Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se seminari u fokusua në finalizimin e ‘Strategjisë së Menaxhimit të Rrezikut Doganor të CEFTA-s për periudhën 2025-2028′, duke integruar praktikat më të mira në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Theksi u vendos në shfrytëzimin e teknologjisë për të rritur efikasitetin dhe sigurinë në lehtësimin e tregtisë, ndërkohë që administratat doganore të CEFTA-s harmonizohen me standardet e BE-së dhe avancojnë integrimin e CEFTA-s me Bashkimin Evropian.

“Menaxhimi i rrezikut doganor luan një rol thelbësor në lehtësimin e tregtisë. Misioni ynë është të sigurojmë që, me burimet dhe mjetet në dispozicion, të mbështesim administratat doganore në rritjen e sigurisë, përmirësimin e efikasitetit dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme, duke minimizuar rreziqet. Së bashku, mund të vlerësojmë më mirë sfidat dhe, më e rëndësishmja, të kuptojmë se si t’i adresojmë ato. Ky është pikërisht qëllimi i Strategjisë që po zhvillojmë,” deklaroi Danijela Gacevic, drejtoreshë në detyrë e Sekretariatit të CEFTA-s.

“Integrimi doganor i Ballkanit Perëndimor është një element kyç për të nxitur stabilitetin dhe përparimin ekonomik,” deklaroi drejtori i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ministri Plenipotenciar Andrea Mazzella, duke theksuar se ADM është e përkushtuar të koordinojë këtë proces.

Si pjesë e programit, pjesëmarrësit vizituan Zyrën Doganore të Palermos, ku panë nga afër përdorimin praktik të pajisjeve skaner dhe laboratorin kimik të operuar nga ADM, duke marrë njohuri të vlefshme mbi teknikat e avancuara të kontrollit doganor dhe inspektimet e bazuara në rrezik