Ashtu siç tanimë është bërë traditë, me rastin e fillimit të muajit të Ramazani, sonte, në mënyrë simbolike janë ndezur dritat dekorative të pjesës së Prishtinës së vjetër.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Tërnava tha se tashmë është bërë traditë që në fillim të Ramazanit të dekorohet një pjesë e Prishtinës, duke shprehur kështu edhe më shumë madhështinë e këtij muaji të bekuar.
Ai me këtë rast falënderoi kryetarin Rama dhe familjen Hertica.
Tërnava me këtë rast uroi edhe një herë gjithë besimtarët myslimanë për ardhjen e muajit Ramazan, duke lutur Zotin që t’ua pranojë ibadetet dhe adhurimet gjatë këtij muaji.
Ndërkaq kryetari Rama, tha se jemi duke punuar që ditëve në vazhdim të ndezim drita edhe në pjesë të tjera të Prishtinës, për ta bërë edhe më madhështor këtë muaj. Ai uroi gjithë besimtarët myslimanë për fillimin e Ramazanit, duke u uruar agjërim të lehtë dhe të pranuar.