Situata me mbeturinat po përkeqësohet në kryeqytet, kur janë bërë tashmë dhjetë ditë prej kur është shpallur gjendje emergjente, u tha në një konferencë për medie, të mbajtur nga ekzekutivi i kryeqytetit.
Nga drejtorë të kësaj komune, përgjegjëse për këtë gjendje thuhet se është kompania “Pastrimi”. Sipas Bekim Brestovcit, drejtor i shërbimeve publike, kjo kompani nuk po e bën shpërndarjen e kontejnerëve të rinj, e edhe kamionët e rinj i kanë lënë jashtë funksionit.
E drejtori për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica, tha se kjo gjendje ka ndikuar në rritjen e rrezikut nga zjarri, bllokim të hapësirave, rrugëve dhe rreziqe të tjera.
Nga komuna thanë se do të ndërmarrin masa ndaj kompanisë “Pastrimi”, derisa theksojnë se do të punojnë në zgjidhjen e situatës.
E kryeshefi i kësaj kompanie, Petrit Reçica, të gjitha këto i quajti të paqëndrueshme, ku sipas tij e gjithë kjo po bëhet për të kontraktuar operatorë privatë.
Ai foli edhe për akuzat e komunës sa i përket mosfutjes në funksion të kontejnerëve dhe kamionëve të rinj.
Reçica tha se janë duke u angazhuar maksimalisht për një kryeqytet të pastër.