Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas tragjedisë në Koçan të Maqedonisë së Veriut. Përmes rrjetit social, X, Osmani shprehu ngushëllime për viktimat dhe të gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut.

“Lajm shkatërrues nga Koçani, Maqedonia e Veriut. Humbja e shumë jetëve të reja është një tragjedi që nuk mund të thuhet. Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe gjithë popullit të Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë. Ju jeni në mendimet dhe lutjet tona”, ka shkruar Osmani.

Konjufca: Tronditës lajmi për humbjen e 51 jetëve në Koçani, jemi pranë jush

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur i tronditur nga ngjarja tragjike që ndodhi në Koçani të Maqedonisë së Veriut.

Konjufca u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, derisa ka thënë se qëndrojnë pranë Maqedonisë së Veriut në këto momente të vështira.

“Tronditës lajmi i vdekjes së 51 të rinjve në Koçan të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e zjarrit në një klub nate. Ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë ngjarje të tmerrshme! Qëndrojmë pranë tyre dhe Maqedonisë së Veriut, në këto momente të vështira për ta. Të lënduarve në këtë ngjarje të rëndë iu dëshirojmë shërim sa më të shpejtë e sa më të lehtë”, ka shkruar Konjufca.

Kurti shpreh solidaritet me Maqedoninë e Veriut pas tragjedisë në Koçan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij më të thella për familjet e viktimave dhe solidaritet me popullin dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Me pikëllim të thellë mësova për humbjen shkatërruese të 51 jetëve në Koçan të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e një shpërthimi tragjik zjarri në një klub nate. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet që humbën më të dashurit e tyre, si dhe për liderët dhe qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë vendit në këtë kohë pikëllimi. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, ka shkruar Kurti.

Të paktën 51 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate. Ndërsa raporothet për mbi 100 persona kanë mbetur të lënduar.