Për zgjedhjen e Joan Palushit, kryepeshkop i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka shkruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili thotë të jetë i gëzuar për këtë bashkë me besimtarët ortodoksë shqiptarë.
“Gëzohemi bashkë me besimtarët ortodoksë shqiptarë për zgjedhjen e Joanit, kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, pas kryepeshkopit tashmë të ndjerë Anastasit (Janullatos). Fortlumturia e Tij, Joani (Pelushi) ka qenë mitropolit i Korçës për 27 vjet, një teolog e intelektual, me kontribute jo vetëm klerikale, por edhe në jetën qytetare shqiptare”, ka shkruar në urimin e tij për zgjedhjen e kryepeshkopit.
Kurti ndër të tjera ka uruar paqe mes kombeve dhe bashkëpunim mes feve.
“Dëshirojmë që ai të ketë sukses në detyrat e reja, në mbrothësimin e kishës, përparimin e drejtësisë e të paqes mes kombeve dhe bashkëpunimit mes feve. I urojmë bashkëkombasit tonë, Kryepeshkopit Joan një punë të mbarë në këtë pozitë të rëndësishme për ortodoksët, por edhe për mbarë shoqërinë e kombin tonë”.
Ai u zgjodh sot nga Sinodi i Shenjtë, ndërkohë ceremonia e fronëzimit të tij do të mbahet më 29 mars.