Pas Kroacisë edhe në disa vende të Ballkanit është ndërmarrë iniciativa për bojkotimin e dyqaneve, restoranteve, pompave të derivateve si dhe shërbimeve të ndryshme. Në Kroaci sot është organizuar dita e dytë pas të premtes së kaluar, ndërsa veprim i ngjashëm është marrë sot edhe në Bosnjë Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

 

Në Bosnjë dhe Hercegovinë ka nisur bojkotimi i dyqaneve, restoranteve dhe pompave të derivateve nga qytetarët, në shenjë proteste për çmimet e larta të produkteve.

Një grup joformal i qytetarëve ka nisur një fushatë në rrjetet sociale për të tërhequr vëmendjen për ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve të konsumit të gjerë, si dhe të mallrave e shërbimeve.

Ky grup joformal i qytetarëve u ka bërë thirrje qytetarëve që ta reduktojnë në masë të madhe pazarin ditor, t’i blejnë vetëm gjërat më të nevojshme ndërsa me 31 janar të mos bëjnë pazar fare.

Kjo fushatë e bojkotimit të dyqaneve në Bosnjë dhe Hercegovinë është e ngjashme me atë të organizuar në Kroaci të premten e kaluar, por po vazhdon edhe sot. Për bojkotin e sotëm, organizatorët në Kroaci i kanë shtuar edhe listën e institucioneve dhe shërbimeve që duhen bojkotuar, përfshirë pagesën e faturave, shërbimet hoteliere, akomodimin, transportin, si dhe dërgesat. Të dhënat e Administratës Tatimore në Kroaci kanë treguar se shitja ditën e parë të bojkotit, të premten e kaluar, ka qenë për 44% më e ulët, ndërsa shuma totale e faturave të lëshuara ka qenë për 53% më e ulët se e 24 janarit.

Bojkotim i pazarit ditor si dhe shërbimeve te tjera është organizuar edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi.