“Sot do ta kemi nënshkrimin e marrëveshjes për EFTA, e cila është një arritje e madhe. Ne kemi patur rritje të konsiderueshme në katër vitet e fundit, 6 për qind të BPV-së mesatarisht, duke mos shkuar asnjëherë poshtë 4 për qind. Ne duam të vazhdojmë të rritemi por eksportet janë shumë të rëndësishme, e eksporti i të mirave dhe shërbimeve është i përfshirë tashmë në EFTA”, u shpreh kryeministri në fillim të takimit.

Sipas komunikatës për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar shtetin e Norvegjisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës e veçanërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e rrugëtimin në procesin e integrimit evropian.

“Palët biseduan edhe rreth sfidave të përbashkëta të sigurisë e adresimit të tyre dhe rëndësisë së bashkërendimit. Kryeministri Kurti theksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, krahas linjëzimit të Kosovës me BE-në dhe shtetet anëtare në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjes së sanksioneve ndaj Rusisë”, thuhet në njoftim.

Duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Norvegjisë dhe bashkëpunimin e fuqishëm të dyanshëm, kryeministri  Kurti e falënderoi ministrin Eide për bashkëbisedimin dhe shkëmbimin në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.