Zyra e Kryeministrit ka reaguar në lidhje me debatin publik mbi dëshminë e kërkuar të kryeministrit Albin Kurti për çështjen e rezervave shtetërore, e që sipas tyre, kjo çështje nuk duhej të ishte politizuar.
“Gjatë kësaj kohe jemi përballur me një valë dezinformatash dhe përpjekjesh për të sajuar një perceptim të rremë mbi këtë proces. Prandaj, është e rëndësishme të sqarojmë faktet dhe të mbrojmë parimet e një shoqërie të drejtë e demokratike. Mos reagimi ynë i deritanishëm, nuk ka qenë mungesë vëmendjeje, por respekt për procesin ligjor që duhet të zhvillohet pa ndërhyrje të jashtme”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje në reagim thuhet se “po bëhet e qartë se po përballemi me një orvatje të hapur për të manipuluar dhe hutuar opinionin publik”.
“Duam të jemi të qartë: Kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të dëshmojë. Përkundrazi, ka ofruar bashkëpunim të plotë për të ndihmuar drejtësinë të kryejë punën e saj me integritet. Gatishmëria dhe vullneti për të dhënë dëshmi është ofruar në disa raste dhe në kohë të ndryshme në Zyrën e Kryeministrit. Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë SHBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual! Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?”, thuhet tutje në reagim.
Më tej theksohet se kryeministri vazhdon të jetë i gatshëm të dëshmoj “sa më shpejtë, aq më mirë, për qëllime të drejtësisë e respektimit të institucioneve”.
“Qeveria jonë ka sjellë reforma të mëdha, veçanërisht në transparencën qeveritare dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat janë njohur dhe vlerësuar nga organizata të pavarura ndërkombëtare si Transparency International. Ne mbështesim fuqishëm pavarësinë e sistemit gjyqësor, por refuzojmë përdorimin e tij si një mjet për përfitime politike”, thekson Zyra e Kryeministrit.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, asnjëherë në Kosovën e pasluftës, nuk ka pasur më shumë përpjekje për të reformuar drejtësinë, nisur nga pakoja e ligjeve kundër korrupsionit e deri te Byroja shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Me të gjitha përpjekjet për të ndalur reformimin e shumë kërkuar të Këshillit Prokurorial të Kosovës e për të zhdukur korporatizmin në këtë sistem, reforma do bëhet dhe jetësohet. Nuk është dhe nuk mund të jetë detyrë e cilitdo, e sidomos dhomave tregtare e ekonomike të japin opinione ligjore apo të ndikojnë në proceset gjyqësore. Bizneset dhe organizatat ekonomike kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Qeveria jonë ka qenë një aleate e fortë e punës së tyre duke ofruar stabilitet institucional e politik dhe duke nxitur rritjen ekonomike, e cila ka çuar në dyfishimin e investimeve te huaja direkte gjatë katër viteve të fundit”, nënvizohet në reagim.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, ata që kërkojnë ta keqpërdorin këtë çështje për qëllime politike duhet të gjejnë mënyra të ndershme për të sfiduar qeverinë —përmes ideve dhe politikave që i shërbejnë qytetarëve.
“Zyra e Kryeministrit mbetet e hapur dhe bashkëpunuese me çdo institucion që vepron në përputhje me parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë”, thuhet në fund të reagimit.