Në ora 16:00 është përmbyllur i gjithë procesi i numërimit të votave të ardhura përmes postës. Këtë e ka konfirmuar për RTKlive, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi. Ndërkohë, deri të mërkurën pasdite pritet që të përmbyllet i gjithë procesi i numërimit, pra edhe i votave me kusht e atyre të personave me nevoja të veçanta.
Numërimi i votave me kusht ka nisur qysh nga mëngjesi i sotëm e ky proces në 20 tavolinat numëruese sa ka QNR-ja do të vazhdojë edhe për ato të personave me nevoja të veçanta.
Ndonëse KQZ-ja, me planin e punës e kishte përcaktuar 5 marsin si datën më të largët kur mund të dilnin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, kjo nuk pritet të ndodhë, pasur parasysh vendimin e fundit të PZAP-së, e cila ka urdhëruar KQZ-në, respektivisht Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve që 21 fletëvotime të shpallura të pavlefshme, t’i shpallin të vlefshme e t’i përfshijnë në rezultatin përfundimtar.
Ky vendim i PZAP-së, erdhi pas ankesës së parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë organ vendimmarrës.
Kundër këtij vendimi të PZAP-së, është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme, prandaj KQZ-ja do t’i presë 48 orët e përcaktuara në këtë këshillë juridike.
“Mund të iu informoj se më herët gjatë ditës, PZAP ka marr një vendim për të llogaritur të vlefshme disa fletëvotime që gjatë numërimit këtu në QNR janë llogaritur të pavlefshme nga ana e ekipeve apo grupeve të numërimit. Si KQZ, meqë në këtë vendim të PZAP-së ka këshillë juridike që palët mund të parashtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme, brenda 48 orësh, ne do të presim të kalojë ky afat e pastaj do të vendosim për zbatimin e vendimit të PZAP-së”, tha Elezi.
Vendimi i PZAP-së ka të bëjë me fletëvotimet e ardhura nga jashtë e që u shpallën të pavlefshme për shkak të një gabimi teknik gjatë printimit çka edhe ngjalli përplasje mes përfaqësuesve të subjekteve politike në QNR. Prandaj një ditë më parë hetues të PZAP-së qëndruan në QNR ku thuhet se aty vërtetuan pretendimet e ankuesit.