Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar gratë kosovare me rastin e 8 Marsit. Ai përmes një mesazhi të publikuar nga partia e tij në Facebook, ka shprehur mirënjohje dhe respekt të jashtëzakonshëm ndaj të gjitha grave, të cilat, sipas tij, me punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre lartësojnë vlerat më të mira të shoqërisë tonë.
“Sot, kujtojmë përpjekjet e mëdha të tyre për barazi, drejtësi dhe paqe. Rikujtojmë po ashtu rolin dhe kontributin e të gjitha grave në kohërat më të rënda të vendit tonë, duke qenë kështu pjesë e të gjitha proceseve të themelimit dhe ndërtimit të shtetit tonë, e barabartë në përgjegjësitë dhe kontributin e saj. Ndërsa sot, ato janë bartëse e shumë ndryshimeve dhe forcë e jashtëzakonshme në shoqërinë tonë, duke dhënë kontributin e tyre në çdo fushë. Prandaj, e themi me zë të lartë se jemi krenarë për punën e tyre të pashoq në kauzën për një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Dhe rreshtohemi bashkë me to në luftën për të drejta të barabarta”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje kreu i LDK-së, ka theksuar se në këtë ditë, është e rëndësishme që të gjithë të reflektojnë mbi arritjet e tyre dhe të angazhohen për të krijuar një të ardhme më të ndritur, ku gratë kanë mundësi të barabarta dhe të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre.
“Fuqizimi ekonomik, social e politik i gruas është një investim i drejtpërdrejtë në forcimin dhe zhvillimin e shtetit. Është garanci për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar. Ju falënderoj nga zemra për kontributin tuaj të çmuar dhe ju siguroj se ky angazhim për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë do të vazhdojë, sot e gjithherë”, ka shtuar ai.
Abdixhiku në fund ka thënë se bashkë do ta ndërtojmë një vend ku gratë dhe vajzat kanë më shumë mundësi, më shumë mbështetje dhe më shumë hapësirë për të udhëhequr proceset e rëndësishme për të ardhmen e vendit.