Zhvillim të papritur e ka quajtur anëtarja e delegacionit të Kosovës pranë Këshillit të Evropës, Ariana Musliu Shoshi, heqjen nga rendi i ditës të kërkesës së Kuvendit të Kosovës për ngritjen e statusit të Kosovës në këtë organizatë.
Sipas saj, kjo nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi.
“Sot, në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, morëm pjesë si delegacion, ku në agjendë ishte edhe opinioni për ngritjen e statusit të Kosovës në këtë organizatë. Në fillim të takimit, me kërkesë të kryetarit të Grupit të EPP, Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës, një zhvillim i papritur që nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi. Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar deputetja e PDK-së që është pjesë e këtij delegacioni.