqësimi i grave në proceset politike, lufta kundër gjuhës së urrejtjes dhe sfidat e shkaktuara nga lajmet e rreme.
Ndërkohë, Loiseau që kryeson misionin e BE-së thuhet të ketë vlerësuar progresin e Kosovës duke rikonfirmuar përkushtimin e BE-së për të mbështetur rrugëtimin demokratik të vendit.