Prindërit e dëshmorit Hysen Rexhepit, Nait e Farije Rexhepi, presin me krenari urimet e përfaqësuesve institucionalë e mysafirëve të tjerë, në ditët e Epopesë së UÇK-së. Më 5 mars, djali i tyre dhe shumë shokë të tjerë u nisën nga vende të ndryshme të botës për t’i dalë zot vendit.

“Atëherë kur e kam përcjellë Hysenin prej Lozanës, tentova ta ndali për të ardhur vetë. Jo, tha. Ok, po ndalem, qe po shkon ti. Ishalla shpëton, por ke m’i ra pishman. Këto janë fjalët e Hysenit që m’i tha në banesë. Nuk u ndal. Kam shkuar e i kam ble çka i duhet ushtarit: hapa, çorape, ia kam marrë, ia kam mbushë çantën. I thash, udha e mbarë e ishalla Zoti ju ndihmon! Ato ishin fjalët e mija me Hysenin atë ditë dhe e kam përcjellë”, tha Nait Rexhepi.

Organizatat e dala nga lufta dhe përfaqësues institucioni i çmojnë këto data, pasi i obligojnë të bartin edhe përgjegjësi.

“Këto data janë jashtëzakonisht të rëndësishme sepse falë tyre, Epopesë së Jasharëve, që u bënë kurban për lirinë e Kosovës, i presim me dhimbje dhe krenari, duke e ditur se shumë gjak u derdh për këtë ditë”, tha Isa Berisha, kryetar i OVL-së.

“5, 6 dhe 7 marsi janë përtej shënimit të datave, janë prej ngjarjeve më të rëndësishme historike, në historinë e re të Kosovës, padyshim se këto momente janë edhe momente inspirimi, motivimi për të gjithë ne që bartim përgjegjësi institucionale”, tha Kujtim Gashi, nënkryetar i Prizrenit.

Përveç 147 dëshmorëve që prehen në Landovicë, nderim u bë edhe para shtatoreve të heronjve të luftës së UÇK-së në qytetin e Prizrenit.